Sigal

Kafe

Mëngjes apo drekë
te lokali ballas,
kafja 60 lekë,
po sheqeri falas.

Dikush hedh ca llafe:
– Zoti Kamerier,
një filxhan me kafe,
një thes me sheqer!

Gjinkalla

Llap e s’resht me zë të çjerrë,
e ka llapën me ofertë…

Hallexhiu

Dhelpra, Ujku në tryezë;
tok me ta, zoti Këndes,
një kaposh kockë e lëkurë.

Kamerieri, mesoburrë,
një Majmun, qëndis faturë
buzagaz e sigurisht
ia var Gjelit mu në bisht.

– Kush të tha, more Majmun,
se këtu paguaj unë?

– Eh, të njoha, o i shkretë:
një mal halle kam dhe vetë!

Ngrohje globale

Pleksen stinët si rrallëherë:
Vera – Dimër, Dimri – Verë.
Ç’kodosh ngrohje, mor man,
unë po ngrij, jam bërë kallkan!

Dashnori

Ia qan hallin Shoqes njëra:
– Dje Dashnorit, di, ç’i bëra?
Na, ia mblodha, ka si kusht
të mos sillet më si pusht,
ndryshe s’do t’i lë kusurin:
do ta tradhtoj me Burrin!

Në mëdyshje

Majmuneshës, dreq o punë,
pas iu qepën tre Majmunë.
Jo më kot se, paça Krishtin,
që të treve u tundi bishtin.
Me vetveten mollois
në mëtreshje: – Nga t’ia nis?!

Jarani

Fshehur, strukur në dollap,
tërë kujdesje derën hap,
zvarrit këmbët, mos o Zot,
rrasur, ngjeshur në kapotë…
Zgjohet Burri, flet në krizë:
– Kush je ti, që po lëviz?

Fët Jarani me kurriz:
– Nga dollapi sapo dola,
byrazer, jam vetë mola…

Burrëziu

Burrëziu te ballkoni
gjen jaranin, qe Gjitoni,
që po shtirej si i shkretë:
– Ç’bëj këtu, s’e di as vetë!

Burrëqyqi: “Rri i qetë,
çfarë s’ngjet në këtë jetë!
Hyra mbrëmë në tualet,
zë një birbo me kasketë:
– Mos u tremb, – më tha si shok, –
shpoj për naftë, jam gjeolog!”

Dhëmballa

Zonja keq kish një dhëmballë,
te klinika ngjiti shkallë.
Por Dentisti, sikur thonë,
fët e shtriu në poltronë.
Ç’u çudit, po pyet Zonja:
– Pse, kaq thellë të ketë hyrë rrënja?!

Në parfumeri

Majmunesha lyp parfum.
– Do për mbrojtje a për sulm? –
pyet Shitësja kësaj here.

– Unë në fakt luaj portiere!

Eva dhe Adami

Vjen Adami në mesnatë,
i hyn Evës, fësh në shtrat.

Eva zërin në tavan:
– Me kë ishe, donzhuan?

Ky Adami po bën be:
– Në Parajsë rrojmë veç ne!

Lehtë me rrena Eva s’nginjet,
nis t’i numërojë brinjët…