Presidenca Gjermane/Gjosha: Qeveria të dalë me një plan konkret për kushtet e Bundestagut

289
Sigal

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, përmes një deklarate për shtyp nga selia e LSI-së, uroi Gjermaninë për marrjen e Presidencës së BE-së. Teksa e quan një ngjarje të rëndësishme edhe për Shqipërinë, Gjosha rikujtoi kushtet e Bundestagut në lidhje me Integrimin e Shqipërisë.

Nga selia e LSI-së, ish-deputetja i bëri thirrje qeverisë që të dalë sa më parë me një plan konkret për plotësimin e kushteve, të cilat duhet të kenë një afat kohor sa më të afërt.

”Kënga e kushteve nuk është e opozitës, por është këngë e kompozuar nga papërgjegjshmëria, nga keqqeverisja, arroganca dhe mohimi i realitetit që i bën qeveria pikërisht kushteve të vendosura nga vetë BE. Perspektiva evropiane e Shqipërisë për ne është e panegociueshme dhe do të mbetet një prioritet deri në anëtarësimin e plotë të vendit”.

Perspektiva evropiane e Shqipërisë për LSI-në shtoi ajo, ”është e panegociueshme dhe do të mbetet një prioritet deri në anëtarësimin e plotë të vendit”.

Deklarata e plotë

Sot Gjermania ka marrë presidencën e BE dhe kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për muajt e ardhshëm të vetë BE-së, si për daljen nga kriza, nga pandemia, nga recesioni ekonomik ashtu edhe për perspektivën evropiane e vendeve të Ballkanit perëndimor.

Lëvizja Socialiste për Integrim i uron suksese presidencës gjermane dhe realisht besojmë në përballimin e sfidave të përbashkëta që kanë trazuar ujërat e botës ku ne jetojmë. Duke u ndalur te presidenca gjermane nuk mund të qëndroj pa tërhequr vëmendjen e kushteve të Bundestagut dhe rëndësinë e madhe që ato kanë për çeljen e negociatave të Shqipërisë.

Rikujtoj kushtet e domosdoshme deri në konferencën e parë, si ngritja e Gjykatës Kushtetuese, ngritja e Gjykatës së Lartë, përfundimin sa më parë të Reformës Zgjedhore, rishikimin e Legjislacionit të Medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, uljen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe ndërtimin e të dhënave dhe rezultateve konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Shqipëria ka gjithashtu mbi supe edhe disa kushte të tjera, të cilat duhet të realizohen sa më parë dhe që kanë të bëjnë me çështje thelbësore të funksionimit të demokracisë në vend dhe të shtetit të së drejtës. Implementimi i zgjedhjeve, ligjshmëria apo jo e votimeve të 30 qershorit, ndëshkimi i krimit zgjedhor, janë një sërë çështjesh që mbajnë sot pezull të ardhmen e vendit. Vendimi i fundit i Parlamentit Evropian për të vendosur 15 kushte para konferencës së parë, është një tregues i qartë i humbjes së durimit nga BE për shpërfilljen që i bën qeveria shqiptare prioriteteve kyçe dhe vlerave thelbësore të Bashkimit Evropian.

I bëj thirrje qeverisë shqiptare të dalë sa më parë në një plan konkret për plotësimin e kushteve, të cilat duhet të kenë një afat kohor sa më të afërt, sepse koha nuk pret. Kënga e kushteve nuk është e opozitës, por është këngë e kompozuar nga papërgjegjshmëria, nga keqqeverisja, arroganca dhe mohimi i realitetit që i bën qeveria pikërisht kushteve të vendosura nga vetë BE. Perspektiva evropiane e Shqipërisë për ne është e panegociueshme dhe do të mbetet një prioritet deri në anëtarësimin e plotë të vendit.