Në 40 ditë fushatë “qajnë” për popullin, në 4 vjet pushtet punojnë për… vete

488
Sigal

Ministrave dhe deputetëve u është “trashur qafa” e kanë vënë “gushë”, sikur të kenë qenë stalla majmërie.

Janë tri gjëra, që më kanë bërë përshtypje në këtë 1 vit pushtet, të atyre që na qeverisin aktualisht e që përbetohen se po punojnë për të zgjidhur hallet e popullit:

1. Ministrave dhe deputetëve u është “trashur qafa” e kanë vënë “gushë”, sikur të kenë qenë stalla majmërie.

2.Deputetët nuk i shikon më si në kohë fushate elektorale, kur ngryseshin e gdhiheshin mes popullit.

3. Deputetët nuk i hapin më telefonat popullit që i morën votat, madje, edhe kur populli u “zbulon” numrat e ndryshuar, ata u përgjigjen: Na lini rehat se kemi shumë punë.

Çfarë ndodh realisht?

Në fushata elektorale, kandidatët bëhen shumë “njerëzorë”, përbetohen se sa të bëhen deputetë, do bëjnë “çudira”, bëjnë premtime lumë, qeshin, hanë e flenë me popullin. Por kjo zgjat vetëm 40 ditët e fushatës elektorale, sepse 4 vitet e mandatit nuk janë më të tillë, nuk janë më pranë njerëzve, nuk “dëgjojnë” më se ç’halle kanë votuesit, nuk flasin më për shqetësimet e tyre as në Parlament e askund. Këto ditë, një votues, më tha se, kishte 8 muaj që lodhej të takonte deputetin e zonës dhe nuk mundej ta takonte. Pasi i zbuloi numrin e telefonit, i dërgoi mesazh për takim. Deputeti, që realisht ishte deputeti i zonës, i’u përgjigj nëpërmjet kamerierit të lokalit, ku hante e bënte qejf: – “I keni rënë gabim, unë jam roja i ujësjellësit të Ballshit”! Pas disa ditësh, i dërgoi përsëri mesazh, duke i bërë të ditur hallin që kishte për punësim. Prej deputetit, i erdhi kjo përgjigje: “Fola me drejtuesit e pushtetit lokal, me Kryeministrin, Presidentin e ministrin dhe më thanë, se do ta zgjidhim problemin tënd”! Në fakt, deputeti nuk kishte folur me askënd, veç mashtronte! Kështu ndodh shpesh me ata që kërkojnë e marrin vota dhe braktisin votuesin. Dhe populli, pret e pret pa fund, zgjidhjen e problemit, pret takimin me deputetin. Në vend të moszgjidhjes, pret deputetin të shkojë atje ku populli jeton. Ose niset vetë drejt Tiranës, në kërkim të deputetit, pasi deputeti nuk jeton në qytetin a zonën ku është mandatuar, por jeton në Tiranë. Ose dhe kur zgjidhet, fill pasi merr mandatin “ia mbath” familjarisht me banim në Tiranë. Katër ditë më parë, në automjetin me të cilin udhëtoja, ishin dhe 4 persona nga Gjirokastra. Ishin nisur drejt Tiranës, për të takuar deputetin e tyre, ministër. Ishin detyruar të udhëtonin drejt Tiranës, mbasi deputeti nuk shkonte në zonë e nuk u hapte telefonin. Pra, tani nuk shkon më deputeti tek populli, por shkon populli tek deputeti! Mjafton të shkosh një ditë tek selia e Kryesisë së Kuvendit, ose tek Parlamenti dhe shikon “ushtri elektorati” që qëndron me orë, ditë e javë pas kangjellave, në pritje për të takuar deputetët. Nëse e takojnë, aty pas kangjellave, u thuhet me mashtrim, sa për t’i përcjellë: – “Me punët tuaja po merrem çdo ditë, ikni mos kini aspak merak, do zgjidhen shpejt”. Në rastet kur nuk i takojnë, refreni përcillet me telefon: – “Alo, fola me drejtuesit e pushtetit lokal, me kryeministrin, me presidentin, me ministrin dhe më tha, se do ta zgjidhim problemin tuaj!” Me kaq, ata e quajnë të mbaruar detyrimin ndaj zgjedhësve…Kështu ndodh realisht. Në kohë fushatash elektorale, deputetët shqiptarë, bëhen tepër “njerëzor”, duan të krijojnë përshtypjen se janë të lidhur me masën, me popullin, me shqetësimet e tyre, se ata sa të bëhen deputetë, do të bëjnë namin. Ata heqin kostume e kollare dhe vishen “fshatçe”, si populli. Hanë e pinë bashkë me popullin. Por kjo zgjat vetëm në muajin e “korrje-shirjes” së votave, sa për të siguruar karriget e deputetit. Pasi ata mandatohen, ndryshojnë qëndrim. Nuk janë më, ata njerëzit e “thjeshtë” që lidhen me popullin, që futen nëpër rrugicat dhe kioskat e ndryshkura të lagjeve. Pas 40 ditësh, ata futin votën në xhep dhe ndryshojnë. Harrojnë përse janë zgjedhur, kush i ka zgjedhur, si i ka zgjedhur, madje edhe ku janë zgjedhur! Sa mandatohen si deputetë, të parën kërkesë e bëjnë për strehim! Të parin interesim e tregojnë për zyrën, për llojin dhe cilësinë e makinës, për pagën, për punësimin e grave dhe fëmijëve, për kuotën e celularit, për pasaportën e shërbimit familjes e soj sorollopit të tyre. Të gjithë ikin nga rrethet e tyre dhe vendosen në Tiranë, duke mos patur më asnjë fizike lidhje me zonat që përfaqësojnë. Nuk shkojnë më atje, sepse nuk kanë më nevojë për vota dhe kur vjen “fushata” e votave bëhen përsëri “popull”, të puthin e bëjnë sikur “qajnë” për hallet njerëzve. Ka kaq vite që deputetët shqiptarë, kanë nisur të zbatojnë praktikën “Alo! Elektorat, ç’kemi andej nga ju? Si ju shkojnë hallet? Mos u mërzitni, se do vijmë, por nuk na lënë punët”. Dhe fill pas marrjes së mandatit, nuk shkojnë asnjëherë të kontaktojnë direkt me njerëzit, me mijërat e hallexhinjve që vuajnë përditë edhe për një kapadaillëk të nëpunësit të komunës e të bashkisë, që bllokohen për një leje në zyrën e tatimeve, që nuk u jepet ndihma ekonomike, që hidhen në rrugë nga punëdhënësi.Një pallat në Patos, po shembet duke rrezikuar jetën e 20 familjeve. Ku është deputeti? Afro 200 naftëtarë, vazhdojnë të masakrohen ekonomikisht nga punëdhënës i huaj. Memaliaj po përjeton papunësinë e plotë. Banorët e Poliçanit, po kështu vazhdojnë të jenë në udhëkryq nga mbyllja e të vetmes qendër pune, Kombinatit Mekanik. Në Kuçovë, të rinjtë kërkojnë punësim, por nuk interesohet askush, as deputeti, të cilit po i shkojnë përditë kërkesa e informacione për pakësimin e vendeve ekzistuese të punës nga mbyllja e sektorit të naftës. Asnjë takim deputetësh, për asnjë hall të njerëzve nuk realizohet në zonën, ku janë marrë e janë dhënë votat. Ky “divorc” fizik i deputetëve me popullin, manifestohet dhe në Korçë, Pogradec, Lezhë, Fier, Vlorë, Tiranë, Berat, Tepelenë, Përmet, Dibër, Shkodër. Përse deputetët, pas 1 viti marrje të pushtetit, po bëjnë sikur nuk dëgjojnë? Përse nuk shkojnë tek populli? KESH-i, jep urdhër që familjarët të paguajnë fatura afrofe në shuma të mëdha. Përse heshtin deputetët? Mijëra fëmijë e familje, janë në ngujim për hasmëri të vjetra e të reja. Përse nuk shkojnë atje deputetët e zonës, të bëhen misionarë të shpëtimit dhe lirimit të jetës së këtyre njerëzve, sepse edhe për këtë “punë” kanë marrë votat? Mijëra familje janë pa bukë në Elbasan, ndërkohë që deputetët e zonës pasurohen e majmen në dreka e darka të turpshme, me lekët e fakir-viktimave dhe kriminelëve që kërkojnë një vend pune e që duan të bëhen doganierë. Përse deputetët, nuk e detyrojnë qeverinë, t’i ndihmojë ekonomikisht? Në spitale, nuk shërbehet pa paguar shuma të mëdha.Përse nuk flasin deputetët? Po me se merren vallë deputetët, kur nuk merren me hallet e popullit?! Ku e kalojnë ditën, muajin vitin, mandatin?! Janë mijëra probleme të mbetura pezull prej vitesh. Janë mijëra njerëz e familje që vuajnë pasoja të rënda social-ekonomike, që përballen me veprimin e korrupsionit nëpër zyra. Ka mijëra premtime të bëra gjatë 40 ditëve elektorale nën afshin e fushatës, por deputetët nuk kujtohen më. Njerëzit presin të shkoj deputeti mes tyre, ndërsa ai komunikon me impulse. Ose dhe kur shkon në zonë, nuk kontakton me njerëzit në nevojë, por takohet e ha dreka dhe darka disa kilometra larg votuesve me prefektin, me shefat e policive, me biznesmenët, me të “fortët” e zonës, me kryetarët e partive, me shokë e miq! Në vend që të zgjidh problemet e paraqitura nga njerëzit, zgjidh problemet e njerëzve të familjarëve e të afërme të tij. Po me turmën popull, çfarë ndodh? U jepet një përgjigje shabllone, tashmë të dalë boje: “Mos u mërzitni, prisni, po mendojmë e po punojmë për ju”! Ose përdoret prej tyre, refreni tradicional mashtrues: “Alo, fola me drejtuesit e pushtetit lokal, me kryeministrin, me presidentin, me ministrin dhe më tha, se do ta zgjidhim problemin tuaj! Me kaq, ata e quajnë të mbaruar detyrimin ndaj banorëve të zonës. Dhe populli pret e pret pa fund, takimin me deputetin. Popull hesapi!Në asnjë vend të botës, nuk ndodh që deputeti të mos jetë banor i zonës, ose të jetojë e aq më keq, pas zgjedhjes të largohet jashtë zonës së banimit që e mandaton. Nuk ka asnjë deputet zone, që të banojë në zonën ku është zgjedhur! Të gjithë banojnë, ose janë transferuar në Tiranë. Kjo kurrsesi nuk është normale. Përderisa je p.sh, deputet i Fierit, Elbasanit, Korçës, Tepelenës apo Dibrës, duhet të banosh doemos atje, sepse për të punuar atje je zgjedhur. Ndryshe, nuk i duhen askujt deputetë për të ulur e për të ngritur kartonët në sallën e parlamentit. Kuvendi nuk është e nuk mund të përdoret si “kamping”, ku mblidhen 140 njerëz që jetojnë në luks, thjeshtë për të bërë një seancë në javë e muaj, por është një qendër që mbledh deputetët e zonave në Tiranë, kur hartohen projektligje e miratohen ligje. Po të shkosh një ditë përballë zyrave të kryesisë së Kuvendit, ose përballë sallës së tij, shikon njerëz të shumtë, të cilët qëndrojnë me orë e ditë të tëra pas kangjellave, në përgjim e në pritje për të takuar deputetët e zonave të tyre. Pse? Sepse pas votimeve, deputetët zhduken nga zona e tyre, nuk shkojnë më atje. Në mungesë të tyre, njerëzit vihen në kërkim drejt kryeqytetit, duke hyrë në të gjithë lokalet luksoze të Tiranës, për të gjetur deputetët e zonës. Kjo ndodh, sepse tani, nuk po shkon më deputeti tek populli, por po shkon populli pas deputetit. Por ka dhe deputetë, që megjithëse “kapen për xhakete”, nuk mund të takohen dot me popullin. Sepse në mungesë të përgjigjeve e zgjidhjeve konkrete të problemeve që kanë njerëzit, ata përdorin mashtrimin e gatshëm, për gjoja zënie me “mbledhje partie”, apo me “debate komisioni”. Në fakt, ata i shikon përditë në “dreka e darka pune”, apo në lojëra bilardosh e kazinoje, duke i lënë njerëzit hallexhinj prapa dyerve, në pritje të takimit në ndonjë ditë tjetër, ose kur të shkojë deputeti në zonë, por që në fakt nuk shkon fare. Vetëm një fakt: Në adresë të deputetëve në zyrat e tyre në Tiranë, kanë shkuar 325 mijë letra me probleme të ndryshme nga të gjithë zonat e vendit, të cilave u është dhënë përgjigja shabllone: “Problemi juaj do të trajtohet së shpejti!

Përparim HALILI