Panajot Zoto: Deputetët shqiptarë, ligjvënës apo punëdhënës?

635
Sigal

Po e nisim me një fakt: Th. K , i emëruar një vit e ca më parë në detyrën e nënkryetarit të bashkisë Finiq, sot është i papunë.

Është larguar (shkarkuar) nga posti që mbante në fundvitin 2016, për arsye të paqarta, siç thotë ai. “Nuk e di, por duket si lojë deputetësh”-thotë. Vetëm kaq. Ai është një intelektual i njohur nga radhët e minoritetit grek,. i anëtarësuar në PS, me karrierë në këtë parti dhe pa “ njolla në biografi”. Nuk pranon të flasë për arsyet e vërteta të shkarkimit të tij, por siç flitet ka qenë deputeti i zonës që ka insistuar . Pyetja që është bërë gjithnjë dhe ka mbetur pa përgjigje është: Ç’punë kanë deputetët me emërime, shkarkime e punësime? Dikush mund të thotë, se kështu është vepruar gjithmonë. Kur PD ishte në pushtet, deputetët e kësaj force politike bënin “shefin e kuadrit”, deri në emërimin e pastrueseve nëpër institucione…Partia socialiste, para ardhjes në pushtet e ka kritikuar këtë praktikë. Gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2013 kandidatët për deputet dhe vet kryetari i partisë, zoti Rama, në takimet elektorale, kanë premtuar se nuk do sillen si PD në çështjet e punësimit dhe se do ndërtojnë një administratë apartiake….Por… Duket se ka rezultuar një premtim i pa mbajtur. Diku me hapur dhe,diku në forma të tërthorta, deputetet janë bërë pjesë e të njëjtës skemë. Më hapur në Sarandë,ku ish deputeti Kokëdhima ,ka bërë emërime e shkarkime dhe pat kthyer zyrën e sekretarëve të tij në zyrë punësimi. Por dhe pas tij vijon kjo “ e drejte” prej deputetëve pasues, dhe kjo lë pas një shije paksa të hidhur.. Zyrat e punësimit janë. Po ashtu edhe institucionet që merren me emërime të drejtuesve, specialistëve dhe punonjësve të administratës në nivele të ndryshme.. Por hija e deputetit mbetet. Qytetarët u drejtohen atyre . Deputeti perceptohet nga qytetarët si personi që mund dhe duhet të zgjidh problemin e punësimit për ta. Dhe ndodh që prindërit dhe vet të rinjtë e papunë, që zotërojnë një çfarëdolloj diplome ta presin me ditë deputetin për t’i kërkuar (ata janë në të drejtën e tyre) një vend pune. Dhe pas çdo takimi deputeti mban shënim, duke premtuar: “ do ta shohim kërkesën tënde…”. Në këtë mënyrë zgjidhen nevojat e punësimit për ca që më pas brohorasin për deputetin dhe falënderojnë partinë. Të tjerët? Natyrisht zhgënjehen dhe flasin keq. Dhe kjo është e keqja. Ja pse kjo praktikë duhet braktisur. Ja pse PS duhet të shmanget nga një qasje e tillë që nuk ka asnjë lidhje me statusin e deputetit. Parlamenti shqiptar ka 140 deputetë,por “aksesin” për të bërë “zyrën e punës”, duket se e kanë deputetët e çdo maxhorance qeverisëse. Këtë ka treguar praktika e derisotme, e cila, duhet thënë, se nuk i shtonë vota forcës politike. Në se partia demokratike mori shuplakën e fortë në zgjedhjet e kaluara, një arsye ishte dhe imazhi i keq që prodhuan deputetët “drejtues” të saj në zona, të identifikuar nga qytetarët me “sekretarët e parë” të dikurshëm.,pa firmën e të cilëve nuk mund të punësoheshe në administratë etj. Zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti mund dhe duhet të sjellin një produkt ndryshe nga zgjedhjet e derisotme. Partia socialiste, që sërish do të jetë fituese ( e kam bindje këtë) do tregoj me fakte se mbetet një parti novatore (dhe jo e vjetruar siç thotë Blushi) në program dhe vijimësinë e reformave. Veç, në se ligji për dekriminalizimin do shmang futjen në parlament të elementeve me indicje kriminale, etj, partia socialiste nuk ka pse i trembet,apo shmanget,kërkesës për më shumë transparence në përzgjedhjen e trupës së kandidatëve. Listat e hapura nuk ka pse mbeten si obsion i pamundur, as si një dele e zeze ,që ,siç thuhet nga gojët e liga, trembka krye socialistin Rama. Mbi gjithçka partisë socialiste i duhet të shmanget nga praktika e derisotme e përfshirjes së deputeteve në çështje që nuk kanë të bëjnë me detyrat funksionale të tyre si ligjvënës. Në se vërtet duam një administratë cilësore dhe në shërbim të qytetareve, drejtues dhe administratorë që ti shërbejnë qytetareve dhe ligjit, le ti besohet kjo realisht institucioneve ta bëjnë te tillë. PS, jo me deklarata por me një angazhim statusor të përcaktuar të kërkoj zbatimin korrekt të rolit dhe statusit të deputetit.