Mustafaj: Qëndrimet e Presidentit për të mbrojtur Gjykatën Kushtetutese janë jetike

110

Analisti Besnik Mustafaj mendon se maxhoranca po kërkon të pushtojë Gjykatën Kushtetuese dhe se në përpjekjet për ta mbrojtur janë jetike.

Gjatë fjalës së tij në rubrikën “Opinion”, Mustafaj tha se përpjekjet e presidentit janë të ligjshme por jo të zakonshme dhe se kjo ndodh kur demokracia është e rrezikuar.

“Në një realitet si ky i joni kur praktikisht qeveria ka kapur të gjithë pushtetin pavarësisht formës legale që ka reforma në drejtësi, fakt është që nëpërmjet njerëzve që kanë shkuar në këto institucione qeveria dhe Rama e kanë kapur drejtësinë. Parlamenti dihet që është i komanduar prej tij, ekzekutivin e ka me mandat elektoral, atëherë Gjykata Kushtetuese fiton një rëndësi jetike për demokracinë në Shqipëri. Ndaj përpjekjet e presidentit për të mbrojtur Gjykatën Kushtetutese janë jetike. Faktikisht këtë gjë e di shumë mirë dhe kryeministri Rama i cili po përpiqet ta marrë. Ligji që kaluan para pak ditësh tregon se duan ta anashkalojnë me çdo mjet presidentin dhe ta pushtojnë Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Mustafaj.

Mustafaj gjithashtu tha se nuk sheh një opinion publik të ndjeshëm dhe të vetëdijshëm për rëndësinë që ka Gjykata Kushtetuese.
“Asnjë nen i kushtetutës nuk ia ndalon presidentit t’i drejtohet popullit. Problemi nuk shtrohet a është e ligjshme kjo sjellje e presidentit, a është e zakonshme? Jo. Kjo ndodh shumë rrallë, kur demokracia është e rrezikuar apo e përmbysur. Nuk dihet se si do të ketë vazhdim një përpjekje e tillë e presidentit por e ligjshme është.
Opozita do jetë në shesh, mendoj se socialistët duhet të jenë në shesh, edhe ne të tre.
Mua më shqetëson fakti që në disa dalje që kanë qartazi konotacione politike presidenti është para opozitës. Në kuptimin që opozita duhet të ishte në avangardë si institucion i destinuar të bëjë politikë”, deklaroi Mustafaj.

Sipas tij, ‘alarmi që ngre presidenti është i përligjur’. “A ka zgjedh formën efikase për të arritur qëllimin e tij, kjo ha diskutim. Nuk e rrezikon klimën politike të vendit se në fund të fundit është paqësore ai nuk po bën thirrje për revolucion. Në qoftë se presidenti i bën thirrje popullit dhe vihet në krye të një lëvizje popullore dashje pa dashje nuk është në rolin e tij kushtetues”, tha ai ndër të tjera.