Një lajthitje hileqare në fjalën e fundit të Edi Ramës për investigimin e RAI3

110
Sigal

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e konsideroi punën e gazetarëve të RAITRE pa asnjë vlerë juridike dhe pa asnjë bazë faktike, përkundrejt skandaleve që u raportuan në materialin e REPORT. Sipas Ramës, puna e gazetarëve italianë i ngjante një dosjeje të Sigurimit të shtetit, e ndërtuar mbi thashetheme dhe deklarata të paverifikuara.

Rama mohoi dëshminë e Arben Ahmetajt, si “person i shpallur në kërkim ndërkombëtar”, sulmoi Sali Berishën për “arrestin e shtëpisë nga SPAK” dhe përgënjeshtroi Fatos Lubonjën si një “veteran në gjysëm të vërtetat kundër tij”. Vetë u mburr se i doli përballë pyetjeve të gazetarëve italianë dhe nuk iu fsheh ballafaqimit në një intervistë, që e transmetoi të pacensuruar.

Gjithsesi në reagimin e Ramës, që mund ta lexoni të plotë më poshtë, ka edhe një hile, një truk, një manipulim që e përshkron kudo nëpër rreshta fjalën e tij. Ndërsa flet për materialin e REPORT, Rama tenton të ngacmojë qytetarët shqiptarë në komplekset e inferioritetit përballë të huajve, pasi akuzat për korrupsion që i vishen atij dhe qeverisë së tij, i kalon si “baltë” të hedhur drejt flamurit, kombit dhe çdo shqiptari.

Nëpër rreshta, Rama përmend “baltën e pamerituar për Shqipërinë“, duke vazhduar se ata “janë mësuar ta na shohin e ta trajtojnë Shqipërinë si vend të botes së tretë, nuk na e falin dot suksesin, çlirimin nga hijet e të shkuarës, kokën e ngritur lart”.

Ky njehsim që Rama i bën qeverisë së tij të korruptuar me flamurin dhe Shqipërinë ka dy shpjegime.

I pari, që nuk duhet përjashtuar, është se Rama ka kaluar në delir. Ai tani e identifikon veten me Shqipërinë. Ky nuk do të ishte hera e parë që një autokrat hyn në këtë fazë (a)logjike. Rama po bën 24 vjet që mban një post shtetëror. Rrethi i servilëve dikur e krahasonte me Ismail Qemalin, ndërsa në mandatin e tretë, e krahasojnë me Skënderbeun.

Shpjegimi i dytë e përjashton delirin, por bazohet tek manipulimi. Duke provokuar ndjenjën e racizmit, që shumë shqiptarë e kanë ndjerë në kurriz në vitet e emigracionit, Rama tenton ta zhbëjë imazhin e të korruptuarit dhe të bashkëpuntorit me krimin dhe të shpëtojë nga përgjegjësia për skandalet e qeverisë së tij.

Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Gazetari italian Xhorxhio Motola e theksoi disa herë në intervistën me Ramën, se nuk kishte asgjë me shqiptarët.

Grupi i xhirimit të RAITRE nuk erdhi në Shqipëri për të hedhur baltë ndaj kombit shqiptar, por për të raportuar skandalet e qeverisë së Ramës. Në emision nuk u përmend asnjëherë flamuri shqiptar, nuk u përmend asnjëherë kombi shqiptar, apo nuk pati asgjë për historinë e Shqipërisë. Emisioni pati në qendër të vëmëndjes invstigimin e korrupsionit dhe lidhjet e krimit me njerëzit pranë Edi Ramës. Por ky dallim, zhduket me qëllim në reagimin e Ramës.