20 vrasje në 4 muaj, krimet mafioze tronditën disa qytete

103
Sigal

Krimi në Shqipëri është në shifra shqetësuese. Sipas një bilanci, janë 20 vrasje që kanë ndodhur që nga 1 janari deri më 30 prill të këtij viti, ku 7 prej tyre dyshohet se janë kryer nga vrasës me pagesë.

Ekzekutimi i parë ishte ai i Edmir Begut, i njohur ndryshe si Ilir Kuçi. Ky i fundit u vra në Durrës nën motivin e larjes së hesapeve të drogës. Durrësi u trondit edhe me ekzekutimin e njërit prej ish-anëtarëve te bandës së Lul Berishës.

Edmond Koçi, i njohur ndryshe si ”Mond Çekiçi”, u qëllua me 12 plumba, ndërsa krimi u krye nga vrasës me pagesë. Kurse më 1 shkurt, Shkëlzen Kastrati u ekzekutua brenda automjetit të tij në mes të qytetit të Fierit. Në pranga ra 37-vjeçari Albert Zaja i dyshuar si njëri nga autorët, ndërkohë në kërkim është ende Elmir Tufa, Elson Xhecuka, dhe Roland Cara. Katër të rinjtë i përkisnin një grupi vrasësish me pagesë.

Në Vlorë po nga vrasës me pagesë u ekzekutua në afërsi të banesës së tij Gentian Qarri, i dënuar për trafik droge. Qetësi nuk gjeti as kryeqyteti. Në orët e para të mëngjesit të 25 shkurt, në sallën operative të Tiranës mbërriti njoftimi për një vrasje.

Në mes të Bulevardit kryesor të kryeqytetit u ekzekutua Behar Sofia. Policia arrestoi Enejt Shytin, autorin e kësaj ngjarjeje, ndërkohë në pranga ranë edhe bashkëpunëtorët e tij Xhuliano Visha, Leonar Xhixha dhe Skënder Vathi. Shytit i ishin premtuar 50 mijë euro për eliminimin e Sofisë. Bardhok Pllanaj ishte viktima e radhës e ekzekutorëve më pagesë.

Nga janari e deri në fund të prillit janë regjistruar edhe disa krime brenda familjes, ku më i rëndi ishte rasti i një 45-vjeçare, nënë e dy fëmijëve e cila u dogj e gjallë në makinë nga bashkëshorti i saj që më pas vrau edhe veten.