Nishani-Nikoliç:T’i lëmë qëndrimet për Kosovën, bashkë për integrimin

492
Sigal

Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimit të Kryetarëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po zhvillohet në Kroaci, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot paradite një takim me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç.

Gjatë takimit u ra dakord për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushat e arsimit, kulturës, ekonomisë. Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se pavarësisht qëndrimeve diametralisht të kundërta që ndajmë lidhur me çështjen e Kosovës, realiteti dikton një bashkëpunim të fokusuar rajonal, mbi objektivin kryesor të integrimit evropian. Nën këtë frymë po zhvillohet dhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel dhe Presidenti Nishani nënvizoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton dhe asistencën e Sh. B. A.-ve është shumë i rëndësishëm për të dy vendet, edhe për proceset e tyre respektive të integrimit.

Presidenti Nishani shprehu solidarizimin ndaj Serbisë për përmbytjet që sollën pasoja shumë të rënda për vendin, duke shpresuar që Konferenca e donatorëve që do të mblidhet së afërmi në Vjenë të rezultojë e suksesshme.