Ministria e Brendshme kërkon të manipulojë listat zgjedhore

411
Sigal

Shkelen afatet ligjore të procesit zgjedhor, duke cenuar besueshmërinë e standardet e zgjedhjeve të 23 Qershorit

Konstitucioneri i njohur Njazi Jaho,  dje, në intervistën për “Telegraf”,  i mëshoi alarmit për vonesën e mosnjoftimit të zgjedhësve për  rregjistrimin e njohjen e tyre me qëndrat e votimit dhe , midis të tjerave shkruan: “Në 3 mars 2013, pritet të publikohet ekstrakti i tretë i përbërësve zgjedhorë të shtetasve që kanë vendbanimin në zonat përkatëse të qendrave të votimit. Por 3 marsi 2013, është edhe afati ligjor që kryetarët e organeve të qeverisjes vendore duhet të njoftonin me shkrim në banesën e tyre çdo zgjedhës me të drejtë vote”. Kjo vonesë ka një përgjegjës. E cila është Ministria e Brendshme, sepse asgjë nuk është transparente, në hartimin e listave zgjedhore të 23 Qershorit. Ministria e Brendshme, ende nuk ka dhënë fondet e parashikuara në ligj organeve vendore që të ushtrojnë detyrimet ligjore që kanë, sikurse informimi me shkrim i çdo votuesi për qendrën e votimit. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile mban peng listat zgjedhore dhe nuk i bën publike, edhe pse afatet ligjore, të përcaktuara në Kodin Zgjedhor po tejkalohen. Këto nuk janë shkaqe të zvarritjeve burokratike të administratës, por janë vendime politike të vetë Ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, i cili është strategu politik i organizimit dhe i (keq)mbarëvajtjes të procesit zgjedhor, të paktën deri tani. Pas 3 marsit, sipas Kodit Zgjedhor, askush nuk ka detyrimin ligjor që të informojë zgjedhësit për qendrat dhe listën e votimit, prandaj po lihet në heshtje e harresë informimi, që nesër ata që kanë në dorë, të bëjnë çfarë të duan me hartimin e listave zgjedhore. Këto veprime politike, të përgjegjshme nga vetë ministri Flamur Noka, që bien ndesh me Kodin Zgjedhor, çojnë vetëm në një rezultante. Të manipulohen votat.  Për më tepër, kjo  bindje krijohet, teksa edhe  Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi mban në sirtar, raportin e auditit të KQZ-së për dublimin e emrave të listave zgjedhore,  për 13 ditë dhe vetëm të martën, më 26 shkurt, e ka dërguar në Ministrinë e Brendshme dhe siç pohoi për “Telegraf”, edhe përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, “I kërkuam arsyet përse zonja Kryetare e KQZ-së, Lleshi mbajti në sirtar 13 ditë auditin e KQZ-së për dublimet në regjistrat e Gjendjes Civile, por nuk morëm përgjigje të justifikueshme nga zonja Lleshi”. Kjo dëshmon, që edhe Kryetarja e KQZ-së, sikurse edhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, sikurse edhe Ministria e Brendshme, mbajnë- në marrëveshje me njëri-tjetrin, peng listat e votuesve. Ndërsa, asnjë njësi e qeverisjes vendore në mbarë vendin, nuk ka  njoftuar me shkrim dhe me kundër-firmë çdo zgjedhës në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku t’i bëjë me dije nëse është i përfshirë në listat e zgjedhësve, me çfarë numri rendor si dhe në cilën qendër votimi do të votojë. Dhe sipas, Koalicionit të  Vëzhguesve Vendorë (KË), “ Kjo i faturohet Ministrisë së Brendshme pasi nuk ka lëvruar fondin përkatës për njoftimin e zgjedhësve dhe Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile nuk gjeneron pranë njësive te pushtetit vendor “Modelin Nr. 1”, të nevojshëm për t’u përdorur për njoftimin e qytetarëve”.  3 marsi 2013, është edhe afati ligjor që kryetarët e organeve të qeverisjes vendore duhet të njoftonin me shkrim në banesën e tyre çdo zgjedhës me të drejtë vote.  Auditi i KQZ-së, qoftë ai i maxhorancës, qoftë edhe i opozitës, sollën në dritë 45.000- 63.000 mijë emra të dubluar dhe çrregullsi të tjera në regjistrimin e popullsisë,  në gjithë vendin. Askush nuk mund të thotë që këto dublime janë të votuesve që janë aktualisht në Shqipëri dhe jo emigrant, pra votues të rregullt? Po të jenë se shumica janë votues të rregullt, këto dublime mund të lozin një rol vendimtar në rezultatin zgjedhor. Në qoftë se në votime marrin pjesë pak më shumë se 50 % e numrit të përgjithshëm te votuesve, numri i madh i dublimeve në regjistrat e gjendjes civile, ( dhe në listat zgjedhore, natyrisht), e parë në rezonancë edhe me numrin e votuesve për 1 mandat të fituar,  që është afërsisht 9-10 mijë votues për një mandat,  del se vetëm nga numri i dubluar, një parti mund të fitojë 4-5 deputetë. P.sh, Koalicioni Aleanca e Ndryshimit, mori 712.745 vota dhe nxori 70 deputetë dhe Koalicioni Bashkimi për Ndryshimin mori 688.748 vota dhe nxori 66 deputetë dhe në bazë të aritmetikës së llogaritjes të 1 mandati, i bie që afërsisht 60.000 emra të dubluar (po qe se janë ata që do të votojnë  të sigurt, pasi jo rastësisht, mund të jenë të dubluar) të nxjerrin  6 deputetë, kuptohet, që mjafton vetëm të votojnë dy herë të gjithë ata që kanë të dubluar emrat në listat e votimit, që të manipulohet edhe rezultati zgjedhor.

Manipulimi i zgjedhjeve me strategjinë e dublimit të emrave në listat

Në qoftë se në votime marrin pjesë pak më shumë se 50 % e numrit të përgjithshëm te votuesve, numri i madh i dublimeve në regjistrat e gjendjes civile, ( dhe në listat zgjedhore, natyrisht), e parë në rezonancë edhe me numrin e votuesve për 1 mandat të fituar,  që është afërsisht 9-10 mijë votues për një mandat,  del se vetëm nga numri i dubluar, një parti mund të fitojë 4-5 deputetë. P.sh, Koalicioni Aleanca e Ndryshimit, mori 712.745 vota dhe nxori 70 deputetë dhe Koalicioni Bashkimi për Ndryshimin mori 688.748 vota dhe nxori 66 deputetë  dhe në bazë të aritmetikës së llogaritjes të 1 mandati, i bie që afërsisht 60.000 emra të dubluar ( po qe se janë ata që do të votojnë  të sigurt, pasi jo rastësisht, mund të jenë të dubluar) të nxjerrin  6 deputetë, kuptohet, që mjafton vetëm të votojnë dy herë të gjithë ata që kanë të dubluar emrat në listat e votimit, që të manipulohet edhe rezultati zgjedhor.

 Flasin  për “Telegraf”

Ilirajan Muho, anëtari i KQZ-së:

Nuk ka asnjë zvarritje, thjesht bëhen kolaudimet e fundit. Pak qendra kanë mbetur për të informuar zgjedhësit nëpër shtëpitë dhe besoj se do të përfundojë brenda afatit”. Ndërsa, për mosdhënien e fondeve nga ministria e Brendshme bashkive dhe komunave për informimin e votuesve, zoti Miho pohoi që nuk di gjë, pasi këto, sipas tij, janë raporte të brendshme midis tyre. Për mbajtjen për 13 ditë,  në sirtar nga Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi,  të auditit për dublimin e emrave në regjistrat e Gjendjes Civile, zoti Muho, tha se, auditi është përcjellë në Ministrinë e Brendshme nga KQZ-ja dhe nuk ka dijeni nëse ka qëndruar kaq kohë në sirtar. Zoti Muho, kundërshtoi faktin që Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile mban peng listat e zgjedhësve, ose ekstraktin e tretë i përbërësve zgjedhorë të zgjedhjeve, siç thuhet tashmë, pasi kjo, sipas pohimit të zotit Muho,  është bërë publike më parë.

Damian Gjiknuri, Sekretari i Çështjeve Zgjedhore të PS-së

Deri tani, nuk është bërë asgjë për listat zgjedhore, pasi bashkitë dhe komunat nuk kanë marrë fondin e ligjëruar nga Ministria e Brendshme për të bërë, sipas Kodit Zgjedhor, informimin dhe publikimin e listave. Dështuan në një detyrim ligjor. Çdo vonesë e mëtejshme në publikimin e listave  vë në dyshim transparencën dhe ndershmërinë e vetë procesit zgjedhor.

Genc Gjonçaj, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ

Shkelja a afateve për informimin me shkrim të votuesve për qendrat e votimit dhe përgatitjen e listave, janë papërgjegjshmëri. Kryetarja e KQZ-së, vetëm dje përcolli në Ministrinë e Brendshme raportin e auditit, duke e mbajtur atë për 13 ditë në sirtar, madje nuk donte të na jepte asnjë shpjegim për këtë vonesë. Janë tejkaluar afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor edhe për monitorimin e sistemit  pilot të numërimit elektronik e votimit elektronik Justifikimi që na është dhënë nga Kryetarja e KQZ-së është se akoma nuk kanë mbaruar dhënia e tenderave dhe nënshkrimi i kontratave. Këto janë çështje shqetësuese e cenojnë besueshmërinë e procesit dhe standardet e zgjedhjeve.

 KQZ miraton vlerësimin e fletëve të kontestuara nga SEN

KQZ-ja  në mbledhjen e djeshme  pas debateve miratoi:  Projekt-vendimin “Për miratimin e modeleve të rezultateve që do të printohen nga SEN për QV- në dhe ZAZ-në në qarkun Fier, në zgjedhjet për Kuvendin 2013”. Rezultatet në Qendrën e Votimit dhe në Zonën e Administrimit Zgjedhor do të paraqiten sipas modeleve të tabelave përmbledhëse të miratuara nga KQZ.  Projekt-vendimi “Për miratimin e modelit të vendimit të KZAZ-ve, të qarkut Fier, për vlerësimin e fletëve të votimit të kontestuara nga SEN për zgjedhjet për Kuvend të datës 23 Qershor 2013”. Fletët e votimit të kontestuara nga SEN, do të vlerësohen me vendim nga KZAZ-ja përkatëse sipas modelit të vendimit të miratuar nga KQZ. Projekt-vendimin “Për unifikimin e praktikës së vlerësimit të fletëve të votimit nga personat e ngarkuar nga Kodi Zgjedhor, për numërimin dhe vlerësimin e votave”.

  Mosnjoftimi i zgjedhësve, shkelje serioze e procesit të saktësimit të listave

Me anë të një deklarate të KË-së, i mëshohet alarmit se mosnjoftimi i zgjedhësve, është shkelje serioze e procesit të saktësimit të listave.  Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KË)  konstaton me shumë shqetësim deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar nga situata e paraqitur në deklaratën e datës 10 Shkurt 2013. Nga kontaktet e marra me Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe Ministrinë e Brendshme, vërehet se po veprohet në mënyrë flagrante ndaj të vetmit detyrim ligjor që ka shteti shqiptar për të njoftuar me shkrim dhe me kundër-firmë çdo zgjedhës në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku t’i bëjë me dije nëse është i përfshirë në listat e zgjedhësve, me çfarë numri rendor si dhe në cilën qendër votimi do të votojë. Ky proces nuk ka filluar jo vetëm në 139 Njësitë e Qeverisjes Vendore që kanë pasur apo kanë probleme me listat dhe vendndodhjet e qendrave të votimit të gjobitura nga KQZ-ja, por, nuk ka filluar në asnjë Njësi të Qeverisjes Vendore në mbarë vendin. Kjo i faturohet Ministrisë së Brendshme pasi nuk ka lëvruar fondin përkatës për njoftimin e zgjedhësve dhe Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile nuk gjeneron pranë njësive te pushtetit vendor “Modelin Nr. 1”, të nevojshëm për tu përdorur për njoftimin e qytetarëve. Koalicioni e konsideron alarmante këtë situatë, pasi pas datës 3 Mars askush nuk  detyrohet më nga ligji për të njoftuar qytetarët për qenien apo jo të tyre në listë.