Mungoi në interpelancë. Rama përgjigjet nga Twitter-i: Opozita do të manipulojë publikun me shpifje

113
Sigal

Megjithëse iu fsheh opozitës, e cila kërkoi interpelancë në Kuvend për skandalin e “McGonigal”, kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas kaosit të krijuar në seancën e djeshme plenare ku deputetët demokratë kanë kërkuar që kreu i qeverisë shqiptare të japë “llogari” për implikimin e tij në aferën e lobimit kundër opozitës shqiptare.

Reagimi i plotë i Edi Ramës: “Një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu! Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike, mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI, të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim. Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata, që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë”,- shkruan Rama.