Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Bajram Begaj shprehu dhimbjen e tij të thellë për lajmin e humbjes së jetës së futbollistit të ekipit të “Egnatias” Raphael Dwamena. Lojtari i njohur ganez humbi jetën pas një problemi shëndetësor kardiak, ndërsa ishte duke luajtur në fushën e lojës me ekipin e tij në sfidën ndaj ekipit të Partizanit. Presidenti i Republikës së Shqipërisë Begaj i shprehu ngushëllimet familjes, klubit dhe tifozave të Egnatias për këtë humbje të madhe. “Mësova me dhimbje lajmin për humbjen tragjike të kapitenit të klubit “Egnatia”, Raphael Dwamena. Në këtë moment të vështirë shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen, klubin “Egnatia” dhe tifozët rrogozhinas. Gjithashtu gjej rastin të vlerësoj kontributin e klubeve të futbollit në Shqipëri për rritjen e cilësisë së këtij sporti në vendin tonë.” – tha Presidenti i Republikës së Shqipërisë Begaj në mesazhin e rastit.




















