Shpendi Topollaj: Kur do merret politika me mënjanimin e fenomenit të lypjes?

43
Sigal

-Të kujtoni të varfërit, nuk ju kushton asgjë.-

Josh Billings

Fenomeni i të lypurit në rrugë si pasojë e varfërisë, nuk është diçka e re. Ai i është qepur shoqërisë njerëzore qysh nga kohë që s`mbahen mend dhe më shumë se për ata që e praktikojnë nga halli, është njollë turpi për vetë shoqërinë e sidomos për qeveritë e tyre. Sistemi ku ne shqiptarët kemi hyrë dhe që e ka në natyrën e tij diferencimin galopant pasuror, dashje pa dashje e ka çuar vendin në atë pikë, sa për shumë familje, mospasja është ulur këmbëkryq. Familje me një vatër fëmijësh, kryesisht romë, që jetojnë nëpër kasolle prej kartonash, shtruar me baltë dhe pa asnjë kusht minimal të të ushqyerit, veshjes, higjienës, shkollimit apo dhe argëtimit, ka sa të duash. Për këtë gjendje mjerane, siç do ta quante Migjeni, ka shumë faktorë: papunësia, paaftësia, sëmundjet, veset, dembelizmi, injoranca, të kënaqurit me pak e deri ndihma sociale e papërfillshme. Në një situatë të tillë, tek ata ngre krye përpjekja për të mbijetuar dhe rruga për ta realizuar atë zgjidhet te të lypurit. Dhe ndodh ajo që të gjithë e shohim përditë; në çdo cep të bulevardit ndeshim grupe lypësish, burra e gra të palara, me fëmijë nëpër këmbë dhe nga një në bark dhe çuditërisht nganjëherë me ndonjë celular të shtrenjtë në dorë. Në sheshin qendror të qytetit tonë, Durrësit, ata shtrojnë jorganë e batanije, dhe kuptohet se aty kalojnë dhe natën. Nuk dihet se ku i kryejnë nevojat personale. Ajo që dihet është se sapo gdhihet, pasi i kanë ndarë detyrat, turren drejt kafeneve. Të parat, ca vajza të vogla bukuroshe që me dorën zgjatur dhe fytyrën e qeshur, të këpusin shpirtin. Nuk mund të rrish pa e futur dorën në xhep për t`u dhënë ndonjë lëmoshë edhe pse e di se Fjodor Dostojevski për këtë ka thënë: “Lëmosha përkeqëson, si atë që jep, si atë që merr, dhe për më tepër nuk arrin as qëllimin, sepse në këtë mënyrë lypësit vetëm sa shtohen”. Dhe vërtetë ata shtohen; sa ikën njëra vjen tjetra dhe pastaj nënat e deri gjyshet e tyre. Para skenave të tilla, kafeja të shkon në kurriz e biseda me miqtë e shokët e tavolinës e humb bukurinë e saj. Do, s`do, bëhesh pjesë e dhimbjes së tyre. Mirëpo, ne sikur jemi mësuar me të tilla pamje, por të mos harrojmë se Durrësi, si porta hyrëse e vendit, frekuentohet nga qindra e mijra turistë, të cilët nuk u shpëtojnë bezdisjeve të pareshtura dhe të pandalura të armatës së lypsave. Se duhet thënë; këtu vinë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ka nga ata fatkeqë pa duar, pa këmbë, me nga një sy, lakuriq në mes e lart, të zbathur e të rreckosur si mos më keq, aq sa edhe Hygoit të madh mund t`i shërbenin për model për romanin e tij epokal “Të mjerët”.

Ata janë lypës, por që mund ta llogarisin vlerën e tyre”. Madje dhe revoltohesh me indiferencën e pushtetit, politikanëve a vetë parlamentarëve që kurrë nuk u ka bërë ndonjë përshtypje skamja e tyre. Asnjëherë nuk kemi dëgjuar të analizohet kjo situatë apo që shteti që e quan veten human, të marrë masat e duhura. Sa mirë rrogat e tyre i ngrenë në qiell

Disa vinë si ekip, pra të shoqëruar nga parazitët, ata që mbledhin e numërojnë lekët e fituara apo dhe për t`u shërbyet sakatëve të gjorë me ndonjë byrek apo shishe uji, pa harruar të rrëkëllejnë për vete ndonjë krikëll birrë. Mendoj se është krejt e papranueshme që t`i ndeshësh ata duke u zhgrryer, duke u grindur me fjalor të ndyrë dhe ulërima para pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, para derës së Galerisë së Arteve apo para vetë ndërtesës së Bashkisë. Nuk ndihesh aspak komod kur i sheh se patjetër ka mes tyre edhe nga ata për të cilët William Shakespeare shprehej se: “Ata janë lypës, por që mund ta llogarisin vlerën e tyre”. Madje dhe revoltohesh me indiferencën e pushtetit, politikanëve a vetë parlamentarëve që kurrë nuk u ka bërë ndonjë përshtypje skamja e tyre. Asnjëherë nuk kemi dëgjuar të analizohet kjo situatë apo që shteti që e quan veten human, të marrë masat e duhura. Sa mirë rrogat e tyre i ngrenë në qiell dhe për ta nuk duan t`ia dinë. Kjo jo vetëm që është padrejtësi, por më shumë se kaq është poshtërsi. Si rrinë në vilat e tyre lluksoze edhe me votat e lypsave dhe nuk i vret aspak ndërgjegja? Po pse deri këtu ka arritur pashpirtësia njerëzore, dhe ku vajti solidariteti që pak a shumë kishim kur të gjithë ishim të varfër? Ne e dimë se kur Montesquieu thosh se: “Njeriu nuk është i varfër kur nuk ka asgjë, por kur nuk punon”, por fronte pune atyre duhet t`u krijohen nga ata. Që edhe lypsat të konsiderohen dhe trajtohen si njerëz. Mendoni për ata fëmijë që nuk kanë asnjë faj, se çfarë do të bëhen nesër. Si do t`u vejë filli i jetës atyre vogëlushëve? Prap lypësa do të mbeten? Jeta është e bukur si për fëmijët tanë ashtu edhe për ata. Vetë ata kanë lindur për ta gëzuar dhe zbukuruar këtë jetë dhe jo për ta shëmtuar atë me katandisjen e tyre. Fëmijët lypësa, më shumë se një kacidhe, kanë nevojë për atë që mësonte veprimtari i shquar Martin Luter Kingu se: “Bamirësia e vërtetë është më tepër se të lëshosh një monedhë në duart e lypësit; është të kuptosh se një shoqëri që prodhon lypës ka nevojë për ristrukturim”.