Raporti i rrëzuar në Kuvend për inceneratorët rrëzon Qeverinë

223
Sigal

Raporti i komisionit parlamentar për incenaratorët u rrëzua, por tashmë janë pranuar disa fakte që rrëzojnë Qeverinë. Faktet që u sollën provojnë se inceneratorët janë fasadë për të justifikuar vjedhjen për 30 vjet, që mund të kalojë edhe mbi 430,000 milion EURO, nëse analiza e vjedhjes përfshin edhe mosrealizimin e të ardhurave nga bllokimi i riciklimit të mbetjeve, humbjet e të ardhurave potenciale nga turizmi, si rrjedhojë e shtimit të papastërtisë së vendit prej pamundësisë së bashkive për t’i çuar mbetjet tek inceneratorët etj. Nëse nuk rrëzohet Qeveria, rrëzohet SPAKu, rrëzohet demokracia.

Fakti 1. Deputetët e maxhorancës referuan në komision dhe në seancë plenare se sipas OSHEE-së që nga viti 2017, kohë kur është montuar pajisja matëse deri në vitin 2021 rezulton se inceneratori ka derdhur 6748.2 megavatorë dhe ka përdorur për nevoja 2792.6 megavatorë. Pra është prodhuar në 3 vjet gjithsejt 9540 megavatorë. Ky ishte argumenti i mjaftueshëm sipas Qeverisë që inceneratori i Elbasanit punon. Por sipas kontratës inceneratori i Elbasanit duhet të prodhonte 18780 megavatorë në një vit, që do të thotë se për 5 vjet (deri në fund të muajit tjetër duhej të prodhonte 93900 megavatorë, që do të thotë ka prodhuar vetëm 10.1% të planit të prodhimit të energjisë elektrike. Dhe zero prodhim avulli për ngrohje. Një raport i papublikuar i Ministrinë së Financave, konstatoi se gjatë periudhës Maj 2017 – Qershor 2020, impianti i inceneratorit prodhoi 8,338 megavatorë energji elektrike. Kështu rezulton se nga Korrik 2020 deri në fund të 2021 inceneratori ka prodhuar 800 megavatorë në 1 vit, që do të thotë 4.2% të kapacitietit. Siç dihet sot shifra e prodhimit të energjisë elektrike është 0%. Ka dhe 1 pyetje që pritet t’i japi përgjigje SPAK. Sasia e energjisë së prodhuar prej 10.1% është prodhuar nga djegia e mbetjeve, apo nga ndonjë lloj karburanti tjetër? Çfarë parametrash kanë paisjet e gjenerimit të energjisë elektrike dhe impiantet e tjera të instaluar aty? A janë parametra konform studimeve të fisibilitetit dhe kontratave të inceneratorëve. Dhe nëse janë djegur mbetje, cilat mbetje janë djegur, pasi mbetjet organike nuk kanë fuqi kalorifike, kurse plastikat, që kanë fuqi kalorifike në Elbasan janë mbledhur nga grumbulluesit e plastikave dhe ato pak, që kanë shkuar në incenerator janë shitur nga koncesionari? Nëse dikush shpreson se do ndodhi mrekullia dhe inceneratori i Elbasanit do prodhojë energji eletrike në vazhdim, thjesht do mbetet totalisht i zhgënjyer. Tash nuk mund të funksionojë hermetizmi, që egzistonte për informacionin në incenerator të Elbasanit. Nuk fshihet minareja (inceneratori ) në thes.

Fakti 2. Kryetari i Bashkisë Fier tha para komisionit hetimor se për pak ditë do vihet në punë inceneratori, por tha që inceneratori do të punojë në ditë të veçanta. Ato pak ditë kaluan dhe nuk ka e nuk mund të ketë incenerator në Fier (shih edhe tek fakti 3). Ata që kanë pak njohuri për impiantet e prodhimit të energjisë, në mënyrë më të veçantë për inceneratorët e dinë se inceneratori i ndezuar duhet të punojë pa pushim 24 orë të ditës për gjithë vitin, deri në ditën e ndalimit për remont.

Fakti 3. U pranua nga të gjithë fakti se paisjet e zhdoganuara për inceneratorin e Elbasanit janë në vlerën 7 miljon Euro. Pyetja, përgjigjen e së cilës do ta jap SPAK është; Si ka mundësi që një incenerator me zero ndotje të kushtojë 7 herë më pak se sa kushton ai në tregun ndërkombëtar? Për më tepër inceneratori i Fierit, që sipas kryetarit të bashkisë Fier, do punojë me ditë të veçanta (kupto nuk do punoj) të kushtojë 10 herë më pak se kushton në tregun ndërkombëtar?  Ndërsa inceneratori i Tiranës me kapacitet mbi 4 herë më të madh se sa ai i Fierit, i cili duhet të ishte në prag të fillimit të punës akoma nuk ka filluar të ndërtohet dhe nuk ka shance të ndërtohet, pasi një incinerator me kapacitetin sipas kontratës kushton rreth 230 milion Euro.  Hetimi i komisionit parlametar arriti të evidentojë 3 fakte si më sipër, që nëse SPAK ka vullnetin t’i hetojë edhe një hap më tutje çon natyrshëm në rrëzimin e Qeverisë. SPAK në qëndër të hetimit nuk duhet të ketë procedurat, por grupin që projektoi skemën e supermashtrimit me inceneratorë, të krahasuar me skemën e piramidave, si edhe drejtuesit e institucioneve që mbështetën këtë skemë sa e sofistikuar aq edhe infantile.  Rrëzimi i raportit të komisionit hetimor shpejton rrëzimin e qeverisë RAMA 3.