Hajdutët “zbarkojnë” nëpër plazhe

318
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Me nisjen e sezonit veror, me dhjetra hajdutë janë turrur drejt plazheve, ku si objektiv të tyre kanë hotelet luksoze dhe shtëpitë e banimit sezonale, duke shkaktuar kështu panik te pushuesit shqiptarë, por dhe tek turistët që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga Evropa. Këta hajdutë “punojnë” çdo vit në të gjitha plazhet e Shqipërisë, nga Velipoja, e deri në Ksamil. Edhe pse, këta “xhepistë” arrestohen vazhdimisht, ata sërish janë të gatshëm t’i rikthehen “zanatit” të tyre, vitin pasardhës, pasi dënimet që ata marrin, janë zakonisht nga 3 deri në 4 muaj burg, duke u mundësuar atyre pjesëmarrjen në “stazhin” e vitit tjetër.

Këta hajdutë vjedhin ç’t’u dalë përpara dhe ku, jo në pak raste, kanë rrezikuar dhe jetën e pushuesve. Kujtojmë rastin e para 2 viteve, ku një pushues kapi në flagrancë hajdutin në banesën e tij të pushimit dhe, në tentativë për ta ndaluar, mbeti i plagosur pas një goditje me thikë, apo dhe rasti tjetër ku, një grup hajdutësh terroizuan një vajzë të re, duke i vënë pistoletën në kokë i vodhën makinën. Jo më larg se ditën e djeshme, Policia njoftoi se 2 djem, me inicialet O. T. dhe O. M., të moshës 19 dhe 17 vjeç, banues në lagjen 13 në Durrës, janë arrestuar pasi i grabitën portofolin një pushuesi polak, në bregdetin e Durrësit, duke i dhënë hije pasigurie pushimeve, që këta turistë duan të kalojnë në vendin tonë.