INTERVISTA/ Edmond Spaho: Futja në skemën e TVSH të bizneseve të vogla është veprim klientelist

475
Jakup B. GJOÇA

Nënkryetari i PD-së deputeti Edmond Spaho në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se, qëllimi i vetëm i futjes në skemën e TVSH të 20.000 bizneseve është riaktivizimi i projektit për dhënien e saj me koncesion. Për biznesin e vogël, pohon zoti Spaho, TVSH-ja do të rritë koston, për pasojë, do të rritet edhe çmimi i produkteve në dëm të konsumatorit. Zoti Spaho thotë se edhe FMN-ja e ka kundërshtuar këtë politikë, ndërsa ministri Ahmetaj thotë të pavërteta. 

– Zoti Spaho, nga 1 prilli do të nisë zbatimi i disa taksave të reja (TVSH për biznesin e vogël dhe taksa e banesës). Cili do të jetë efekti i këtyre taksave?
– Janë masa në linjë me politikën disavjeçare të kësaj maxhorancë për rritjen e barrës fiskale. Taksa e banesës do rëndojë të gjithë qytetarët, duke dyfishuar pagesën mujore për banesat e tyre. Flitet gjoja për reformim të skemës, por qëllimi është të mbledhë më shumë para në buxhetin e shpuar të shtetit për të paguar koncesionet. Kjo taksë ka nivelin më të ulët të mbledhjes dhe në vend të përqendrohen në përmirësimin e administrimit vendosin rritjen e taksës. Të rregulltit që shlyejnë detyrimet do vazhdojnë të paguajnë më shumë, kurse shkelësit e ligjit do vazhdojnë të pa shqetësuar në rrugën e tyre. Futja në skemën e TVSH të rreth 20 mijë bizneseve të vogla është një veprim klientelist që synon riaktivizimin e projektit për dhënien e saj me koncesion. Ajo do shoqërohet me rritje të kostove për këto biznese, për rrjedhojë edhe me rritje të çmimeve për kategori të caktuara të mallrave dhe shërbimeve. Kjo masë është kundërshtuar nga të gjithë shoqatat e biznesit dhe FMN-ja, sepse nuk sjell rritje të të ardhurave dhe kufizim të evazionit, përkundrazi përkeqëson klimën ndaj biznesit, sidomos atij të vogël.
– A do të rritet çmimi te konsumatori me skemën e re të TVSH?
– Për gjithë atë kategori mallrash, të cilët tregtarët e vegjël i tregtojnë pa TVSH çmimet do të rriten në masë të ndryshme, duke rënduar bizneset dhe buxhetet familjare. Nëse nuk do të rrisin çmimet për këtë kategori mallrash dhe shërbimesh ata rrezikojnë falimentimin.

– A ulet fitimi i biznesit?
– Duke futur në skemën me TVSH bizneset e vogla do të duhet të mbajnë dokumentacion të caktuar dhe bilance financiare. Kjo do kërkojë shërbim të specializuar financiar, që do të thotë kosto shtesë, e cila përballohet, ose me rritje çmimesh, ose me ulje të fitimit.

– Sa pritet të rëndohen buxhetet familjare nga këto masa të qeverisë?
– E gjithë rritja e çmimeve në fund do të përfundojë tek konsumatori final, që janë qytetarët.

– Ministri Ahmetaj pohoi dje, se FMN ka në fokus biznesin e madh. Cila është e vërteta?
– Ministri Ahmetaj flet vetëm të pavërteta. Edhe në vizitën e fundit para pak ditësh FMN-ja rishprehu qëndrimin kundër dhe ndaj kësaj mase të ndërmarrë nga qeveria, si dhe paralajmëroi se do i kundërvihet çdo përpjekje të qeverisë për të riaktivizuar projektin e dhënies së TVSH me koncesion.

– Debati është ndezur edhe për taksën e Rrugës së Kombit. A duhet taksuar një rrugë e ndërtuar nga buxheti?
– Vendosja e kësaj takse është e gabuar politikisht, pasi Rruga e Kombit synon të zhdukë ndarjen historike midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Ekonomikisht do kufizojë shkëmbimet me Kosovën. Ne flasim shumë për të krijuar një treg të unifikuar, por në fakt bëjmë të kundërtën, duke shtuar barrierat. Është kjo arsyeja, që volumi i shkëmbimeve tregtare të Kosovës me Serbinë është disa herë më i madh se me Shqipërinë. Taksa në fjalë do ndikojë shumë negativisht për rrethet e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, pasi janë zonat më të varfra të vendit dhe me mijëra familje jetojnë me ndihmë ekonomike. Si do e përballojnë ata taksën e rrugës?

– Shqiptarët paguajnë, ndërkohë edhe taksën e qarkullimit. Mund të ekzistojnë të dyja taksat? 
– Jo vetëm paguajnë, por paguajnë më shumë se çdo vend në rajon. 120 milionë euro në vit mblidhen nëpërmjet çmimit të karburanteve dhe ato duhen përdorur vetëm për mirëmbajtjen e rrugëve. Në të vërtetë qeveria përdor vetëm 22 milionë euro në vit për mirëmbajtjen e rrugëve. Natyrshëm lind pyetja, se përse u dashka të paguajmë 5 euro të tjera për çdo udhëtim, kur ne paguajmë një herë dhe paguajmë shumë. Apo duhet të paguajmë që kryeministri të vazhdojë të japë koncesione, nëpërmjet të cilave plaçkit qytetarët e vet për interesa personale dhe të kastës që ka rrotull. Kjo masë merret në kushtet, kur nuk ka rrjet sekondar rrugor për të udhëtuar ata, të cilët nuk kanë mundësi ekonomike për të paguar taksën.
– Faleminderit!
Sigal