Presidenti Meta: 5% e votave të pavlefshme, të hetohen

196
Sigal

Pas konferencës për mediat, presidenti Ilir Meta ka bërë edhe një postim në rrjetet sociale, lidhur me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Kreu i shtetit thotë se i vetmi hetim që duhet në këto momente, është ai për votat e pavlefshme.

Sipas Presidentit Meta, “numri rekord i më shumë se 5% të votave të pavlefshme, nga të cilat shumica absolute qartësisht nuk ka qenë e shprehje e vullnetshme e pavlefshmërisë, kërkon një hetim urgjent dhe serioz”. Referuar pjesëmarrjes, Kreu i Shtetit shton se në raport me numrin e banorëve rezidentë brenda vendit, ajo është në shifrën e 74%.


Reagimi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

Falenderoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët morrën pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 prillit.

Referuar të dhënave zyrtare të institucioneve shtetërore, përllogaritet që nga rreth 2.242.147 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 1.661.885 qytetarë.

Duke patur parasysh pamundësimin e ushtrimit të së drejtës së votës edhe përmes akteve të njëanshme normative, pjesëmarrja rekord më 25 prill e mbi 74% të qytetarëve rezidentë në Shqipëri me të drejtë vote, është shprehje e qartë e përgjegjësisë së lartë qytetare për fatet e vendit.

Ndërkohë që procesi zgjedhor vazhdon, e gjithë vëmendja duhet të jetë e përqendruar në evidentimin dhe hetimin e çdo parregullsie, që ka cenuar procesin dhe deformuar vullnetin e shprehur të qytetarëve.
Numri rekord i më shumë se 5% të votave të pavlefshme, nga të cilat shumica absolute qartësisht nuk ka qenë e shprehje e vullnetshme e pavlefshmërisë, kërkon një hetim urgjent dhe serioz.

Asnjë zhvendosje fokusi, deri në fund të procesit!

I vetmi hetim i vlefshëm tani është hetimi i votave të pavlefshme!

Shashkat e provokatorëve kanë vetëm një qëllim, shpërqëndrimin nga ajo që ka ndodhur në kutitë e votimit dhe gjatë numërimit.

Më i vlefshëm se kurrë, hetimi i votave të pavlefshme, me qetësi dhe transparencë maksimale!

Çdo votë të numërohet dhe rinumërohet deri në fund sipas Kodit Zgjedhor!.