Qeveria Rama blen sërish vakina “Pfizer”, me kontratë sekrete

346
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ndërkohë që vala e infeksionit është në minimum dhe mjaft vende të Evropës po dhurojnë për shtetet e rajonit tonë dhjetëra mijëra vaksina, qeveria shqiptare ka blerë një tjetër sasi vaksinash nga kompania ‘Pfizer’, në sekret të plotë të kushteve dhe çmimeve. Nëpërmjet një vendimi që është marrë ditën e mërkurë (16 Qershor) nga qeveria dhe të firmosur në emër të Edi Ramës si zakonisht nga Erion Braçe, njoftohet vetëm për blerje të reja nga kompania në fjalë, por pa dhënë asnjë detaj tjetër. “Efektet financiare, që rrjedhin nga marrëveshja, bashkëlidhur këtij akti normativ, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2021”,- shkruhet në këtë vendim.

Ndërkohë nuk thuhet asnjë gjë, për çmimin, sasinë, apo kohën se kur do vijnë në Shqipëri këto vaksina. “Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet ‘Pfizer Overseas LLC’ dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga ‘Pfizer Overseas LLC’, nuk do të publikohet në asnjë Website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare. Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj”,- thuhet në këtë vendim të dyshimtë, sepse nuk është aspak transparent.

Ashtu siç ka ndodhur edhe më herët me këtë kompani apo blerjet në Turqi, qeveria e justifikon mos dhënien e informacionit me argumentin e sekretit tregtar. Kostoja për blerjen e kësaj sasie të re të vaksinave do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021. Mbi 936 mijë doza vaksinash kundër COVID-19 kanë mbërritur deri tani në Shqipëri.