Sigal

Nga: Operatorët Televizivë Lokalë dhe Rajonalë

Në vijim të komunikimeve të vazhdueshme më parë dhe takimit të zhvilluar më dt 24.07.2018 në Hotel Rogner në prezencën e deputeteve të Komisionit të medias, Autoritetit te Mediave Audivizive, Radio Televizionit Publik Shqiptar dhe përfaqësuesve të mbi 70 mediave lokale dhe rajonale, ku u shpreh qartë alarmi për rrezikun që i kanoset mediave lokale, të drejtës kushtetuese për informim si dhe fjalës së lire nga pozicioni monopol i mediave të mëdha me mbështetjen e AMA-s e, ndjemë për detyrë edhe njëherë t’ju përcjellim alarmin se situata po agravohet më tej duke shkelur të drejtat kushtetuese, ligjet si dhe eksperiencat demokratike të realizimit të këtij procesi në vendet fqinje. Situata po rrokulliset me shpejtësi drejt monopolizimit të mediave si dhe krijimit te “vathës” qeveritare te informimit. Po flitet shumë këto kohë për oligarkitë financiare, oligarkinë e krimit por është anashkaluar koncepti i oligarkisë së medaive, e cila për mendimin tonë është prologu i instalimit të diktaturave, gjë që besojmë se asnjëri prej nesh nuk e dëshiron, duke pasur parasysh eksperiencën e hidhur të së shkuarës. Prandaj, ju ftojmë të bëhemi bashkë që fjala e lirë, informacioni dhe mediat lokale si përcjellës të interesave te komuniteteve ku operojnë të zhvillohet brenda një klime të ndershme konkurrence në raport me mjedisin demokratik kaq të brishtë që ekziston në vendin tonë. Edhe njëherë po ju rikujtojmë kërkesat për të cilat nga ana juaj u la detyrë të analizoheshin dhe të merreshin masat e duhura gjë e cila nuk ka ndodhur. Përkundrazi situata sa vjen e agravohet duke u konvertuar në një fushatë të shfrenuar shitjeje dekoderash në interes të televizioneve të mëdha. Konstatimet tona: Nuk ka gjetur zbatim Ligji 97/2013 ku thuhet shprehimisht se një nga platformat e transmetimeve digjitale do të ishte në dispozicion të transmetuesve televizivë lokalë dhe rajonalë. Komisioni Parlamentar i Medias la si detyrë shqyrtimin e zbatimit të Ligjit 97/2013, për pajisjen e te gjithë televizioneve lokale dhe rajonale me platformën e tyre. Nga informacionet që kemi marrë nga specialistë vendas dhe të huaj, ekziston mundësia e ndërtimit të një sub-alokmenti për qarqet Tiranë-Durrës. Nuk është zbatuar Ligji nr 34/2017, mbi rregullimin e proceseve të digjitalizimit mbi mënyrën e pagesës dhe të dëmshpërblimit. AMA ende nuk garanton listën e numrit logjik të shërbimeve programore audiovizive, e miratuar po nga AMA, gjë e cila rezulton me kanale të zëna nga operatorë të tjerë televizivë, të cilët nuk kanë lidhje me kanalet tona. Në një situatë të tillë, është e pamundur nga ana jonë transferimi i audiencës në platformat digjitale sepse ne dekodera të ndryshëm, ndryshon numri rendor, gjë e cila nxjerr jashtë përdorimit informimin e qytetarëve nga ekranet tona. U diskutua që një situatë e tillë e bën të pa mundur ndërprerjen e sinjaleve analoge, pasi nuk është krijuar ende infrastruktura e nevojshme për të kaluar në platformën digjitale. Në një situatë të tillë Komisioni i Mediave rekomandoi: Mundësinë e shtyrjes së datës së mbylljes së frekuencave analoge deri ne fund te vitit 2018. Përpara ndërprerjes së transmetimeve analoge në fillim të muajit shtator, të organizohet një tryezë e ngushtë teknike me grupet e interesit për ti dhënë zgjidhje problemeve të mësipërme, pasi një situatë e tillë jo vetëm që ka nxjerrë jashtë kontrollit prezencën e frekuencave (pozicionin e gjithsecilit), por sjell pasoja të rënda si në marrjen e informacionit nga qytetarët (një e drejtë e tyre kushtetuese), po ashtu prish konkurrencën e ndershme dhe çon drejt eliminimit operatorët lokalë dhe rajonalë , të cilët vazhdojnë të paguajnë AMA-n, si rregullatorin e vetëm të tregut mediatik shqiptar. Në pritje, të këtij takimi i cili nuk u organizua kurrë shprehim edhe njëherë shqetësimin që kjo hapësirë kohore deri ne dhjetor po shfrytëzohet nga AMA me marrje vendimesh ekstreme në dem te operatorëve lokale dhe rajonale Tiranë-Durrës dhe qytetareve të pamundur të çilet po detyrohen të rrinë ne radha të gjata për t’u pajisur me dekodera që nuk garantojnë paketën falas për ta. Fax News, Shijak TV, UTV, IN TV, Kuksi TV, Adrianet TV, Elrodi Music TV, NTV