Mungesës së ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore, po i shtohet edhe mungesa e personelit duke e futur në gjendje kome shëndetsinë shqiptare. Sikur të mos mjaftonte emigrimi i mjekëve dhe infermierëve, edhe veterinerët mungojnë ,pasi po mbyllen degët në universitete, bagëtitë po theren dhe nuk ka as çoban për t’iu shërbyer
Ka nisur të ndihet mungesa e mjekëve në vendin tonë, ku veçanërisht në rrethe ka mungesë të theksuar personeli. Pas viteve ku mediat, si dhe ‘Telegraf’ ka dhënë çdo ditë alamin, qeveria në vend të një strategjie të mirëmenduar, ka deklaruar se do të bllokojë diplomat e mjekëve, që të mos kenë mundësinë të shkojnë jashtë vendit, ku u cënua lëvizja e lirë si në kohën e komunizmit.
Infermierë e mjekë të sapo diplomuar po marrin rrugët e Europës për të gjetur një punë më të paguar dhe për të pasur një jetë që të ofron garanci dhe siguri për të ardhmen.
Gjermania është shteti që i ka marrë Shqipërisë më shumë studentë mjekësie, teksa tashmë ka nisur të ndihet mungesa e mjekëve në vendin tonë, ku veçanërisht në rrethe ka mungesë të theksuar personeli.
Kjo ka vënë në lëvizje qeverinë dhe kryeministrin e vendit, Edi Rama, i cili në vend të një strategjie të mirëmenduar, që do të bënte t’i mbante mjekët në vend, ka deklaruar se do të bllokojë diplomat e mjekëve, që të mos kenë mundësinë të shkojnë jashtë vendit, ku u cënuar lëvizja e lirë si në kohën e komunizmit.
Në lidhje me këtë kanë folur disa studentë të mjekësisë. Njëri prej tyre shprehet se nuk e ka marrë vendimin final nëse do ikë jashtë shtetit, por shprehet se jeta dhe puna në vendet jashtë është shumë më e mirë.
“Studioj për mjekësi të përgjithshme. Tek të rinjtë e sotëm shqiptarë iniciativa për të shkuar jashtë është shumë e madhe. Shkak është rritja e rrogave jashtë, apo mundësitë e tjera. Është shumë shpejt për të marrë një vendim se jam ende në vit të parë”,- u shpreh njëri nga studentët.
Gjithsesi, ka edhe nga ata që nuk janë bindur ende për t’u larguar jashtë vendit. Një nga studentët e Universitetit të Mjekësisë shprehet se do të largohej vetëm në rast të ndonjë specializimi. Ndërkohë, ai i jep të drejtë pedagogëve në protestën e tyre për pagat.
“Unë studioj për mjekësi, jam në vitin e dytë. Nëse largohem do të ishte për një specializim, por do të doja të punoja këtu. Për mjekësinë vendi ynë ka pasur nevojë. Marrja e diplomës është një vendim i studentit. Unë e mbështes protestën e pedagogëve se puna e tyre nuk përkon me pagën“,- tha ai.
Një studente nga ana tjetër e ka ndarë mendjen dhe do të tentojë të largohet jashtë vendit kur të mbarojë shkollën. Sakaq, ajo shprehet se kryeministri nuk mund t’i ndalojë të diplomohen. Ajo shprehet se kjo është e drejta e tyre.
“Normalisht mundësitë e punësimit, si gjithë të rinjtë preferoj të largohem për një jetë më të mirë. Ti mbaron një shkollë dhe nuk ke një mundësi punësimi. Nuk jam dakord me kryeministrin, është e drejta ime të diplomohem. Është i gabuar”, tha një tjetër studente e mjekësisë.
Shifrat e Eurostat, Shqipëria po plaket shumë më shpejt se Europa
Shqipëria është ende një nga popullsitë me moshë më të re në Europë, por po plaket me ritme shumë më të shpejta se shtetet e tjera. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat popullsia shqiptare e grupmoshës deri në 14 vjeç është “tkurrur” me 3.1% pikë përqindje, për periudhën 2014 -2021, duke kryesuar kështu listën e tridhjetë e shtatë vendeve për të cilat janë publikuar të dhënat (Kosova mungon).Nga 19.6% që ishte përqindja e popullsisë deri në 14 vjeç në vitin 2014, ka zbritur në 16.5% në fund të 2021-t.Për të njëjtën periudhë, ky tregues për vendet e Bashkimit Europian është reduktuar maksimalisht nga 0 në 1.8 pikë përqindje (shiko grafikun: Sa është reduktuar në pikë% grupmosha 0-14 vjeç, 2021/2014).
Ritme të larta të plakjes pas Shqipërisë kanë edhe Turqia dhe Islanda me nga 1.8 pikë përqindje secila, Irlanda me 1.5 pikë përqindje dhe Holanda me 1.4 pikë përqindje. Më e qëndrueshme duket plakja për vendet e tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut me 0.8 pikë përqindje dhe Mali i Zi me 0.7 pikë përqindje.
Shqipëria ende bën pjesë në grupin e vendeve me popullsi të re në moshë, me moshë mediane 38.2 vjeç, në fund të 2021-t, (nga 44 vjeç që është mesatarja e Europës) por ritmet e plakjes vitet e fundit janë më të shpejta nga sa ka ndodhur në vendet e tjera të Europës sidomos të BE-së. Mosha mediane, është kufiri që ndaj popullsinë në dy grupe të barabarta, dmth në Shqipëri gjysma e popullsisë është më e re se 38.2 vjeç. Në gjithë dekadën e fundit, popullsia e vendit u moshua me 5 vite, sipas të dhënave të tjera të INSTAT.
Por cilat janë disa nga shkaqet që kanë çuar vendin në këtë situatë?
Nga njëra anë gratë shqiptare po lindin më pak. Indeksi sintetik i fekonditetit ka shënuar rënie nga 1.73 në 2014-ën në 1,32 në vitin që lame pas. Në Europë, shkalla e lindshmërisë u vlerësua të ishte 1.49 lindje për grua për vitin 2022. Emigracioni i lartë i popullsisë së moshë riprodhuese dhe ndryshimi i stilit të jetesës janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë.
Faktori tjetër lidhet me emigracionin e familjeve që largohen me fëmijë të vegjël. Të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se rreth 30% e kërkesa për azil janë të grupmoshës deri në 14 vjeç.
Disa shtete si Gjermania, të cilat kanë filluar procesin e plakjes disa dekada më parë tashmë janë duke përjetuar rikuperim të popullsisë prej politikave që kanë rritur normat e lindshmërisë.
Si po përmbyset piramida e popullsisë?
Në vitin 2001, Shqipëria regjistronte rreth 30% të popullsisë totale në grupmoshën deri në 14 vjeç. E njëjta grup-moshë regjistrohet të jetë reduktuar në 19.57% në 2014 dhe 16.5% në 2021 referuar të dhënave të Institutit të Statistikave. Vitet më të këqija, ku ritmi i rigjenerimit ka qenë më i ulët rezultojnë të jenë ato mes periudhës 2006-2012. (shiko grafikun: pesha e grupmoshës 0-14 vjeç ndaj totalit të popullsisë.
Në të kundërt është rritur pesha e popullsisë së moshuar, 60-74 vjeç, që zinte 15.9% të totalit të popullsisë në 2021, nga 8.6% në vitin 2001. (shiko grafikun: Popullsia sipas grupmoshave, 2011 vs 2021)
Të rinjtë në vendet e Bashkimit Europian.
Shtetet Europiane kanë disa vite që e kanë kuptuar rëndësinë e një popullsie të re në moshë, ndaj kanë marrë masa për moslejimin e plakjes së popullatës, kryesisht përmes politikave të emigracionit të hapur, ose lehtësimit të proceduarave për të rinjtë e arsimuar.
Sipas Eurostat, të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç përbëjnë rreth 16.3% të popullsisë totale të BE-së. Ato përbënin më shumë se një të katërtën e popullsisë së përgjithshme në rajonin e kryeqytetit danez të Byen Kobenhavn , si dhe në qytetet studentore të Overig Groningen në Holandë dhe Heidelberg. Stadtkreis në Gjermani. Në mbi 46 rajone në të gjithë BE-në, të rinjtë përbëjnë të paktën një të pestën e popullsisë totale.
Duke parë të ardhmen dhe bazuar në parashikimet e Eurostat për popullsinë, të rinjtë do të përbëjnë 14,9% të popullsisë së BE-së deri në vitin 2050, ose 1,4 pikë përqindje më e ulët se në 2021, duke treguar shenja të plakjes progresive të Popullsia e BE-së.