Pr/ligji për legalizimet, Gjermeni: Në skemë të përfshirë familjet në nevojë

444
Sigal


TIRANË- 
Ka nisur Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, ku sot po diskutohet projektligji për skemën e legalizimeve. Në mbledhjen e sotme të Komisionit, ka nisur raportimin ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni. Ministrja Gjermeni ka nisur raportimin duke thënë se “kemi ndryshuar skemën e pronave, po përfshijmë familjet në nevojë. Ky ligj legalizon ndërtimet pa leje’. Sipas ministres Gjermeni “me këtë projektligji qeveria po mban një prej premtimeve të fushatës për të kryer legalizimet falas”. Ajo ka pasqyruar situatën para qershorit, duke thënë se “Situata që gjetëm ishte katastrofike dhe e dominuar nga korrupsioni. Kishte leje në kundërshtim me ligjin”.

FJALA E MINISTRES NE KOMISIONIN E VEPRIMTARIVE PRODHUESE

Të nderuar Deputetë,

Jam sot përpara jush për të prezantuar ndyshimet në ligjin për legalizimet e ndërtimeve informale, që I japin fund një herë e përgjithmonë një prej fenomeneve më të mëdha sociale dhe ekonomike, që ka mbajtur peng për 20 vite radhazi qytetarin, pronën dhe zhvillimin e vendit.

Qeveria Rama ka mbajtur një nga premtimet e rëndësishme të fushatës për rilindjen e vendit, për nisjen dhe zgjidhjen përfundimtare të procesit të legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje ndër vite dhe regjistrimit të pasurive të qytetarëve shqiptarë të ngritur me aq mund e sakrifica.

Ne mbajtëm premtimin për ta kryer procesin e legalizimeve, falas.  Shteti nuk mund t’u kërkojë më para për pagesa e procedura rreth 270.000 familjeve që ka 8 vjet që i gënjen, ka 8 vjet që i sorrollat, ka 8 vjet që po i zhvat.

Ne po trokasim derë më derë tek qytetarët, jemi vënë në shërbim të tyre, për të rikthyer besimin e qytetarit tek institucionet e shtetit.

Dua të ndalem tek problematikat që gjetëm në këtë fushë dhe vecanërisht në Institucionin e ALUIZNIT, ku do të vecoja:

–         borxhet pa fund të krijuara nga vetë ALUIZNI,

–         situata kaotike instucionale e procesit të legalizimit,

–         praktika për dhënien e lejeve të legalizimit për shumë objekte në kundërshtim me ligjin,

–         korrupsionin që kishte krijuar procesi i legalizimit,

–         dëmin ekonomik të krijuar nga administrata e mëparshme e ALUIZNIT, evidentuar kjo dhe nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Situata e gjetur ishte katastrofike dhe ku dominonte kaosi administrativ, institucional dhe gëlonte korrupsioni.

Gjetëm mbi 160 mijë aplikime për leje legalizimi, por ALUIZNI nuk kishte marre mundimin të fillonte procedurat për verifikim të objekteve dhe jo më të mblidhte dokumentacionin e nevojshëm për të gjithë këto subjekte e të përfundonte procedurat për legalizimin e tyre.

Procesi i legalizimit kishte dështuar totalisht. Në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme janë bërë vetëm rreth 22 mijë legalizime nga rreth 293 mijë aplikime. Pra në këta 8 vite janë legalizuar vetëm 7.5% e aplikimeve.

Dua tju siguroj të ndëruar deputetë se problematikat e gjetura janë të shumta dhe nëse do ti rendisja të gjitha do t’ju merja më shumë kohë dhe se vetë procesi i legalizimit.

Shkurtimisht dëshiroj të rendis disa nga çështjet që trajtohen lidhur me ndryshimet dhe amendimet e paraqitura në ligjin nr.9482 datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

– Po bëjmë një reformë të plotë ligjore përmes një pakete që kemi përgatitur dhe me aktet nënligjore.

– Po ringremë nga themelet institucionin e legalizimeve, me njerëz, me ekipe të motivuara, me zyra, me ambiente e me insfrastrukturë ku qytetarit ti ofrohet shërbimi i duhur.

-Procedurat e legalizimit të shtëpive firma, vula, noteri, kontrata, doklumenta, çertifikata, matje, e lloj lloj faturash, do të jenë falas dhe në ngarkim të shtetit.

Dhe mbi të gjitha, shteti do garantojë që qytetari të mos paguajë atë, faturën më të madhe nga të gjitha, Faturën e sekserëve dhe gjobvënësve me të cilën janë përballur.

– Po ringjallim besimin e qytetarëve se shteti kësaj rradhe e ka seriozisht kur po ju thotë se do ta kryejmë reformën e legalizimeve. Ne po e bëjmë reformën e legalizimeve!

Ne po ofrojmë siguri dhe po garanojmë progres real përmes këtij procesi.

– Kemi ndryshuar tërësisht skemën e operimit, me qëllim që të çojmë shërbimin tek qytetari. Njerëzit tanë po zbresin derë më derë për të kryer procedurat.

– Kemi ndryshuar skemën e vlerësimit të trojeve, me qëllim që toka të mos ketë të njëjtin çmim si në Tiranë edhe në Kukës apo Gjirokastër  e Korçë.

– Po lidhim në një rrjet ALUIZNI me ZRPP dhe me AKKP me qëllim që përmes një portali të përbashkët, të shkurtojmë kohët e operimit.

– Po përfshijmë në skemën tonë të gjitha ato familje që janë në vështirësi ekonomike.

-Do ta mbyllim procesin e legalizimeve, dhe do t’u japim qytetarëve një document që i jep vlerë reale pronës së tyre, duke e kthyer në një capital të qarkullueshëm.

Ne do ta lidhim ngushtë procesin e legalizimeve me atë të urbanizimit të këtyre zonave, duke filluar disa zona tek të të cilat do të implementohen projekte  urbanizimi.

Ndryshimet në draftligjin e paraqitur konsistojnë në radhë të parë në rregullime të natyrës proceduriale për sa i përket ndërthurjes së dy proceseve:

-kalimi i të drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje,

-miratimi i shpërblimit financiar, për subjektet pronarë mbi sipërfaqet takuese që preken nga ky ndërtim.

Përfshirja në procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje të ngritura në territorin e Republikës së Shqipërisë, deri në datën e hyrjes në fuqi të ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht funksionit dhe faktit nëse për to është kryer vetëdeklarimi gjatë afatit të përcaktuar.

Kjo do të bëjë të mundur identifikimin e ndërtimeve pa leje, të ngritura pas përfundimit të afatit për legalizim dhe trajtimin në mënyrë përfundimtare, përmes procedurave administrativo-ligjore, duke minimizuar pasojat e krijuara nga ky fenomen.

– Gjetja e një mekanizmi eficient dhe përshpejtues përsa i takon legalizimit të ndërtimit pa leje, që kërkon kalimin e të drejtës së pronësisë nëpërmjet trajtimit të diferencuar për sa i përket vlerës dhe mënyrës së pagesës së parcelës ndërtimore, për kategori të ndryshme të ndërtimeve pa leje në varësi të funksionit të ndërtimit, çka lidhet me aftësinë shlyese, financiare të subjektit që posedon atë,

-Krijimi i lehtësirave financiare për subjektet që posedojnë ndërtime pa leje, me funksion banimi, duke i përjashtuar nga pagesa e tarifës së shërbimit për procedurat e legalizimit (evidentimi në terren i ndërtimeve pa leje, përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor) dhe kryerjen falas të këtij shërbimi. Pra procedurat e legalizimit të shtëpive do të jenë falas dhe në ngarkim të shtetit.

– Parashikimit të mënyrave alternative të pagesës siç është pagesa e pjesshme me bono privatizimi, nxitjes për shlyerjen e menjëhershme të detyrimit përmes reduktimit të vlerës dhe përfshirjes në skema alternative të pagesës së parcelës ndërtimore, të subjekteve që janë në kushtet e paaftësisë paguese dhe posedojnë ndërtime pa leje me funksion banimi.

– Trajtimin administrativ, përmes procedurave ligjore, të ndërtimeve pa leje të ngritura brenda kufirit të vijës turistike, aty ku ka studime urbanistike të miratuar; si dhe përcaktimin e kategorive të ndërtimeve pa leje.

– Rishikimin e masës së gjobës për subjektet ndërtues/investitorët që kanë kryer shtesa anësore a në lartësi, me qëllim nxitjen e interesit të tyre, për të ndjekur procedurat e legalizimit.

-Përcaktimin në ligj të mundësisë së regjistrimit të pasurisë së legalizuar me funksion banimi edhe në rast të mos shlyerjes së detyrimit plotësisht apo pjesërisht, për parcelën ndërtimore apo ndërtimin, brenda afatit të përcaktuar. Kjo do të realizohet duke vendosur hipotekë ligjore mbi pasurinë, në favor të ALUIZNI-t, deri në momentin e shlyerjes me këste të detyrimeve

– Trajtimin e një numri të madh ndërtimesh me leje, me shtesa informale, për të cilat shoqëritë ndërtuese dhe investitorët nuk janë përfshirë në procedurat e legalizimit apo dhe nëse janë përfshirë, kanë pësuar ndryshime të gjendjes ligjore sikurse është falimenti, që e kanë bërë të pamundur shlyerjen e detyrimeve financiare të procesit dhe vijimin e mëtejshëm të tij.

-Zgjidhjen e problemeve teknike të konstatuara gjatë procesit zbatues të ligjit nr.9482 datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar sikurse është bërë me shtimin i një dispozite të veçantë. Konkretisht, përmes kësaj dispozite synohet rregullimi në praktikë i përfshirjes në procesin e legalizimit, të të gjithë banorëve të shtesës anësore dhe shtesa kati, kur procedurat e aplikimit për legalizim janë kryer vetëm nga njëri subjekt.

Të nderuar deputetë,

Ne do ta mbyllim njëherë e mirë procesin e legalizimeve, si dhe do lidhim ngushtë procesin e legalizimeve me atë të urbanizimit të këtyre zonave.

Nga procesi I legalizimeve do të përfitojnë qytetarët shqiptarë, panvarësisht bindjeve të tyre politike, do të përfitojë e gjithë ekonomia e vendit, ndaj unë sot ju ftoj që të gjthë së bashku të votojmë ndryshimet ligjore të propozuara.

Ne do të votojmë duke I dhënë zgjidhje fatit të rreth 270 mijë familjeve dhe ndërtimeve informale në Republikën e Shqipërisë.

Ju faleminderit