Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bajram Begaj, mesazh deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e çeljes së sesionit të ri parlamentar

Presidentit i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, i drejtoi sot një mesazh deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë me rastin e çeljes së sesionit të ri parlamentar.

Në fokus të mesazhit të tij është apeli për vijueshmërinë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimin më 11 maj të një procesi zgjedhor të drejtë e të sigurt dhe sipas standardeve të OSBE-ODIHR-it, rritjen e cilësisë së demokracisë, stabilitetin ekonomik e politik, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Presidenti i Republikës e konsideron të pazëvendësueshëm rolin e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa u bën thirrje deputetëve të nisin një periudhë të re bashkëpunimi e dialogu në shërbim të shqiptarëve në vend, në Diasporë dhe në rajon.

NOA

Më poshtë, mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

“Me fillimin e një viti të ri dhe rinisjen e punimeve të Kuvendit, uroj të nisë një periudhë e re bashkëpunimi e dialogu në shërbim të shqiptarëve në vend, në Diasporë dhe në rajon.

Shqipëria ka hedhur tashmë hapa vendimtarë drejt integrimit evropian. Viti që lamë pas shënoi një moment historik për rrugëtimin e saj: çeljen e negociatave teknike me Bashkimin Evropian.

Ky hap i rëndësishëm në procesin e integrimit është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme për përparim dhe reforma, të cilat jo vetëm kanë marrë shumë energji dhe përkushtim, por edhe kanë dhënë më shumë forcë, besim, optimizëm e frymëzim.

Në çdo hap që kemi hedhur, çelësi i suksesit ka qenë i qartë. Ai qëndron te dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirja.

Kuvendi i Shqipërisë ka rol të rëndësishëm për realizimin e këtij objektivi madhor.

Ai duhet të kontribuojë në thellimin e reformave që përafrojnë legjislacionin tonë me acquis communautaire.

Roli i Kuvendit është i pazëvendësueshëm edhe për përmirësimin e cilësisë së drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, për mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik e territorial në respekt të burimeve natyrore të vendit, për kujdesin shëndetësor, për forcimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në të gjitha nivelet, si dhe për përshtatjen me risitë teknologjike e inovacionin.