Vdekja e këngëtarit Giorgos Mazonakis/ Tre gabimet fatale, mjeku ngre pikëpyetje për plazmaferezën: Elementët bazë mungonin në klinikë

Vdekja e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis gjatë një procedure plazmafereze ka marrë vëmendje edhe jashtë Greqisë, ndërsa rasti ka hapur diskutime mbi sigurinë e kësaj procedure dhe kushtet në të cilat ajo kryhet.

Dr. Allen P. Green, patolog klinik dhe drejtor i asociuar mjekësor në një qendër afereze në Kaliforni, i cili thotë se ka kryer më shumë se 500 procedura të heqjes së plazmës, ka reaguar për rastin në një artikull të publikuar në faqen e tij. Sipas tij, pas vdekjes së Mazonakis, pacientë dhe mjekë e kanë pyetur nëse procedura e plazmaferezës paraqet rrezik për jetën.

Sigal

Duke iu referuar konkretisht klinikës private në Kolonaki ku ndodhi ngjarja, Green thekson se, nëse informacionet e raportuara konfirmohen nga hetimet dhe gjykatat, bëhet fjalë për mungesa që ai i konsideron thelbësore për një program të sigurt afereze.

Sipas mjekut amerikan, tre elementët kryesorë janë personeli i trajnuar posaçërisht për procedurën, pajisjet funksionale për përballimin e emergjencave dhe kriteret e qarta për ndërprerjen e menjëhershme të trajtimit.

Green bën gjithashtu një dallim mes procedurave të ndryshme që shpesh përmenden me termin e përgjithshëm “plazmaferezë”. Ai shpjegon se sistemi INUSpheresis, i përdorur në rastin e Mazonakis, është një formë e plazmaferezës me filtrim të dyfishtë, ku plazma ndahet nga qelizat e gjakut, kalon përmes një filtri të dytë dhe më pas i rikthehet pacientit.