Në 3 vite u pastruan në ndërtim 1.6 miliard euro

271
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Raportet ndërkombëtare: 60% e firmave nuk justifikojnë paratë

Raportet financiare tregojnë se në vendin tonë është shënuar rritje në sektorin e ndërtimit dhe kjo vlerë është shumë më e lartë se në vendet e rajonit dhe gati i dyfishit që ajo zë në ekonomitë e vendeve të BE-së. Hipotezat për pastrimin e parave bazohen në raportet ndërkombëtare, të cilat nënvizojnë se rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare. Në një vend që shpopullohet dita –ditës, ende vazhdon absurdi i shtimit të ritmeve të ndërtimit. Shqipëria vazhdon të ketë një rritje të madhe të vlerës së shtuar në ekonomi prej aktiviteteve ndërtuese. Madje kjo vlerë është shumë më e lartë se në vendet e rajonit dhe gati i dyfishit që ajo zë në ekonomitë e vendeve të BE-së. Sipas revistës ekonomike ‘Monitor’, “Ndërtimi zuri 9.9 % të Vlerës së Shtuar të ekonomisë së Shqipërisë më 2019. Në BE ky sektor zuri vetëm 5.5%, ndërsa në Rajon niveli më i lartë i raportua në Kosovë 10.6%. Hipotezat vijnë nga raportet ndërkombëtare që e lidhin rritjen e ndërtimeve me pastrimin e parave të pista dhe ato të ardhura nga aktivitete kriminale. Sipas një raporti të gushtit 2020, “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, nga  “Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” rezultatet janë shumë negative. Aty theksohet se “Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”. Edhe Task Forca Financiare e ‘MONEYVAL’, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Evropës theksonte në shkurt të vitit 2020 se ne jemi i vetmi vend europian që hyjmë në “zonën gri” për pastrimin e parave duke u renditur përkrah shteteve të botës së tretë. Edhe agjencia ‘Reuters’ në momentin kur nuk u hapën negociatat nga BE në korrik 2019, shkruante se një nga shkaqet që u ndëshkua Shqipëria, qe se ajo  perceptohej si një nga vendet më të korruptuara të Evropës, që nuk ka arritur të luftojë pastrimin e parave, prandaj përballet me rezistencë më të fortë nga shtetet e Evropës veriore. Qeveria shqiptare e ka mohuar gjithmonë lidhjen direkte mes ‘boomit’ të ndërtimeve dhe pastrimit të parave të pista. I pyetur për këtë, para zgjedhjeve, në një konferencë për shtyp, kryeministri Rama u përgjigj: “A ka pastrim parash? Ku nuk ka? Dini ndonjë vend që nuk ka? Të gjitha vendet luftojnë me paratë e pista. Dhe në Shqipëri rregullat e vendosura janë jashtëzakonisht të shtrënguara në raport me shumë vende të tjera. Dhe ky është një problem që unë e kam dhe e diskutoj vazhdimisht me institucionet përkatëse”.