Presidenti Meta përshëndet 20-Vjetorin e Hyrjes së Trupave të NATO-s në Kosovë

508
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore dhe festive shtetërore me rastin e 20-Vjetorit të Hyrjes së Trupave çlirimtare të NATO-s në Kosovë.

Në prani të krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës, si dhe të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, me të cilët u takua përzemërsisht, Kreu i Shtetit shqiptar mori pjesë në tubimin madhështor të zhvilluar në sheshin qendror të Prishtinës, që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Gjatë këtyre ceremonive shtetërore, u përkujtua me madhështi 20-vjetori historik i hyrjes së trupave të Aleancës së Atlantikut Verior në Kosovë, duke i dhënë fund genocidit të makinerisë ushtarake të Millosheviçit dhe spastrimit etnik, si dhe duke u dhuruar qytetarëve të Kosovës lirinë e shumëpritur.

Gjatë këtyre aktiviteteve, Presidenti Meta,  u takua përzemërsisht me qytetarë të shumtë të Prishtinës, të cilët i uroi për këtë të ditë të shënuar për mbarë kombin shqiptar.