Prof. Dr. Arben Malaj: Fiskalizimi me penalitete është rrugë e dështuar disa herë

270
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Mos i gjobisni bizneset, dështimi është i qeverive, jo i tyre. Reformat-fiskalizimi me penalitete – është një rrugë e dështuar disa herë. Biznesi duhet t’i paguajë detyrimet sipas: (a) “cash flow/hyrjeve të ardhurave; (b) me koston e tij më të ulët për taksapaguesit dhe (c) kostot sa më të vogla edhe të taksa-mbledhësve. Këto janë parime të arta të taksimit të qartësuara nga Adam Smith që në shekullin e 17-të. Mos shpikni për interesa jo të sinqerta, parime të tjera, siç është absolutizimi i efekteve të gjobave sa më të rënda. Personalisht mbështes çdo reformë në çdo aspekt të qeverisjes online, që garanton tre parakushte jetike:

(1) nuk rrit asnjë kosto direkte dhe indirekte për përdoruesit e këtyre shërbimeve online, sidomos për tatimpaguesit, bizneset dhe individët;

(2) që rrit shpejtësinë dhe cilësinë e ndër /dhe /bashkëveprimit midis përfituesve fundorë, dhe agjensive publike;

(3) që nuk dëmton sado pak moralitetin e taksave, pra që qëllimi i vërtetë, është përfitimi i përdoruesve nga efektet pozitive të reformave dhe jo kompanitë e favorizuara vendase apo të huaja, për fitime të garantuara dhe të larta.

“Mos i gjobisni bizneset, dështimi është i qeverive, jo i tyre. Reformat-fiskalizimi me penalitete, është një rrugë e dështuar disa herë”

Ky projekt që është shtyrë disa herë vërteton shqetësimin e taksapaguesve për:

(1) kostot jo të lehta direkte dhe indirekte;

(2) qeveria ka shkelur një nga detyrimet ligjore që për çdo ligj, duhet të masë dhe qartësojë publikisht efektet përfituese ose kostot e tij, por jo me paragrafe copy-paste, por me shifra të monitorueshme;

(3) qeveria fshehu në parlament se sa do të ishte në milidra lekë përfitimi nga efektet direkte dhe indirekte të fiskalizimit;

(4) qeveria me vetëdije fsheh transparencën e këtyre shifrave që të pengojë monitorimin e “sukseseve” të reformave nga ekspertë dhe Organizata Jo Qeveritare jashtë favorizimit qeveritar;

(5) nëse të ardhurat nga fiskalizimi do të ishin aq të mëdha sa qeveria deklaron me fjalë – individët, bizneset e vogla dhe të mesme vitet e para nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë dhe kur të binden se fiskalizimi ndihmon edhe menaxhimin më mirë të bizneseve të tyre do të rritet vullnetshmëria e përdorimit të sistemeve “moderne” fiskalizuese në një treg konkurues të ofrimit të tyre me cilësi të mirë dhe kosto të ulët të pajisjeve dhe mirëmbajtjes;

(6) qeveria ka dështuar disa herë me imponimin me dhunën e gjobave për ta luftuar informalitetin dhe evazionin;

(7) dështimi vjen kryesisht nga moraliteti i ulët i pagimit të taksave kur qeveritë akuzohen nga taksapaguesit, nga raportet, indekset dhe institucionet ndërkombëtare për korrupsion dhe kapje të shtetit ;

Qeveria ka treguar se për përfitime politike/vota dhe për përfitime abuzive dhe të nxitura nga arroganca, babëzia dhe kapja e shtetit ka bërë herë pas here falje të gjobave. Pra ajo e keq përdor penalizimin jo për të luftuar informalitetin, por për të rritur pushtetin e saj abuzues. Kjo analizë mund të thellohet dhe plotësohet si me argumenta dhe me rastet e dështimeve të përsëritura në administratën publike dhe  fiskale.