Neokolaboracionistët, nuk i poshtërojnë dot heronjtë

873
Sigal

Ekskluzive për “Telegraf”/ Ja lista e plotë me 265 komandantët e brigadave të LANÇ, të cilësuar si ‘kriminelë lufte’ nga Instituti për Krimet e Komunizmit  dhe të sponsorizuar nga qeveria e majtë e “Rilindjes”. Reagojnë me indinjatë; Komiteti Veteranëve dhe Familjet e Dëshmorëve, Dalan Buxheli, Odise Porodini, Ilir Shkëmbi, Ago Nezha, dhe Xhevat Koçiu: Partizanët fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore po i akuzojnë për krime lufte, pse luftuan kundër nazi-fashzimit dhe tradhëtarëve. Kryeministri Rama inkurajoi neokolaboracionistët me ceremoninë e kryetradhëtarit Mit’hat Frashëri

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, kërkon nga Parlamenti që komisarët dhe komandantët e Ushtrisë Partizane të ngarkohen me krime lufte

Neokolaboracionistët nuk do të turpërojnë dot LANÇ dhe heronjtë dhe dëshmorët, që luftuan dhe dhanë gjakun për Lirinë e Shqipërisë

Jakup B. GJOÇA

Publikimi i 265 emra të komandantëve dhe komisarëve të Ushtrisë Partizane nga dokumentet që Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit kërkon nga Parlamenti që ata të ngarkohen si persona që kanë kryer krime lufte gjatë Luftës së Dytë Botërore ka ngjallur reagime shumë të forta të të gjitha organizatave dhe komiteteve të Veteranëve dhe Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut. Shqipëria, si vendi i paradokseve, është i vetmi vend në Evropë, që institucione shtetërore i kërkojnë zyrtarisht Parlamentit, që të ngarkojë me krime lufte të gjithë drejtuesit, komisarë dhe komandantë të njësive të Ushtrisë Çlirimtare Partizane, vetëm e vetëm pse luftuan kundër fashizmit, nazizmit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ky revansh ndaj Historisë është i padëgjuar, i paparë. Gjenerali i Francës, Filip Peten, arkitekti i fitores betejës së Verdunit dhe heroi i Luftës së Parë Botërore i dha fitoren Francës në këtë luftë ndaj Gjermanisë. Në Luftën e Dytë Botërore ishte arkitekti i tradhtisë së saj, duke pranuar dhe deklaratën e kapitullimit të Francës (duke formuar dhe marrë drejtimin e qeverisë kukull të Vishisë dhe duke lënë gati 3/4 e Francës nën sundimin e Rajhut të Tretë) u gjykua dhe u dënua me vdekje për këtë akt të tradhtisë. Nuk u rehabilitua kurrë. Konstandinos Micotaqis, ish-kryeministri i Greqisë, u akuzua se në Luftën e Dytë Botërore ishte bashkëpunëtor i nazistëve gjermanë në Athinë, madje ky debat politik vazhdon edhe sot, vetëm e vetëm pse u botua një foto e Micotaqis me uniformë të oficerit nazist.

Komiteti i Veteranëve të LANÇ dhe Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut i kërkon Parlamentit që të shkrijë Institutin e Studimeve për Krimet e Komunizmit dhe të paditet në prokurori kryetari i saj Agron Tufa, sepse shpërdoron detyrën, pasi ky institut nuk ka detyrë që të studiojë LANÇ, e ca më pak, të kërkojë që të ngarkohen me krime lufte ata që kanë drejtuar njësitë e Ushtrisë Çlirimtare partizane. Madje, Komiteti i Veteranëve të LANÇ e quan TURP edhe rehabilitimin që kryeministri Rama i bëri kryetradhëtarit e kryekolaboracionistit Mithat Frashëri.

Flasin për gazetën “Telegraf”

Marrëzi e atyre që duan ta kthejnë historinë me kokë poshtë

Prof. Dr. Ago Nezha Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” “Nderi i Kombit”

Në rast se ka një simbol që mund të krenohet populli ynë në luftërat shekullore për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror, është epopeja e Luftës Nacionalçlirimtare. Fushata fantazmë që po qarkullon me agresivitet në median e shkruar dhe atë vizive, është për ta zhbërë, injoruar dhe zëvendësuar luftën partizane me luftën e kolaboracionistëve dhe tradhtarëve të vendit. Kjo është një marrëzi, që s’ka kufi. Ironia dhe sarkazma butaforike që po na serviret si një risi në historinë e Shqipërisë, është duke bërë përgjegjës për krimet e luftës partizanët, komandantët dhe komisarët e njësive partizane, heronjtë që dhanë jetën për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashist. Është unikale dhe e pazakontë , një popull i vogël si yni, i varfër dhe i pa armatosur luftoi përkrah aleatëve të mëdhenj anglo-amerikano- rus dhe doli fitimtar. Për këtë ka shkruar Historia. Në të gjitha dokumentet, librat jo vetëm të autorëve vendas por dhe të huaj qofshin ata amerikan anglez e deri gjerman që ishin pushtues, thonë një të vërtetë të madhe, se luftën e bënë forcat partizane ndërsa ballistët si kolaboracionist u radhitën me pushtuesit. Një përgjigje të qartë e marrin te libri “Shqipëria gjatë Luftës, 1939-1945”, të autorit Bernd J. Fischer, që po ta shfletojnë realisht por edhe me sytë e mendjes do shohin fare qartë se kush janë partizanët dhe kush janë ballistët. Por kjo është një temë e qartë që s’ka nevojë për interpretim. Labëria ka dhënë një kontribut të veçantë në Luftën Nacionalçlirimtare e cila ka shumë heronj dhe heroina që me gjakun e tyre rinor hodhën themelet e Shqipërisë së lirë. Mjafton të kujtojmë se 70 për qind e pjesëmarrësve në luftë ishin të rinj dhe 80 për qind e të rënëve ishin në lulen e rinisë. Partizanët dhe Veteranët janë Palca e kombit, atyre duhet t’iu përulen të gjithë brezat, se ata e bënë vendin të lirë e të pavarur. Janë ata, që projektuan dhe realizuan të ardhmen e Shqipërisë mes sakrificave dhe mundit të pakrahasueshëm me asnjë brez tjetër para dhe pasardhës. Janë zgjuar, e gjallëruar pinjollët e reaksionit që duan ta kthejnë historinë përmbys, duke vendosur në piramidën e lirisë tradhtarët, duke fundosur çlirimtarët. Në luftërat ndaj pushtuesve, te bijtë e Labërisë janë mishëruar cilësitë më përfaqësuese të shqiptarisë, si patriotizmi, trimëria, guximi, besnikëria, deri te akti më sublim për atdheun, duke sakrifikuar edhe jetën. Partizanët ikën në luftë duke marrë dhe vdekjen me vete. Ata, u përgjakën, por nuk janë përgjunjur, janë kërcënuar nga pushtuesit, por nuk janë frikësuar e nënshtruar, edhe pse kanë qenë të varfër, s’kanë qenë kurrë lypsa. E këto cilësi të rralla të gjenit partizan, i kanë manifestuar dukshëm, në të gjitha rrjedhat e historisë dhe të ngritur mbi këto karaktere, dolën fitimtarë ndaj pushtuesve. Por, sa do të gërmosh, nuk do arrish të gjesh asnjë varg, pa le këngë që t’i këndojë heroizmit të Balli Kombëtar dhe pinjollëve të tyre. Kjo flet qartë se po nuk e vuri vulën populli, nuk ke histori, pa le më, lavdi.

 

Tufa me kompani duan të rehabilitojnë prindërit e tyre që historia i ka damkosur, tradhtarë

Dalan Buxheli, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut

Agron Tufa është një neofashist, sepse instituti i tij duhet të studionte dokumentet nga 1945-a e jo më përpara. Ky qëndrim neofashist i Tufës ka ndryshuar edhe orientimin që i dha parlamenti. Këto lista që publikojnë me emrat e komandantëve dhe komisarëve të çetave, batalioneve, brigadave Sulmuese partizane, duke i quajtur ata përgjegjës për krime lufte është i turpshëm, sepse Antifashizmi është vlerësuar dhe vlerësohet në çdo kohë në gjithë Evropën dhe në Botë. Në Francë, kolaboracionisti Pëten, i cili edhe pse ishte Heroi i Francës në Luftën e Parë Botërore, u dënua me vdekje, sepse u dorëzoi Parisin gjermanëve. Tradhtia e Petenit nuk u fal kurrë, në asnjë kohë të mëpasshme, nga asnjë qeveri, madje, asnjë parti sado ekstreme qoftë, nuk ka guxuar deri më sot, që të përpiqet që ta rehabilitojë. Kolaboracionistët, tradhtarët e Kombit historia kurrë nuk i rehabiliton. Në Shqipëri neokolaboracionistët dhe neofashistët kanë marrë vrull të paparë, duke bërë me turp historinë tonë. Këtu në Shqipëri kryeministri Rama rehabilitoi Mithat Frashërin, një kriminel lufte, i cili në Operacionin e Dimrit në 1943 – 1944 bashkëpunoi me nazistët gjermanë dhe kreu masakra dhe dogji fshatra, pse ato luftuan kundër nazistëve. Si mund të rehabilitosh bashkëpunëtorët e nazistëve dhe fashistëve, si Isa Toska, Isa Manastirliu, Hamit Matjani, Halil Alia, e qindra të tjerë. Tani, për çfarë krime lufte mund të akuzosh komandantët dhe komisarët e çetave, batalioneve dhe brigadave Sulmuese partizane? A është krim lufte, pse luftuan dhe vranë fashistët dhe nazistët, për të çliruar Atdheun? A mund të quhet krim lufte, kur Ushtria Partizane Çlirimtare luftoi dhe vrau bashkë me fashistët dhe nazistët, edhe bashkëpunëtorët e tyre ballistë? A e dini, që këta bashkëpunëtorë të nazistëve, që i shpëtuan plumbave të partizanëve, duhet të ishin gjykuar dhe dënuar në gjyqin e Nurembergut? Po a mund të thotë Agron Tufa, se cili nga tradhtarët e gjykuar dhe dënuar në gjyqin e Nurembergut është rehabilituar? Po ai dreq institut i Tufës, a mund të dëshmojë ndonjë dokument, që partizanët dhe aleatët anglo-amerikanë, që luftuan në Evropë kundër nazistëve gjermanë, janë cilësuar si persona që kryen krime lufte? Po cili nga komandantët dhe komisarët e Ushtrisë së Kuqe të Stalinit është cilësuar në ndonjë vend tjetër të Evropës, Azisë, Afrikës apo Amerikës, si persona që kanë kryer krime lufte? Tufa dhe soji i tij duan që të rehabilitojnë prindërit, gjyshërit e tyre, që historia i ka damkosur me vulën e turpit si tradhtarë dhe kolaboracionistë.

Kryeministri Rama inkurajoi neokolaboracionistët me ceremoninë e Turpit të kryetradhëtarit Mitat Frashëri

Odise Porodini, sekretar i Përgjithshëm i Komitetit të Veteranëve të LANÇ

Komiteti i Veteranëve të LANÇ-it i ka dërguan kërkesë Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare dhe i kërkojmë 4 gjëra:

E para, do të jetë turp, e qëndrim antikombëtar, nëse marrin në konsideratë kërkesën e atij Instituti të Studimeve për Krimet e Komunizmit.

E dyta, duhet ta shkrijnë atë institut, sepse nuk merret me qëllimin e vërtetë, për të cilin është ngritur.

E treta, të shkarkohet Agron Tufa.

E katërta, të denoncohet në prokurori Agron Tufa për shpërdorim të detyrës, sepse ka dalë nga detyra, ngaqë funksioni i atij instituti ishte të studionte dokumente që fillonin pas 1945-s e jo para këtij viti.

LANÇ-i ka qenë dhe do të mbetet periudha më e lavdishme në historinë e popullit shqiptar, sepse solli çlirimin e Atdheut nga nazifashistët. Pa LANÇ, e cila e radhiti Shqipërinë në Frontin e Aleatëve dhe fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria do të ishte copëtuar, sikurse edhe në 2013-n. Unë e quaj turp të madh kombëtar, përpjekjet e disa neokolaboracionistëve, neoballistëve, që të hedhin baltë mbi komandantët, komisarët e njësive të ushtrisë partizane të LANÇ-it. Kemi paraqitur këtë problem në qeveri, por askush të mos u fërkojë kokën këtyre spekulantëve të historisë, sepse kështu i inkurajon ata, që të baltosin LANÇ-in, ta vrasin, atë që nuk bënë dot baballarët dhe gjyshërit e tyre. Jam çuditur me kryeministrin e socialistëve, Edi Ramën, që organizoi ceremoninë e Turpit të kryeballistit Mithat Frashëri, i cili po të kishte qëndruar në Shqipëri, do të gjykohej si kryetradhëtari i Shqipërisë, sikurse do të dënohej edhe në gjyqin e Nurembergut, si bashkëpunëtor i ngushtë i nazistëve gjermanë. Nëse qeveria dhe kryeministri nuk do të marrin në konsideratë qëndrimin tonë, atëherë ne do të rishikojmë qëndrimin tonë politik ndaj kësaj qeverie socialiste. Nuk do ta votojmë më në asnjë lloj zgjedhje elektorale.

 

Vetëm në Shqipëri duan të rehabilitojnë kolaboracionistët dhe partizanët i akuzojnë për krime lufte

Ilir Shkëmbi, Kryetar i Organizatës “Familjet e Dëshmorëve të Atdheut” për Tiranën

Ata të Institutit të Agron Tufës mund të merren me shumë probleme, por me Luftën Nacional Çlirimtare, me Heronjtë e Dëshmorët, me ata që dhanë jetën për Atdhe, me ata që e drejtuan atë Luftë, nuk kanë asnjë punë. Ne e kuptojmë mirë se “mbasi i prishën mendjen” Kryeministrit për të rehabilituar Kryetarin e Organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri, këta farë trimash menduan “të bëjnë edhe Parlamentin për vete” e të dilet me palo rezoluta kundër Luftës Nacional Çlirimtare, kundër atyre që dhanë jetën për Shqipërinë. U kujtojmë se kudo në Evropë kujtohen e do të kujtohen gjithmonë ata që dhanë jetën në luftë kundër nazifashizmit. Kudo nëpër sheshe e rrugë të qyteteve evropiane, në Londër, Romë, Stokholm, Pragë, Athinë, Podgoricë, Kopenhagë etj. sheh buste, përmendore, pllaka përkujtimore, emra rrugësh etj., të atyre që luftuan e dhanë jetë në luftë kundër nazifashizmit. Mjafton një shembull i thjeshtë nga fqinji ynë Italia. Në muret e jashtme të Bibliotekës së Bolonjës shkruhet: “Rajoni Emilia Romano me rreth 3 milionë banorë ka pasur 14425 partizanë, (nga të cilët 2012 gra vajza), të vrarë 2059 vetë, të plagosur 954 vetë, patriotë të arrestuar 6543 vetë, të pushkatuar 2350 vetë, të vdekur në kampet e përqendrimit 829 vetë…” do ju kujtojmë vetëm një libër titulluar “Krimet e Komunistëve gjatë luftës 1941-1945”, botuar nga Instituti i Tufës. E dini se aty cilësohen si kriminelë të gjithë ata që drejtuan e udhëhoqën Luftën Nacional Çlirimtare, e ç’është më e pabesueshmja rreth 20 prej tyre janë Dëshmorë të Atdheut. Njëlloj siç i cilësonin pushtuesit ata që kishin marrë pushkën e kishin dalë malit për liri. Dhe e dini çfarë “argumentesh” sjell Tufa e shoku i tij për “krimet” e tyre, njëlloj si Xhandarmëria, Kuestura e të gjitha organet e pushtuesve. Ja disa shembuj:

Anton Xoxa – Quhet kriminel vetëm sepse në letrën e Brigadave I dhe V për luftën në Pogradec thuhet “Humbjet tona: U vra shoku Anton Xoxa nga Fieri. Komisar i Kompanisë I batalioni I.

Hajdar Dushi –cilësohet kriminel vetëm, sepse ka qenë zv/komandant i batalionit partizan të Shkodrës. Asnjë argument tjetër.

Hysen Çina- sepse ka qenë komandant batalioni në Brigadën V

Mustafa Matohiti- sepse ka bërë një raport për betejën në Këlcyrë

Mustafa Gjinishi- Se ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare

Mustafa Xhani (Baba Faja Martaneshi)- sepse ka bërë një raport për aktivitetin e batalionit të Martaneshit.

Myslim Shyri- Nuk jepet asnjë shpjegim, por vetëm cilësohet kriminel

Pano Xhamballa vetëm sepse ka qenë zv/komandant i Brigadës IV

Raqi Qirinxhi – vetëm sepse ka qenë intendent i Grupit partizan të Korçës

Skënder Çaçi –vetëm se ka qenë komisar çete

Anton Bullaci- vetëm se ka qenë zv/komandant i batalionit partizan të Shkodrës.

 

Vetëm në Shqipëri ndodh që institucione shtetërore të kërkojnë të rehabilitojnë kolaboracionistët dhe bashkëpunëtorët e fashistëve dhe nazistëve, dhe njëkohësisht, të bëjnë përgjegjës për krime lufte ata persona që luftuan, sakrifikuan dhe ranë dëshmorë kundër fashistëve dhe nazistëve. Kjo është marrëzia më e madhe që duan të bëjnë në histori dhe jo të rishikojnë historinë. Ky është turpi që ne shqiptarët i bëjmë Historisë së Njerëzimit, sepse vetëm ne rehabilitojmë kolaboracionistët dhe bëjmë kriminelë lufte ata heronj dhe dëshmorë që luftuan dhe derdhën gjakun për lirinë e Atdheut.

Xhevat Koçiu, komandanti i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar në Jug, më 1997-n

Nuk është hera e parë që shkruajnë në këtë formë, dhe ndjej neveri për ata.

Komandantët e komisarët e LANÇ nuk kanë bërë asnjë krim lufte, por edhe, nëse kanë bërë, kanë qenë në kushte lufte, janë edhe të pranueshme. Disa komandantë të LANÇ edhe i kam njohur. Në këtë listë nxjerrin edhe Xheladin Beqiri për krim lufte që ka qenë komandant i Batalionit në Brigadën e Parë. Ai është dëshmor, monumenti i tij është në qendër të fshatit Nivicë në Kurvelesh. Ka lënë edhe një djalë. Në zonën tonë nuk ka vrarë asnjë. Ku e bëri ky krimin e Luftës? Për mua, ka kohë që ka filluar një luftë dhe kolaboracionistët kanë marrë një yrysh të madh dhe nuk është çudi që të fillojë edhe një luftë civile. Nuk mund të bësh kriminel lufte, një luftëtar që luftoi dhe vrau gjermanët dhe fashistët italianë. Kjo, mua më duket edhe injorancë, edhe budallallëk. Mund të fillojë një luftë që të vrasim njëri – tjetrin. Komandantët e komisarët e çetave, batalioneve, brigadave Sulmuese partizane kurrë nuk mund të quhen kriminelë lufte. Unë nuk kam qenë në asnjë parti, as në atë kohë dhe as tani.