Presidenti Meta: Më 25 prill nis epoka e referendumeve. Kushtetutën do ta ndryshojë vetëm populli.

148
Sigal

Në vazhdim të intervistës, Kreu i Shtetit, Ilir Meta u shpreh se më 25 prill do të nisë epoka e referendumeve, dhe se kushtetutën mund ta ndryshojë vetëm populli.

Pjesë nga intervista: 

Pyetje: Meqenëse e përmendët referendumin.. Në 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, që do të jetë dhe kryeministri i ardhshëm ka folur për një bashkim të Kosovës në një Federatë me Shqipërinë ose në një Federatë të Bashkimit Europian. Ai tha, se dy prej referendumeve  në atë ardhmen mund të zgjidhin këtë. Ju jeni për një referendum edhe për bashkimin e Shqipërisë më Kosovën?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të hyjë në diskutime të tilla të së ardhmes, pasi jemi në një gjendje tepër kritike.

Së pari, referendumi i Kosovës prodhoi një rezultat të rëndësishëm ndryshimi, duke i dhëne mësime edhe VetëVendosjes,  për të treguar të gjitha kapacitetet e saj qeverisëse për çkapjen e shtetit, sikurse e përmendim vazhdimisht dhe mendoj që kjo është kryesorja,  për atë që çfarë presin qytetarët e Kosovës. Kjo do të thotë edhe një mbështetje më e madhe me partnerët euro-atlantikë të Kosovës.

Përsa i takon Shqipërisë, edhe ajo duhet të shkojë drejt një referendumi, kundër partisë-shtet në 25 prill. Mendoj që kjo është një betejë e popullit shqiptar. Sot është vënë në diskutim edhe orientimi europian i Shqipërisë përballë alternativave lindore. Ne e dimë, që e kanë pushtuar Shqipërinë, pushtete të orientuara nga lindja në të kaluarën, për këtë arsye unë besoj që referendumi i 25 prillit do të jetë tepër i suksesshëm dhe populli i Shqipërisë, do të marrë pjesë si asnjëherë tjetër në këto zgjedhje. Populli ynë e ka kuptuar qartë atë, që tha dhe juristi jonë i njohur dhe në Europë, Ledi Bianku në manifestimin e 2 marsit, “Një popull, që fle në demokraci, zgjohet ne diktaturë”.

“Referendumi është e vetmja rrugë, që e vendos politikën nën pushtetin e sovranit.”

Unë mendoj se shqiptarët e kanë kuptuar këtë gjë, e kanë kuptuar te gjobat e padrejta që u vendosen, e kanë kuptuar te njerëzit që dënohen për t’u bërë shembull. Ndërkohë,  këta që abuzojnë me miliarda e kanë kthyer Parlamentin, Qeverinë,  në një biznes personal të disa personave, të cilët bëjnë edhe moral për Reformën në Drejtësi.

Pyetje: Në rastin e një fitore në zgjedhjet e 25 prillit, partia Demokratike zoti Lulzim Basha, ka deklaruar se do të ndërmarrë një nismë edhe për rishikimin e Kushtetutës.. A është i domosdoshëm rishikimi i Kushtetutës? Në një kohë që Presidenti ka humbur shumë kompetenca, ka një disbalancë të pushteteve dhe ku ekzekutivi ka fituar shumë pushtet…!

Presidenti Meta: Ajo që ka ndodhur në Shqipëri është kapja e shtetit. Dhe kjo ka ndodhur jo kryesisht për ndryshimet kushtetuese, por ka ndodhur përmes ligjeve antikushtetuese, të cilat kanë dal mbi Kushtetutën, për të vënë nën pushtet të institucioneve të tjera qeverisë dhe natyrisht kryeministrit. Padyshim që këtu, ka nevojë për një ri konceptim të plotë, por premtim im më i rëndësishëm si President aktualisht, por edhe si politikan me ketë eksperiencë që kam, por edhe me angazhimet që do të kem në të ardhmen, është që Shqipëria me referendumin e 25 prillit të hyjë në një epokë të re, në atë të referendumeve.

Populli shqiptar të ketë mundësi të iniciojë referendume për çdo çështje rëndësishme, siç është edhe e përcaktuar qartë në Kushtetutën, e miratuar me referendum në vitin 1998. Vetëm kjo do të bëjë të mundur, që Shqipërinë, mos ta drejtojë politikën një grup oligarkësh, shpesh për fat të keq të lidhur me banditë lokalë. Politikën duhet ta drejtojë vetëm populli, interesi publik dhe interesi qytetar. Referendumi është e vetmja rrugë, që e vendos politikën nën pushtetin e sovranit.

Pyetje: Ju folët për shpresën e shqiptarëve, për një shtet të ri më të mirë, por ka dhe një shpresë te institucionet e reja e të drejtësisë. Javët e fundit ka pasur një goditje të SPAK-ut, ndaj atij që është cilësuar si klani i Gjykatës se Krujës. Megjithatë, ju keni pasur rezerva në komentin  disa ditë më parë, ku thatë që ka edhe padi të tjera, që presin të hetohen për zyrtarë edhe më të lartë të drejtësisë…!

Presidenti Meta: Jo vetëm të drejtësisë, por edhe të Qeverisë edhe të Parlamentit.. dhe unë nuk kam asnjë shpresë…

Pyetje: Edhe për oligarkët?

Presidenti Meta: Patjetër, janë shumë padi që kanë shkuar për ligjet që janë miratuar, por edhe për mënyrën sesi janë miratuar dhe  në mënyrë antikushtetuese, por edhe për çështje të tjera. Unë nuk pres të ndodh ndonjë mrekulli, në një drejtësi që është tërësisht nën kontrollin  e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, i cili është edhe hartuesi kryesor i akteve të qeverisë,  që shkojnë në Parlament, për kapjen e shtetit, për koncesionet, por edhe të gjithë atë biznes që bëhet në proceset ndërkombëtare, i njohur ndryshe si biznesi i arbitrazheve, ku qytetarët shqiptarë dëmtohen dy herë, ku paguajnë të dyja palët.

Unë besoj, që në 25 prill vota e shqiptarëve do të sjellë edhe drejtësi, edhe barazi para ligjit, sepse do të sjelli një Parlament legjitim, pluralist dhe me institucione të tjera legjitime.

Unë i qëndroj gjithmonë asaj Reforme në Drejtësi, që unë e imponova si Kryetar i Kuvendit në atë kohë, me konsensusin e 140 votave. Por, nga ajo ditë deri më sot me ligje antikushtetuese ka ndodhur nga Reformë në Ramaformë, për këtë arsye qeveria është kaq arrogante duke dhunuar Kushtetutën, ligjet në mënyrë kaq evidente.

“Bëjnë moral për Reformën në Drejtësi, ata që Kuvendin dhe Qeverinë i kthyen në biznes personal të një grushti oligarkësh.”

Pyetje: Ndërkohë Zoti President, SPAK-u është vënë në lëvizje edhe nga Prokuroria italiane, nga hetime të cilat përfshijnë kapo të ‘Ndrageta’ në Itali dhe nga përgjimet rezulton se përmenden edhe funksionarë të lartë shqiptarë.

Presidenti Meta: Unë e kam shprehur, që në fillim mendimin tim për të ndjekur çdo çështje që ka të bëjë me Shqipërinë, çdo emër, që ka të bëjë me Shqipërinë, çdo politikan, çdo sipërmarrës. Sigurisht kjo nuk është çështja e parë, ka pasur dhe çështje të tjera mjaft serioze në të kaluarën, të cilat me kalimin e kohës janë fashitur nga presioni politik.

Mendoj se pas 25 prillit jam i bindur se drejtësia do të ketë mundësi të jetë e pavarur.

Pyetje: A do të veprojë drejtësia edhe kur në përgjime përmendet ryshfeti i 20 % për kryetarin e bashkisë së Tiranës, apo do të ketë një intimidim?

Presidenti Meta: Drejtësia duhet të veprojë për çdo gjë që përmendet ndaj cilido funksionari të lartë të shtetit, apo të institucioneve publike. Por nuk kam ndonjë shpresë së do të ndodhë ndonjë çudi përpara 25 prillit sepse presioni politik është shumë i madh, ndaj prokurorëve, gjyqtarëve, ndaj familjarëve të tyre.

Ata janë në një terror të qartë, sikurse janë dhe përkrahësit e opozitës, sikurse jeni dhe ju gazetarët. Ju e keni provuar vetë apo jo sepse kanë dalë mesazhet për largimin tuaj. E provojnë pronarët e mediave, e provojnë të gjithë shqiptarët, janë në një presion për shkak sepse jemi në një situatë pothuajse diktatoriale. Por sidoqoftë jemi dhe në prag të Referendumit

Pyetje: A ishte ky presion që i hoqi dy ditë më parë gjobën kryetarit të bashkisë, një gjobë 75 mijë lekëshe për pjesëmarrje në aktivitete promovuese për fushatë elektorale. Do me thënë kur tërhiqet një Komision Zgjedhor, çfarë mund të ndodhë me gjykatën?

Presidenti Meta: Nuk duhet të besojmë tek këto institucione që do të garantojnë pavarësinë, as të zgjedhjeve, as të drejtësisë, të askujt. Institucionet, që do ta garantojnë këtë gjë është institucioni i popullit, mjeti është referendumi është pjesëmarrja e jashtëzakonshme në 25 prill. Qytetarët i shikojnë të gjitha këto padrejtësi, e shikojnë drejtësinë e trefishtë. Unë isha para disa ditësh në Durrës sepse shoqata ‘Durrësi Autokton’ kishte 30-vjetorin dhe kishin insistuar prej kohësh për të dekoruar një arkeolog shumë të madh të Durrësit, por edhe të Shqipërisë, që nuk jeton më zotin Vangjel Toçi.

Insistim ishte i madh dhe them patjetër me shumë kënaqësi sepse arkeologët tanë Neritan Ceka e shumë të tjerë edhe gazetarë të njohur si Bashkim Hoxha, kishin insistuar prej kohësh për këtë gjë.

“Shteti i presionit, që bën “të fortin”, me qytetarët e thjeshtë dhe intelektualët, merr fund në 25 prill.”

Vendoset data, i them merrni leje, bëni ato veprime siç janë rregullat. Po patjetër, kemi biseduar me bashkinë më thonë, se bashkia administron pallatin e kulturës ‘Aleksandër Moisiu’. Nga 50 veta që u kishte dhënë leje bashkia që të vendoseshin në një pallat kulture me 600 vende, me distanca, ata ishin kufizuar deri në 35 veta, që ishin të gjithë personalitete të kulturës së qytetit dhe natyrisht shumë të tjerë u mërzitën që nuk ishin të ftuar.

Bëhet aktiviteti me të gjitha rregullat, iki unë si President dhe marr vësh ditën tjetër, e rrëmbejnë kryetarin e shoqatës, një burrë i nderuar, pensionist, inxhinier tërë jetën zoti Abdullah Deliallisi. I thonë pse ke bërë ti këtë, si e ke bërë ti këtë, ai i sqaron dhe i thotë e kemi bërë në bashkëpunim me bashkinë sepse pallatin e kulturës e administron bashkia. I thotë kemi biseduar, kemi rënë dakord për këto gjëra, plus që ata kishin bërë aktivitete gjatë kësaj kohe dhe të tjera dhe nuk kishin pasur asnjëherë ndonjë shqetësim se kuptohet njerëz shumë të rregullt.

Ditën tjetër i vendosin gjobën 50 milion lekë. Ndërkohë ju keni parë aktivitete të ndryshme të partive, apo të drejtuese të institucioneve të ndryshme, ku nuk respektohet asgjë dhe nuk ka as gjoba.

Çfarë do të thotë kjo, si mund ti vendosësh një pensionisti 50 milion lekë gjobë, që edhe pse ka punuar tërë jetën nuk i ka fituar dot dhe një gjobë që as nuk ka mundësi që ta paguajë. Përse bëhet kjo, cila është arsyeja?

Jetojmë në një shtet totalisht të deformuar, në një shtet presioni. Ndaj kujt, ndaj njerëzve të ndershëm, ndaj intelektualëve, mos flisni, se po folët ju heqim këtë nga puna, ju heqim atë nga puna. Pra një shtet i drejtuar nga presioni shtetëror, por dhe nga presioni fizik në terren, ku nxiten banditë, përveç presioneve që bën shteti,  vendosin gjoba të padrejta, apo heqin njerëz nga puna. Është një situatë që jam i bindur që do ta marrë përgjigjen e saj shumë qartë në 25 Prill.