Petrit Vasili: Nga taksat e djersës së qytetarëve do paguhen 51.6 mln. euro në gjyqet që shteti ka humbur në gjykatën ndërkombëtare

159
Sigal

Nënkryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale. “SKANDALI! 51.6 milion euro për Gjyqet e humbura në Strasburg në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut! Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka dhënë vendime ku shteti duhet të paguajë 51.6 milion euro për gjyqet ku individët i janë drejtuar kësaj gjykate për padrejtësitë e shtetit ndaj tyre. Avokati i Shtetit, Odise Moçka konfirmoi në Komisionin e Ligjeve këtë shifër kaq të lartë prej 51,6 milionë euro si dëmshpërblim për gjyqet e humbura në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Nga taksat e djersës dhe sakrificës së shqiptarëve do të paguhen miliona euro për shkak të padrejtësive arbitrare që shteti bën ndaj individëve. Pra nuk paguajnë personat me detyrë shtetërore që shkelin ligjin, por paguajnë qytetarët nga taksat e tyre dhe fajtorët mbeten pa ndëshkuar.” Në postimin e tij në rrjetet sociale Vasili bën thirrje që Prokuroria dhe SPAK të hetojnë me urgjencë. “Të hetohet për këtë krim financiar me pasojë miliarda lekë dhe të çojë fajtorët përpara drejtësisë.”

Moçka në videon e shkëputur nga nënkryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron: “Ju theksoj se janë 155 çështje që janë akoma në gjykim Në gjykatën Penale për të drejtat e njeriut janë dhënë në total 75 vendime me vlerë totale 51 milionë 599 mijë e 966 euro gjithsej ,prej të cilave 67 vendime janë ekzekutuar në vlerë 33 milionë 662 mijë 216 euro ndërkohë që edhe 8 vendime janë akoma në ekzekutim me një vlerë  17 milionë e 942 mijë e 900 euro. Kështu që, kjo është përgjigja e pyetjes.”