Ilmi S.Qazimi: I bëni të fala Muzeumit Historik…!

33
Sigal

Telegraf.al / Ja edhe Muzeu Historik Kombëtar u mbyll për katër vjet, sepse do të “restaurohet, rikonstruktohet e muzealizohet”(!?). Lajm për kokën e lajmit! E jep vetë institucioni; e fsheh vetë instiucioni; e di vetë institucioni! Insitucioni kulturor historik gjithpërfshirës, më i madh i vendit, me vjetërsi si ndërtesë 43 vjeçare, ku vizitorët e vendit e të botës, do të shihnin historinë  e kombit, do të heshtë për katër vjet. Ka nisur heshtja e tij pikërisht në vitin jubilar të 80 -vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazistë, fashistë e kolaboracionistë. Gjetje shumë e spikatur antikombëtare! Pra këtë vit asnjë dhe askush nuk do të shohë as antikitetin, as etnografinë e as qoftë ato pak relikte të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar që qenë ekspozuar atje. Që të jemi realistë, atij Muzeu, aq madhështor nga emri, prej mëse 30 vitesh, i qe hequr zëri për të njohur e për të folur, për vitet 1939-1990. Siç shkruante një intelektual para ca kohësh, ishte kthyer në ndërtesë pa zë, sepse mohonte një periudhë të lavdishme pesë vjeçare të historisë plot luftë të këtij kombi dhe më pas mohonte një gjysmë shekulli kohë të ndërtimit socialist të Shqipërisë. Sikur në këto vite të mos kish fare histori ky popull e ky komb! Sikur të qe mbuluar me dhé e me harresë! Nuk harrohet edhe fakti që për thuajse katër vjet fasada e asaj godine ‘komuniste’ ku është kompozuar basoreliefi më madhor prezantues dhe historifolës i Shqipërisë, qëndroi në “riparim sepse kishte defekte”!? Por  në realitet, ishte vendimi i qeverisë së Sali Berishës nr.554 datë 15.11.1993, dhe duhej hequr Ylli nga Shqiponja e Flamurit Kombëtar dhe nga kapelja e partizanit. Ishte simboli i partizanëve tanë trima, si mund të rrinte aty e të përfaqësonte Shqipërinë?! Por duhej hequr edhe libri i kuq, në duar të një punëtori, përfaqësues i klasës punëtore, libër që simbolizonte historinë e Partisë së Punës së Shqipërisë! Edhe pse me këto “heqje” e ristrukturime, përsëri, bazoreliefi qëndroi dhe u pranua nga shikuesit e sotshëm, sepse nuk e njohin të kaluarën që po iu fshihet. U pranua, ndonëse me debate e kundërshtime, edhe nga ne që e kemi jetuar periudhën e lavdishme, sinqerisht të lavdishme të egzistencës së klasës punëtore shqiptare dhe partisë së saj të vetme në udhëheqje, për gjatë 45 vjetëve të pushtetit popullor. Por ja që paska edhe më keq! Të mbyllet fare Muzeumi! Pale, të shohim nëse do ta hapin prapë apo jo! Se ka shumë mundësi që ta heqin fare si objekt, si funksion apo edhe si emërtim. Tani tek ne mund të ndodhë gjithçka e pabesueshme. Në këto ditë të zeza të demokracisë (lexo: qeverisje antishqiptare që po e tjetërsojnë armiqësisht historinë tonë) do të kemi përse të flasim përsëri. Nëse do të ketë atë emër apo do të ndryshohet ashtu siç po ndodh edhe me objekte të tjera të shumta të  këtij trualli, prapë do të kemi mundësi të gëzohemi apo hidhërohemi. E këto lloj prapësirash ndodhin në kohën e qeverisjes “dinjitoze” të Edi Ramës. Parrulla ultramoderne e antidialektike “Vetëm Përpara” e Partisë demek Socialiste lë të kuptohet ashiqare se nuk ka seç na duhet e kaluara! Përse duhet të merremi me folklorizma siç janë lufta për çlirim kombëtar, lufta për të ndërtuar një shoqëri të re ku synohej barazi, vëllazëri dhe liri!? Sipas shtypit të këtyre ditëve del, e shqetësuar shumë, ish-ministrja  e kulturës, E.Margariti, paskësh thënë se ‘janë tërmeti i vitit 2019 dhe Covid-19 që na detyrojnë të nisim konsultimet me Europën për të bërë një riparim dhe rikonceptim të këtij muzeu’! E kush i ha këto dokrra? Kush mund t’i besojë këto gënjeshtra e fjali boshe? Që të jemi realistë: edhe muzeu, natyrshëm do t’i nënshtrohet ndryshimit, pasurimit, lëvizjes, zhvillimit , por jo tjetërsimit. Këtu del haptazi se qeveria jonë është kthyer në një shërbetore e zellshme e zbatimit të strategjisë së sulmeve të ideologjisë dhe politikës imperialiste për të shfarosur çdo lloj gjurme të komunizmit në Shqipërinë që tashmë e kanë bazën e tyre ushtarake, politike dhe madje partner e aleat të  shkëlqyer në Europë! Bazë nga ku mund të sulmojnë edhe Rusinë edhe të frikësojnë tërë ata që hedhin hizgla! Të bën përshtypje enigma që fshihet prapa një investitori japonez për ristrukturim e rikonceptim!? Sa për afatin katër vjet- kjo nuk do as mend as kalem, që është një gënjeshtër me bisht! Nuk ka përse të zgjatë aq shumë, edhe po të bëhej krejt i ri e jo më ristrukturimi; ndaj duket se lepuri fle gjetkë!

Kësisoj duket haptazi se kemi të bëjmë me një qeverisje antikombëtare, që me metodën e ecjes “Vetëm përpara”, me marifetin e thjeshtë ‘korr e mos lidh, gënje, premto, mashtro e zbato urdhrat e padronit përtej oqeanit”, po e çkombëtarizon anekënd atë që na kanë lënë të parët tanë, Shqipërinë, begatinë e saj materiale dhe shpirtërore, kulturën dhe arsimin, gjuhën dhe territorin. Sa do të durojmë akoma këtë gjendje?