Gentian Çala: Grusht shteti dhe një grusht shejtanësh

628
Sigal

Nga Gentian Çala

Politika nuk është arti i shejtanllëkut “procedurial”, por disa ustallarë rilindas duket se nuk heqin dot dorë nga strategjitë e tilla kur vjen puna për uzurpimin e institucioneve. Madje të qenit në pushtet i bën arrogantë dhe intrigantë bashkë. Mjafton të ndiqet me kujdes historia e kapjes së Gjykatës Kushtetuese për të kuptuar se si funksionojnë. Një çetë ku letrat shkojnë e vijnë brenda ditës, madje përgjigja vjen para kërkesës, aq sa bëhen krejtësisht qesharakë dhe të pabesueshëm.

Presidenti foli për “grusht shteti”. Grusht shteti nga një grusht shejtanësh që ua merr mendja se mund t’ia hedhin kujtdo dhe t’ia shesin sapunin për djathë. Vetëm një bandë funksionon kështu, nxitimthi, në fshehtësi, duke mos respektuar as kushtetutë, as ligje dhe rregulla. Pastaj ka ca shejtanë përmbi shejtanë, që dalin në studio televizive, në portale dhe gazeta e mundohen ta justifikojnë paudhësinë e shefave, ta relativizojnë ose të thonë se nuk ka ndodhur asgjë. Disa flasin për interpretime sipas qejfit apo oreksit, disa e quajnë konflikt individësh me pushtet, gjithmonë me qëllimin e vetëm për t’iu shmangur thelbit të situatës.

Shejtanët mavi të Rilindjes e besojnë atë që bëjnë si të vërtetë, madje ndihen krenarë dhe falsifikojnë edhe identitetin e tyre duke u shpallur flamurtarë reformash dhe shtetarë. Të paparë! Ta bëjnë të zezën të bardhë, të ngatërrojnë dhe ta shpifin. Ky grush shejtanësh proceduarialë dhe joprocedurialë e ka edhe një kokë, ai quhet Edi Rama. Dikush mund të pyes se përse nuk i quajmë thjesht të gabuar? Sepse ata gabojnë me qëllim, kanë një synim: kapjen e kupolës së drejtësisë për të zgjatur pushtetin e tyre dhe për tu mbrojtur nga drejtësia kur të mos jenë më në pushtet.

Kur nuk munden të falsifikojnë ata shpikin, improvizojnë: kur ju del një pengesë kushtetuese ata krijojnë një ligj kot më kot, kur ju djegin duart thonë se fajin e kishte patatja e nxehtë. Kur u duhet të zaptojnë një pronë apo të përfitojnë nga paraja publike sajojnë diçka që të duket si investim i dobishëm. Kur i duhet një gjyqtar, nuk ia numërojnë paratë në veting. Kur ju duhet tu mbyllin gojën ngrenë kartonat në parlament, kur flenë natën me krimin, ditën bëjnë sikur e luftojnë. Kur ju duhet një opinion i institucioneve të huaja, nuk e presin dhe thonë se e dinim, kur nuk munden të arrijnë dićka falsifikojnë dhe e shesin si komunikim ndërinstitucional. A nuk ju duken një grusht shejtanêsh?!

A doni më shumë fakte të kuptoni se ata po e grushtojnë çdo ditë shtetin, në zemër, në institucionet e tij më të rëndësishme?! Nëse nuk e keni kuptuar, atëhere nuk është faji i tyre, por i juaji, se nuk po dini të dalloni shejtanllëkun, i cili si kurrë më parë ka dalë zbuluar.