Sigal

Fjalimi i plote i Monika Kryemadhit:

Do të doja të flisnim pafundësisht, por koha nuk na lejon, sepse besoj që  fjalët e tepërta janë fukarallëk, por na duhet më shumë veprim, na duhet më shumë lëvizje. Jemi në kuadrin e riorganizimit tha Petriti, por nuk jemi vetëm në kuadrin e riorganizimit, tani jemi në kuadrin e riformatimit të lëvizjes dhe të angazhimit të strukturave të LSI-së, që tashmë nuk do të ngelemi vetëm në strukturat e partisë, por do të zgjerohemi më tej.

Do të zgjerohemi më tej për shkak të asaj situate, për shkak të asaj situate tragjike në të cilën po kalon sot Shqipëria. Sot është një ditë me diell në Berat, por faktikisht dielli është thjeshtë një element, i cili zbukuron ditën, por zbukuron një ditë shumë të errët për familjet e të gjithë shqiptarëve, sepse sot shqiptarët janë më të varfër, sot shqiptarët kanë më pak mundësi për të gjetur punë, sot shqiptarët kanë më pak mundësi për të paguar faturat e kripura të qeverisë, qofshin këto të dritave, të ujit, të taksave. Sot shqiptarët kanë më pak mundësi për të shkolluar fëmijët e tyre, sot shqiptarët kanë më pak mundësi për të lëvizur të lirë.

Ndjekim çdo ditë lajmet nga më të tmerrshmet, ndjekim çdo ditë kronikën e zezë në televizion dhe dalin vetëm kronika të cilat i interesojnë policisë, por kronikat e vërteta të krimit dhe të dhunës ndaj shqiptarëve, fshihen ashtu siç u fshi dhe siç u fsheh rasti i vajzës nga Kruja, të cilën të gjithë e keni parë dhe tashmë është kthyer në simbol i kapjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe nga bandat.

Ju e dini që prej 3 muajsh u fsheh një krim i tillë. Ju e dini që pas tre denoncimeve të saj në Polici dhe Prokurori , nuk pati asnjë lloj veprimtarie, por përkundrazi pati vetëm shantazh dhe presion ndaj policit që  denonconte herë pas here.
Dhe në fakt sot erdhëm nga një moment kur nga dyert e gjykatës dhunuesi kërcënonte hapur opozitën “takohemi në zgjedhje”. Me sinqeritetin e tij të pastër, ai tregoi atë që ka ndodhur realisht në zgjedhjet e 2017, në zgjedhjet e 25 qershorit. Ku keni qenë vetë ata të cilët jeni përballur me bandat këtu në Berat, që sot nuk janë gjë tjetër por janë përfaqësues të mazhorancës dhe të sektit kriminal të Rilindjes në administratën shtetërore.

Nqs deri dje, pra deri në zgjedhjet e 25 qershorit të 2017, armët e tyre ishin paleje, sot ata shëtisin rrugëve të Beratit apo edhe duke u kapardisur me fodullëkun e tyre kriminal, me armë me leje të cilat licencohen shumë mirë nga ministri i Mjedisit me të ashtuquajturin emër të Policisë Pyjore.

Më pas dua të kaloj dhe të them se si këto banda kriminale jo vetëm që kanë nxjerrë jashtë lojë strukturat e PS-së, por janë kthyer në strukturat qeverisëse të Rilindjes dhe Edi Ramës, jo vetëm në qarkun e Beratit, por në të gjithë Shqipërinë.

Ecim çdo ditë në rrugët e Tiranës dhe shikojmë se si çdo ditë e më shumë terrori dhe frika kanë kapur qytetarët. Në rrjetet sociale tallen apo edhe bëjnë humor, duke thënë nëse do të shkoni të pini  një kafe, një ujë në bllok mos harroni jelekun antiplumb me vete.

Në mes të bllokut 50 metra larg zyrës së Kryetarit të Parlamentit, 100 metra larg zyrës së kryeministrit, ndodh një lojë luftash midis bandave, midis realitetit të tyre dhe në fakt aty është gjithë rinia e Tiranës, që kalon aty orët e pasdites.

Mund të përmendim raste pafund, ashtu siç mund të themi që janë mijëra raste nga Policia e Shtetit që janë të pazbuluara, apo edhe mijëra raste ku kriminelët janë të identifikuar dhe nuk ndalohen qoftë nga Policia, apo qoftë edhe nga Prokuroria.

Folëm për Reformën në Drejtësi të cilës i dhamë konsensusin në 2016 dhe kjo reformë jo vetëm që u kap nga mazhoranca e Edi Ramës, por kjo reformë po përdoret si një mundësi shpëtimi dhe përfitimi për kriimin e organizuar dhe si një kamzhik në dorë për qytetarët e thjeshtë. Është trumpetuar me të madhe që korrupsioni në Gjykata dhe Prokurori do të shpëtonte shqiptarët dhe do t’u jepte shansin e zhvillimit të tyre, apo shansin e zgjidhje të problemeve të tyre. Jo vetëm që s’ju dha atyre, por edhe po zvarritet akoma më shumë.

Sot Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese, sot Shqipëria është pa Gjykatë të Lartë, sot Shqipëria është pa Prokurori të Krimeve të Rënda, për shkak të kësaj reforme të kapur nga Edi Rama, të cilit nuk i intereson për të ndërtuar institucionet e hetimit siç është SPAK-u dhe Byroja e Hetimit, sepse ato do të jenë dy institucione, të cilat të parin të akuzuar që do të marrin do të jetë Edi Rama. Por ai po pret çdo ditë e më shumë për të ndërtuar këto dy institucione që të funksionojnë për të.

Problemet pafundësisht po të shkojnë te ekonomia. Besoj se ju të gjithë e shikoni dhe jo vetëm ju, por edhe një qytetar më i thjeshtë, shikon se si sot pagat jo vetëm që nuk janë rritur, por duke parë me çmimet dhe taksat që po paguani sot, pagat e tyre apo pensionet e tyre janë zhvlerësuar. Nëse deri dje qytetarët paguanin x lekë për ujin apo për dritat, sot paguajnë 2-3 fishin për të njëjtin konsum ose për konsum më pak.

Kemi me qindra të rinj dhe të reja që largohen nga Shqipëria. Ne e ndjejmë çdo ditë dhe e shikojmë, sepse këtë vit shkollor, shkolla ka pasur 260 mijë nxënës më pak se ç’ka pasur në vitin ’90, pra kur ishte kulmi i emigracionit dhe i shpërnguljes së shqiptarëve për të ikur drejt Europës.

Pra jemi në një situatë alarmante, ku për hir të së vërtetës zgjidhja e këtyre problemeve nuk është thjeshtë denoncimi, se sot nuk ka më nevojë ti thuash të varfërit që je i varfër, sot është momenti për të reaguar, është për të reaguar ndaj gjithë këtij fenomeni kriminal, i cili ka kapur shtetin. Ne sot themi që jemi në demokraci, po për hir të së vërtetës demokracia është zero, kur dëgjojmë nga goja e kryeministrit tonë qesharak që për hir të së vërtetës është një nga fatkeqësitë më të mëdha në Shqipëri, kërkon të propozojë Paketën Antishpifje, kur harron që kryeshpifësi i parë sot në Shqipëri sot është Edi Rama. Sepse nëse ti denoncon një krim, nëse ti denoncon një korrupsion, nëse ti denoncon një padrejtësi, sot quhet shpifje për Edi Ramën. Nëse bandat e Edi Ramës vrasin dhe përdhunojnë, kjo nuk është shpifje, por është drejtësia e munguar e shqiptarëve.

Pra ajo ç’ka dua të them është që ne si LSI, nuk na ka mbetur më gjë tjetër, por na ka mbetur e vetmja rrugë, rruga e sensibilizimit dhe e reagimit të drejtpërdrejtë e reagimit ndaj kësaj qeverisje kriminale.

Ne jemi në kuadrin e lëvizjes, kemi qenë në qytete të tjera. Dje kemi qenë në Cërrik e kështu me rradhë, do të vazhdojmë edhe në rrethe të tjera për t’u takuar me strukturat e LSI, sepse detyra jonë tashmë nuk është vetëm për t’u mbledhur me njëri-tjetrin për të qarë halle apo për të krijuar alternativa, sepse ne kemi një nga programet më të mira. Programi i LSI në zgjedhjet e kaluara porsa i përket punësimit të të rinjve, porsa i përket bujqësisë, përsa i përket arsimimit dhe shëndetësisë, por sot programi më i mirë është të çrrënjosim krimin dhe bandat nga shteti ynë.

Pse e them këtë? E them sepse sot ne kemi një politikë të kriminalizuar, sepse Vettingu në politikë do të dekriminalizonte politikën, sepse ky dekriminalizim i politikës do të dekriminalizonte institucionet e shtetit dhe dekriminalizimi i ekonomisë shqiptare, pra Vettingu i monopoleve apo edhe i oligarkëve, të cilët me paratë e buxhetit të shtetit po i rrjepin dhe po i pinë gjakun shqiptarëve, do të krijonte mundësinë e çlirimit të ekonomisë, sepse duke çliruar ekonominë ne do të krijonim mundësi punësimi sa më shumë shqiptarëve.

Edi Ramës i intereson që ta kriminalizojë administratën e shtetit, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund të mbajë të nënshtruar shqiptarët, me frikë, me dhunë dhe me presion ndaj tyre. Por kjo i eci në 2017 për shkak se partitë politike ishin të përçara, ishin të fokusuar se do të ndërtonin një palë zgjedhje të ndershme dhe të lira, por vetëm kështu nuk ishin zgjedhjet e fundit. Zgjedhjet e fundit ishin zgjedhjet e drogës, ishin zgjedhjet e krimit të organizuar, të cilat u përballën me armët e bandave, të cilat Edi Rama i licencoi për t’ju marrë taksën 1 herë në 4 vjet kur janë në periudhën e zgjedhjeve.

Pse e themi këtë? E themi këtë sepse sot Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër që të bojatisë fasadat e mureve, nuk ka nevojë të rregullojë fasadën e një godine të kalbur, të cilës themelet e saj janë shkatërruar, por sot Shqipëria ka nevojë për të ngritur themele të forta të shtetit, për të ngritur themele të forta të sistemit që i shërbejnë qytetarëve të saj.

Këto themele të cilat në 27-28 vjet në tranzicion, pavarësisht me të mirat dhe të këqijat e saj, politika shqiptare është munduar me të mirat apo edhe me të këqijat e saj, për ti ndërtuar dhe ngriti disa themele të brishta, sot Edi Rama edhe ato pak themele që kanë qenë, i rrënoi. Sot ne jemi pa Prokurori dhe pa Gjykata për të dënuar krimin e organizuar, sot ne nuk kemi ekonomi dëgjojmë ministrin e Financave që thotë se ne do të marrim 500 milion euro borxh, të cilat vetëm për të rritur pagat dhe pensionet e shqiptarëve, nuk i merr këto para borxh, por i merr për të paguar detyrimet ndaj oligarkëve, ndaj PPP-ve të famshme, pra ndaj koncesioneve të Edi Ramës.

Sot ne kemi mbi 40 mijë familje të përzëna nga skema ekonomike vetëm sepse kanë një televizor apo një lavatriçe, që ne e dimë shumë mirë që secila nga familjet e varfra ka mundësi për ta marrë të falur apo të dhuruar një element të tillë, por ai i përzë nga skema, sepse këto para të ndihmës ekonomike, ai nuk ka ndërmend t’ua japi familjeve të varfra, por ka ndërmend ti shpërndajë te kontingjenti i facebook-istëve të vet, për të bërë like dhe share statuset e Edi Ramës.

Mendoj që sot është shumë e rëndësishme për t’u zgjuar dhe për të reaguar, prandaj edhe detyra e të gjithë strukturave të LSI-së nuk është thjeshtë më të konstatojmë, se s’kemi më çfarë të konstatojmë, kemi një shtet të rënë, kemi një shtet të kapur, kemi një drejtësi të kapur, kemi një drejtësi të rënë, kemi një vend që është pa Gjykatë Kushtetuese, kemi një vend që është pa një Gjykatë të Lartë, për të cilën shqiptarët nëse konstatojnë një padrejtësi nuk dinë ku të drejtohen më dhe e shikojnë të arsyeshme reagimin tonë qytetar.

Ne si një parti opozitare, të cilën prej një viti e morëm një reagim të tillë për të qenë në opozitë, jo sepse nuk na pëlqente pushteti, sepse nuk besoj se ka njeri që nuk e do pushtetin, por ne nuk donim të ishim palë e këtij degradimi dhe e këtij kriminalizimi apo inkriminimi të institucioneve të shtetit. Ishte një nga vendimet më të forta që ne morëm, por në anën tjetër  ishte një nga vendimet më të mira që ne morëm. Ne mund të kemi pasur gabimet tona, sepse njerëzor jemi dhe mund të bëjmë gabime, por me banda, me trafik droge dhe me kriminelë, LSI nuk është marrë asnjëherë. Dhe me ato pak gabime që ne kemi pasur qoftë në marrëdhënie me njerëzit, qoftë me punët tona, ne pranuam që të dalim në opozitë, të marrim përgjegjësitë tona, të reflektojmë, të analizojmë në mënyrë të tillë që të kemi mundësinë e përmirësimit jo vetëm me qytetarët, por në rradhë të parë edhe me veten tonë, sepse kemi detyrim në rradhë të parë ndaj elektoratit tonë, ndaj njerëzve që na kanë votuar dhe ndaj të gjithë atyre djemve dhe vajzave të cilët kanë kontribuar për të pasur sot një LSI, e cila ka sot 225 mijë vota.

Nuk janë pak, janë 225 mijë zemra, të cilat kanë qëndruar me heroizëm të paparë dhe unë përfitoj nga rasti për të falënderuar të gjithë ata qytetarë që votuan LSI, jo vetëm në qarkun e Beratit, por në të gjithë Shqipërinë. E them këtë sepse kjo ishte një nga mundësitë më të mëdha që do ti japim sot Shqipërisë të gjithë së bashku për të ndryshuar këtë realitet.

Këto 225 mijë vota janë 225 mijë kamzhikë, të cilët do të dyfishohen kundër Edi Ramës. E them këtë sepse Edi Rama nuk është se ka nevojë për kamzhikun si element kamzhik, por Edi Rama ka nevojë të kujtojë që shteti drejtohet me drejtësi dhe me burrëri. Shteti nuk drejtohet me frikë, shteti nuk drejtohet me banda dhe as me kriminelë dhe as me frikacakë. Shteti drejtohet me ligje, shteti drejtohet me Kushtetutë dhe shteti drejtohet me drejtësi për të gjithë qytetarët.

Nuk mund të jetë djali i një deputeti të Edi Ramës më i mirë se djali i një fermeri, apo i një të papuni apo i një mjeku, mësuesi apo i kujtdo, më i mirë se secili tjetër. Nuk i takon absolutisht një sjellje me dy standarde, kush është me pushtet dhe mik i Edi Ramës, apo kush ha dhe pi me Edi Ramën është i pakapshëm dhe i ka të gjitha privilegjet. Të gjithë jemi të barabartë përpara shtetit dhe para ligjit. Aq më shumë kryeministri dhe klasa politike. Prandaj ajo çka ne duam sot që secili nga ne me strukturat e LSI, jo vetëm të zgjerojmë strukturat tona, jo vetëm të hapemi dhe të kontaktojmë me njerëzit për t’i sensibilizuar dhe për t’i zgjuar, por për t’i krijuar shanset dhe mundësitë dhe gjithë atyre socialistëve të zhgënjyer sepse jeni ju ata që jeni në kontakt më shumë se ne me ta, të cilët jo vetëm zhgënjehen çdo ditë e më shumë, por janë kapur peng dhe shfrytëzohen nga kriminalizimi i Partisë Socialiste nga sekti kriminal i Rilindjes. Prandaj u bëj thirrje sidomos strukturave të LSI-së, të krijojnë hapësirën për këta njerëz të zhgënjyer Partia Socialiste që do të vijnë drejt nesh, në mënyrë të tillë që kontributi i LSI-së së bashku me Partinë Socialiste, atë pjesë të ndershme, të kemi dhe t’i japim një realitet komplet tjetër më të mirë, jo vetëm Beratit, por të gjithë Shqipërisë. Dhe shanset janë. Janë pafundësisht sepse ne e ndjejmë kudo që shkojmë. Jo vetëm në Tiranë ku ky realitet po ndryshon çdo ditë e më shumë sepse janë kthyer mbledhjet e Partisë Socialiste në beteja punësimesh dhe emërimesh, ku deputetët zihen me përfaqësues të Partisë Socialiste sepse strukturat drejtuese të Rilindjes punësojnë vetëm familjarë të kriminelëve apo të të kërkuarve dhe nuk krijojnë asnjë mundësi për socialistët e ndershëm. Ashtu sikurse edhe me strukturat e partive të tjera opozitare, të cilat për hir të së vërtetës sot Fronti Opozitar është mazhorancë numerike. Pra të gjitha partitë që janë në një front janë më shumë vota seç ka Edi Rama. Edi Rama edhe në 2017 mori vetëm 48% të votave të shqiptarëve. Pra nuk mori shumicë, nuk mori 50%. Por përfitoi nga hilet, nga mashtrimi dhe besnikëria, qoftë e Lëvizjes Socialiste për Integrim apo nga mashtrimi që i bëri Lulzim Bashës me marrëveshjen e 17 majit. Por tashmë jemi në realitete të tjera. Tashmë jemi në pozicione të tjera lufte përballë Edi Ramës. Nuk është më luftë politike ndaj Edi Ramës dhe krimit të organizuar , por është një luftë mbijetese për të ardhmen e të rinjve shqiptarë, për të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse nuk mund të jetë Edi Rama ai që do shkatërrojë të ardhmen e Shqipërisë, por do të jetë Edi Rama ai që do të largohet dhe të rinjtë shqiptarë dhe shqiptarët do marrin fatet e tyre në dorë. Nuk them që kemi një klasë politike perfekte. Nuk mund të themi që jemi shumë të mirë sepse edhe ne si ju jemi njerëzorë. Vota juaj na ka sjellë këtu ku jemi ne sot. Por po të jemi të gjithë bashkë, po të kontaktojmë, po të mbajmë lidhjet, po të mblidhemi, po të hapen zyrat e LSI-së dhe të jenë në funksion të përditshëm, po të mbajmë kontaktin e përditshëm me njëri tjetrin, do ta shikoni që situata do të ndryshojë shumë shpejt. 85% e shqiptarëve janë të zhgënjyer nga Edi Rama. E di çdo të thotë 85%? Revolucion. Pra këta 85%  shqiptarë, të cilët janë në shumicë, duhen zgjuar dhe duhen organizuar në mënyrë të tillë që nuk mund t’i ndalë dot më askush. Nuk i ndalin dot as reformat e Edi Ramës, nuk do t’i ndalë dot ad policia e Edi Ramës, as bandat e Edi Ramës. Por përkundrazi ato segmente të ndershme të Policisë së Shtetit do të jenë pjesë me popullin, sepse edhe ata policë të cilët luftojnë dhe përballen me krimin e organizuar janë bij nënash. Por edhe ata pjesë të administratës civile të cilët jo vetëm janë të zhgënjyer, por kanë kthyer në njerëz të cilët shpërndajnë dhe bëjnë like statuset e Edi Ramës me urdhër nga lart, do të jenë të parët që do të revoltohen dhe do ta rrëzojnë këtë regjim të frikshëm. Nuk dua të zgjatem shumë sepse dua t’ia jap fjalën Nasipit deputetit tuaj i cili përfaqëson qarkun e Beratit në Parlament në mënyrën më dinjitoze. Do të doja vetëm të shtoja një fjali. Sot ne nuk kemi nevojë për fjalë të mëdha. Sot ne kemi nevojë për t’i dhënë dorën njëri tjetrit për të krijuar atë lloji revanshi të mirë ndaj këtij krimi të organizuar. Krimi i organizuar që është sot në krye të shtetit është në minorancë përballë qytetarëve. Prandaj kjo shumicë sa më e fortë të jetë, sa më solide të jetë, sa më e konsoliduar të jetë, aq më e shpejtë dhe më vepruese do të jetë. Kemi dy rrugë : ose të zvarritemi në llumin e Edi Ramës dhe të bëhemi pis të gjithë ose të reagojmë dhe ta sulmojmë njëherë e përgjithmonë dhe ta rrëzojmë në mënyrë të tillë që t’i hapim shanset dhe mundësitë të gjithë qytetarëve për të qenë të barabartë përpara ligjit dhe përpara shtetit. Edi Rama e di shumë mirë këtë gjë sepse ka qenë një nga ata njerëz i cili ka 20 vjet në pushtet, sa të gjithë ish-kryeministrat.

Është njeriu që ka jetëgjatësinë më të madhe në pushtet dhe tahmaqarllëku i tij do na marrë në qafë sepse edhe ikja e tij do të jetë shumë e dhimbshme për të. Nuk do ta largoj opozita por do ta largoj populli dhe ai frikën e popullit ka, nuk ka frikën e opozitës. Por ne si opozitë, ne si drejtues të opozitës kemi për detyrë t’ju orientojmë, t’ju hapim sytë dhe t’ju zgjojmë nga gjumi i hashashit të Edi Ramës që i ka futur shqiptarët. Nuk pasurohen shqiptarët duke mbjellë fushat e begata të Shqipërisë me kanabis, nuk pasurohen shqiptarët duke i kthyer fëmijët e tyre në transportues të drogave, nuk pasurohen shqiptarët duke qenë pjesë e krimit të organizuar, shqiptarët pasurohen duke zhvilluar vendin e tyre, duke zhvilluar bujqësinë, infrastrukturën, arsimin dhe shëndetësinë. Kjo është Shqipëria që ne duam, kjo është Shqipëria që ne ëndërrojmë, kjo është Shqipëria që kanë nevojë fëmijët tanë. Ne nuk kemi nevojë për sistemin e krimit, ne nuk kemi nevojë për sistemin e drogës, ne kemi nevojë për sistemin që u shërben qytetarëve, ne kemi nevojë për sistemin që u jep shanse të barabarta shqiptarëve pa dallim krahine, feje dhe ideje.

Faleminderit!