Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, vetëm pak orë pasi mori detyrën premtoi një luftë sistematike kundër trafikimit të lëndëve narkotike në vend. Një ditë pasi mori detyrën në krye të Ministrisë së Brendshme, Balla bëri reagimin e tij ndaj veprimit më të fundit të bluve të Elbasanit që ndërmorën një operacion të koduar si “Rrjeti”, që deri më tani ka çuar pas hekurave 54 persona.“Beteja kundër prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike do të intensifikohet duke kaluar në një luftë sistematike në të gjithë territorin e vendit dhe pikat e kontrollit kufitar. Përgëzime Drejtorisë së Policisë dhe Prokurorisë Elbasan për operacionin e koduar ‘Rrjeti’. Pres më shumë goditje si kjo” – tha Taulant Balla. Kultivimi i kanabisit prej disa vitesh është shqetësim i vazhdueshëm me të cilin haset shoqëria dhe autoritetet ligjzbatuese. Thuajse janë të përditshme aksionet e konstatimit dhe ndalimit të kultivimit të tij në shumë zona në Shqipëri.






















