Holanda “blindon” mbrojtjen dhe fiton pastër ndaj Austrisë (VIDEO)

211
Sigal

Holanda vijon rrugëtimin fantastik në Kampionatin Europian, duke rrëmbyer një fitore të pastër 2-0 ndaj Austrisë. Në “Johan Cruijff Arena” ndeshja nisi me një ritëm të lartë, teksa vendasit do të gjenin shumë shpejt rrugën e rrjetës. Në minutën e 10-të, Alaba shkel brenda zonës Dumfries, teksa për arbitrin s’ka dyshime për penallti pas këqyrjes së pamjeve nga VAR. Nga pika e bardhë shkoi Depay, i cili nuk do të gabonte nga 11 metra.

Holanda ju afrua edhe golit të dytë me sulmuesin e Lyon, por topi shkoi vetëm në rrjetën e jashtme të portës. Wijnaldum nuk arriti të konkretizonte një shans të artë në minutën e 41-të. Austria vuajti presionin e tifozerisë vendase dhe të mungesës së Arnautovic, i cili mungoi për shkak të skualifikimit pas ofendimeve ndaj Aliovskit.

Në fillimin e fraksionit të dytë De Vrij vendosi në provë reflekset e portierit austriak. Në të 67-tën Malen del mjaft mirë me një kundërsulm të shpejt, teksa në fund shërben Dumfries, i cili e ka të thjeshtë për ta dërguar topin në kuadrat. Austria përpiqet që të japë sinjale shprese me David Alaba-n, i cili lëshon një goditje shumë të fortë nga distanca por për fatin e tij të keq topi shkoi jashtë kuadratit të Stekelenburg, i cili e shoqëroi vetëm me sy topin.

Provë shumë më e mirë për Holandën në mbrojtje, teksa rikthimi i De Ligt ka ofruar më shumë garanci në prapavijën e tyre. Lajmi i vetëm i keq ishte dëmtimi i mbrojtësit të Juventusit në fundin e ndeshjes, por nuk pritet të jetë diçka serioze. “Tulipanët” me këtë fitore marrin kreun e Grupit C me 6 pikë, e ndjekur nga Ukraina dhe Austria me nga 3 pikë.