Qeveria shpërblen 20 krerë sindikatash e OJF me nga 1 milion lekë në muaj

127
Sigal

Hipokrizia/ Në vend që të fillojë hetimi për inventarizimin dhe tjetërsimin e pronave të sindikatave që kalojnë vlerat e 3 miliard USD, qeveria i shpërblen drejtuesit e tyre me paga mujore sa 10 pensione. Këta i duhen shtetit pasi shërbejnë si zjarrfiks të sindikalizmit por edhe si ombrell e qeverisë për raportet false që dërgojnë në KiE, duke fshehur abuzimet ndaj punonjësve

Ky komision drejtohet nga Ministresha e Shëndetësisë dhe ka në përbërje 7 zv/ministra e 6 komisione me nga 6 anëtarë, të cilët paguhen nga shteti, për gjoja hartimin e politikave të punësimit, por realisht shërben si “ombrellë” e çdo abuzimi ndaj punonjësve, me raporte false që i dërgohen Këshillit të Europës

 

Ndërkohë që duhet të ishte bërë inventarizimi i pronave të sindikatave, hetimet për tjetërsimin e tyre, vënia para ligjit nga SPAK të spekulantëve dhe matrapazëve nga kryesitë e sindikatave, të cilët janë kthyer në leva të partisë si në kohën e diktaturës,  ndodh krejt e kundërta. Vlera e pronave të sindikatave, me çmimin e tanishëm të tregut të Pasurive të Paluajtshme, është mbi 3 miliard euro, më shumë se tarifa e PPP-ve të qeverisë. Më 26 maj, qeveria ka miratuar një vendim si ‘qokë’ financiare për krerët e sindikatave, të OJF-ve të biznesit, disa zv/ministrave, bankave,  zyrave të Inspektoriatit të Punës, të cilët i ka “tufëzuar” në një amalgamë të quajtur “Këshilli Kombëtar i Punës”.

Është një strukturë fantazmë, më e madhe në numër e në buxhet se 4 Ministritë e Shtetit, por Bablokut i duhet, mbasi e përdor si “pastruese” të zullumeve, që bëhen nga qeveria në të drejtat sociale, ose që lejohen prej saj te bizneset e lidhura me shtetarët.

Me këtë vendim, kryeministri Edi Rama ka shfuqizuar vendimin e tij Nr.129, datë 7.3.2018 dhe ka përcaktuar, përbërjen e re të Këshillit Kombëtar të Punës, ku bie në sy dominimi i drejtuesve të qeverisë, OJF-ve të bizneseve dhe sindikatave që kanë vetëm kryetarë e sekretare.

Në Këshillin e Punës, do jenë drejtuesit e 10 sindikatave, konkretisht Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Sindikata e Minatorëve që komandon Gëzim Kalaja, sindikata e Kol Nikollës, sindikatat e arsimit, shëndetësisë, tekstileve, ndërtimit, bankave, artizanatit, ushqimit, miellrave.

Në krye të grupit të OJF-ve të bizneseve, që Rama ka caktuar në Këshillin Kombëtar të Punës, është Luan Bregasi me shoqatën “Biznes Albania”, ndërsa pas tij janë këto shoqata: E bankave, e ndërtuesve, e turizmit, e sigurimeve, e agro- biznesit, e industrialistëve, e veshje-këpucëve, prodhuesve, e artizanatit, e bukë-pastiçerive, dhe eksportuesve.

Në krye të këtij këshilli, do jenë: Ogerta Manastirliu në rolin e kryetares dhe nënkryetar 1 zv/ministër i Shëndetësisë, ndërsa anëtarë drejtues, do jenë 6 zv/ministra të Energjisë, Financave, Drejtësisë, Arsimit, Sipërmarrjes e Turizmit dhe 2 përfaqësues nga Inspektoriati i Punës.

Por nuk mbaron me kaq, mbasi në Këshillin Kombëtar të Punës, do ketë dhe 6 komisione të përhershme me nga 6 anëtarë secili, ku emrat do t’i propozojnë krerët e OJF-ve, të sindikatave e ministritë përkatëse, ndërsa miratimin do ta bëjë ministresha Ogerta Manastirliu.

Sipas informacionit konfidencial nga Ministria e Ekonomi-Financave, që është propozuese e këtij vendimi, numri total në këtë këshilli do jetë 70 persona.

Këta do paguhen çdo muaj, me nga 50 mijë lekë të reja për 36 komisionerët e sektorëve, dhe 100 mijë lekë të reja për 42 anëtarët përfaqësues të sindikatave, shoqatave e ministrive.

Këshilli Kombëtar i Punës është “kukull” në dorë të qeverisë, dhe shërben si “ombrellë” e çdo abuzimi, që bëjnë qeveria e bizneset ndaj punonjësve të mbetur në Shqipëri, duke hartuar raporte false që i dërgohen Këshillit të Europës.