Administrata Trump ndalon regjistrimin e studentëve të huaj në Universitetin e Harvard-it

55
Sigal

Administrata Trump ka ndaluar përkohësisht regjistrimin e studentëve të huaj në Universitetin e Harvard-it, raportoi “New York Times” të enjten. Vendimi vjen në kuadër të një hetimi nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare ndaj institucionit të njohur akademik.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, i ka dërguar një letër zyrtare universitetit, ku njofton për pezullimin dhe kërkon që Harvard të dorëzojë informacionin e kërkuar brenda 72 orëve nëse dëshiron të rikthejë certifikimin për programin Student and Exchange Visitor (SEVP) përpara vitit të ri akademik.

Në një postim në rrjetin social X, Noem shkroi: “Kjo administratë e konsideron Harvard-in përgjegjës për nxitjen e dhunës, antisemitizmit dhe bashkëpunimit me Partinë Komuniste Kineze brenda kampusit.” Ajo shtoi se regjistrimi i studentëve të huaj është “një privilegj, jo një e drejtë” dhe kritikoi faktin që tarifat e larta të studentëve të huaj “ndihmojnë në shtimin e fondeve miliarda dollarëshe të këtij universiteti”.

Ky vendim pritet të ndikojë drejtpërdrejt te studentët aktualë ndërkombëtarë të Harvard-it, të cilët do të detyrohen të transferohen në universitete të tjera ose do të humbasin statusin e tyre ligjor, sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Universiteti i Harvard-it e ka quajtur këtë lëvizje një hakmarrje që mund të shkaktojë pasoja të rënda:

“Veprimi i qeverisë është i paligjshëm. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur mundësinë e Harvard-it për të pritur studentë dhe studiues ndërkombëtarë nga mbi 140 vende të botës, të cilët pasurojnë universitetin dhe këtë komb, në mënyrë të jashtëzakonshme,” thuhet në deklaratën e universitetit.

Në muajin prill, presidenti Trump e konsideroi Harvard-in si “të padenjë” dhe kishte kërkuar që universitetit t’i hiqeshin kontratat kërkimore me qeverinë, pasi nuk kishte pranuar mbikëqyrje të jashtme politike.

“Harvard nuk mund të konsiderohet më as si një institucion i denjë për arsimin dhe nuk duhet të jetë në asnjë listë të universiteteve të mëdha botërore,” shkroi ai në platformën e tij Truth Social.

Trump kishte paralajmëruar që në prill ndalimin e studentëve të huaj nëse Harvard nuk i përmbushtë kërkesat e tij.