Procesi i integrimit, Gjosha: Opozita të marrë pjesë, duhet gjithëpërfshirje

471
Sigal

TIRANE- Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha i ka bërë apel opozitës që të jetë pjesë e reformave në rrugën e integrimit europian. Gjatë takimit të zhvilluar sot për ngritjen e Grupeve të Posaçme të Punës për përmbushjen e 5 prioriteteve të rekomanduara nga Komisioni Evropian, ministrja Gjosha tha se gjithëpërfshirja është me rëndësi për procesin e integrimit.
 
Në këtë takimin ku merrnin pjesë Drejtori i Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Evropian Jean Eric Paquet, përfaqësues të tjerë të Komisionit dhe Delegacionit të BE-së, përfaqësues të Ministrive të linjës, institucioneve të pavarura parlamenti dhe nga shoqëria civile, Gjosha theksoi rëndësinë e ngritjes së këtyre grupeve.
 
Sipas Ministres, këto grupe do të hartojnë një platformë të detajuar për mbarëvajtjen e reformave, do të monitorojnë progresin e tyre në funksion të përmbushjes së 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Evropian.
 
“Në besojmë se gjithpërfshirja e arritur në këto grupe e pune do të mund të sigurojë një bashkëpunim më të mirë i cili është esencial për procesin e integrimit evropian. Megjithatë duhet të jemi të gjithë të qartë se ky proces, nuk ka të bëjë vetëm me ngritjen e strukturave të tilla, por me vënien në zbatim të masave konkrete duke kontribuar kështu në transformimin e vendit”, tha Ministrja Gjosha. Ministrja theksoi angazhimin e qeverisë për të zbatuar të gjitha reformat e nevojshme për procesin e integrimit. `
 
Ndërkaq, Jean Eric Paquet rikonfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke nënvizuar se zbatimi i 5 prioriteteve është thelbësor për ta çuar atë përpara.
 
“Komisioni Evropian, është i angazhuar të ofrojë ndihmën e tij dhe të monitorojë mbarëvajtjen e reformave dhe veçanërisht masave që janë marrë e po merren për 5 prioritetet kyçe. Ngritja e grupeve të punës besojmë se do t’i shërbejë siç duhet procesit të integrimit të Shqipërisë”, tha Paquet.
 
“Grupet e posaçme të punës ngrihen pas urdhrit të firmosur nga Kryeministri i vendit z. Edi Rama. Sipas këtij urdhri grupet e posaçme të punës do të jenë përgjegjëse për bashkërendimin e procesit të zbatimit e të raportimit periodik në kuadër të secilit nga 5 prioritetet. GPP-të do të raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit Evropian, çdo muaj për realizimin e detyrimeve, që rrjedhin nga masat e parashikuara për zbatimin e 5 prioriteteve kyçe.
 
Grupet e Posaçme të Punës, përbëhen nga përfaqësues të ministrive të linjës dhe institucionet e tyre të varësisë, përfaqësues të institucioneve të tjera publike për fushën përkatëse të veprimit.
 
Në këto grupe do të marrin pjesë si përfaqësues të përhershëm, përfaqësuesit e Ministrisë së Integrimit Evropian. Përfaqësuesit e palëve të interesuara dhe grupet e interesit, mund të ftohen të marrin pjesë me qëllim që të japin informacion dhe të kontribuojnë për çështje të veçanta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Integrimit.
 
Sipas ministres Gjosha, këto grupe kanë për detyrë të koordinojnë dhe bashkërendojnë, procesin e raportimit periodik në kuadër të secilit nga prioritetet.
 
Gjithashtu, këto grupe do të monitorojnë zbatimin e masave të parashikuar në Udhërrëfyesin për secilin prioritet, si dhe do të marrin pjesë edhe në takimet e përbashkëta BE-Shqipëri në kuadër të 5 prioriteteve kyçe.