Darka e gabuar e drejtuesve të policisë shqiptare, pakujdesi apo faj

608
Sigal

Flasin ish- ministrat e Brendshëm të PS-së, Petro Koçi, Stefan Çipa dhe ish- kreu i SHISH-it, Fatos Klosi

Duket se disa prej drejtuesve më të lartë të Policisë Shqiptare, janë gjendur në kohën e gabuar, në Malin e Dajtit, ku janë bërë protagonistë të një fotografie, e cila më vonë do të përdorej kundër tyre. Për momentin e parë, publikimi i këtyre fotografive ka tronditur opinionin dhe forcat e policisë shqiptare, por më vonë, pas sqarimeve është mësuar se, darka, apo dreka, në një restorant të Malit të Dajtit, i përket vitit 2010, apo 2011. Pra, sipas prononcimeve të bëra publikisht, nga të gjithë të pranishmit e kësaj darke, rezulton se biznesmeni Arben Frroku është gjendur rastësisht, në tryezën e krerëve të policisë dhe ka kërkuar të bëjë një fotografi me ta. Ky ishte sqarimi i dhënë nga të gjithë pjesëmarrësit e asaj darke, e cila padyshim, sot mund të quhet “darka e gabuar e drejtorëve të policisë”.

Fotografia 

Sipas fotografisë, rezulton se i dyshuari kryesor për vrasjen e Kryekomisarit, Dritan Lamaj, biznesmeni Arben Frroku ka pasur njohje me drejtues të rëndësishëm të policisë në vend, ose të paktën me ndonjërin prej tyre. Një foto e bërë publike nga një televizion privat, tregon momentet private të biznesmenit Frroku, duke darkuar me Agron Kuliçajn, Tonin Vocajn, Met Rrumbullakun dhe Nikolin Balën. Agron Kuliçaj mban postin e Drejtorit të Departamentit të Hetimit dhe zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Policisë, Tonin Vocaj mban postin e  Drejtorit të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Hetimeve, Nikolin Bala Drejtor i Njësive Operacionale Speciale dhe Met Rrumbullaku, Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike. Mësohet gjithashtu, sipas prononcimeve të tyre publike, se Tonin Vocaj dhe Agron Kuliçaj janë tërhequr nga hetimi. Sipas tyre, kjo foto është bërë mes vitit 2010 dhe 2011 dhe Frroku nuk ka qenë pjesë e darkës së tyre, por ai është afruar tek tavolina, për të bërë një fotografi. Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj e cilësoi një veprim moral, tërheqjen nga hetimet të Agron Kuliçajt dhe Tonin Vocajt, ndërsa shtoi se hetimet nuk dobësohen aspak nga kjo, pasi Policia e Shtetit, sipas tij, ka me qindra specialistë. Burgaj tha, se Policia e Shtetit, do të kryejë të gjitha hetimet e nevojshme. Ai, gjithashtu, garantoi qytetarët se do t’i shkohet deri në fund hetimeve.

 Problemet

Problemet që dalin nga kjo fotografi nuk kanë shumë lidhje me akuzat për policinë në rastin konkret, por më shumë, për faktin se, në mjaft raste, personat e akuzuar për akte kriminale rezultojnë të lidhur me zyrtarë të lartë të policisë, apo prokurorisë. Dhe këtu, mund të përmendim  edhe rastin e fundit, të vrasjes së kryekomisarit të Shijakut, ku i akuzuari rezulton se, është liruar nga gjykata, me një vendim antiligjor, ndërkohë që, zbardhja e këtij vendimi është zvarritur. Po kështu edhe rasti i gjyqit të Dritan Dajtit, ku i akuzuari është përmendur për lidhje me strukturat e larta të policisë, apo prokurorisë. Por raste të tilla janë të shumta e të panumërta, të cilat hedhin dyshime të forta tek strukturat e larta të uniformave blu, apo te togat e zeza të gjykatësve, ose tek përfaqësuesit e prokurorisë. Në raste të tilla paralizohet jo vetëm procesi gjyqësor, por krijohet një tronditje e madhe edhe tek opinioni shoqëror, duke përhapur panik tek njerëzit e pambrojtur.

 Fotografia

Që në momentin e parë të bie në sy lehtësia e zotit, Vocaj, i cili ka lënë në Facebook-un e tij, ekzistencën e kësaj fotografie edhe pas ngjarjes së rëndë, që ndodhi me vrasjen e Kryekomisarit. Kjo gjë, në analizë më të gjerë tregon se ka ndodhur, ngaqë drejtuesit e policisë nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë, ndryshe ata do të kishin nxituar t’i fshinin fotografitë menjëherë, në çastin e vrasjes. Analiza tjetër tregon se, fotografia e bërë, para se të lindte konflikti, nuk mund të penalizojë askënd për ekzistencën e një darke private. Sepse secili është i lirë të zgjedhë miqtë e vet të tavolinës, pavarësisht, se çfarë mund të ndodhë, dy-tre vjet më vonë. Por këtu, përballemi menjëherë, me hetimin e çështjes, ku çdo drejtues policie, që ka dalë në fotografi, mbetet i paragjykuar, për rezultatet e hetimit. Prandaj, dorëheqja e tyre është akti më civil, për të garantuar një hetim sa më korrekt. Gjithashtu, një pyetje tjetër shtrohet në lidhje me guximin e Vocajt, për të mbajtur fotografinë në Façebook, edhe gjatë periudhës kur incidenti i Frrokut, me Kryekomisarin Lamaj, ishte bërë publikë në mbarë opinionin shoqëror. Natyrisht, këtu nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore, por çdo kryepolic i kujdesshëm do ta kishte hequr atë.

 Akuzat

Që në momentin e parë të publikimit të vrasjes së Kryekomisarit, kreu i PS-së Edi Rama, deklaroi se, “uniformat blu të policisë tradhtohen nga pushteti”. Dhe pas daljes në dritë të kuaj fotografie, në mënyrë të shpejtë, kushdo do të nxirrte përfundimin se, “krimi bashkëpunon me policinë”  dhe se, “politika mbështet krimin”. Por, analiza e hollësishme dhe me gjak të ftohtë e çështjes, tregon se nuk është kështu. Për të qartësuar më tej, gjykimin e situatës, “Telegraf”, iu drejtua disa ish- ministrave të Brendshëm të PS-së, si edhe ish- kreut të SHISH-it, në lidhje me rrethanat dhe detajet e ngjarjes. Këtë e bëmë në mënyrë, që të kristalizohet dhe të ndahet qartazi, e vërteta nga spekulimi, si edhe fakti, nga supozimi. Me këtë rast, nuk duhet të harrojmë, se ish – ministri Luan Rama, gjatë qeverisjes së PS-së, dha dorëheqjen nga posti i tij, vetëm për një shpullë që i dha Babaramos, ndërsa ministrat e sotëm, nuk kanë ndërmend të lëvizin nga “istikami” edhe pas tre vrasjeve të Kryekomisarëve të policisë. Gjithashtu, këtu duhet të përmendim një rast analog, se kur u publikua një fotografi e ish- Kryeprokurorit Arben Rakipi, me të akuzuarin e atëhershëm, Durda, u ngrit një stuhi e madhe sulmesh ndaj Rakipit. Dhe më vonë, bashkëpunimi Berisha-Nano e largoi atë nga detyra. Ndërsa, sot, institucioni i dorëheqjes, thuajse nuk ekziston dhe vrasjet ndaj Kryekomisarëve bëhen në seri.

 INTERVISTA/ Flet ish- ministri i Brendshëm i PS-së

 Stefan Çipa: Nëse fotografia është bërë para incidentit, drejtuesit e Policisë nuk kanë faj

 Në lidhje me këtë fotografi, duhen sqaruar disa momente kryesore, të cilat kanë të bëjnë me kohën e realizimit të saj, me ekzistencën apo jo të një denoncimi dhe në lidhje me hetimet e mëtejshme”. Kështu u shpreh dje, ish ministri i Brendshëm i PS-së, Stefan Çipa, i cili nënvizoi se: “Nëse vritet vetëm një polic, apo një përfaqësuesi i uniformave blu, këtu duhet që të nisë një analizë serioze e titullarëve të ministrisë, deri poshtë në bazë. Dhe ata që kanë faj duhet të japin dorëheqjen”.

  Zoti Çipa, si ish- ministër i Brendshëm ç’mendoni për ngjarjen e publikimit të fotografive, që krerët e policisë shqiptare kanë bërë me Arben Frrokun?

 Në lidhje me këtë fotografi, duhen sqaruar disa momente kryesore.

Cilat janë këto momente?

Momenti i parë që duhet sqaruar është koha kur është bërë kjo fotografi. Dhe pyetja e dytë, që shtrohet menjëherë, pas të parës, është kjo: “A kishin dijeni përfaqësuesit e lartë të policisë shqiptare, për kërcënimin që i ishte bërë Kryekomisarit Lamaj, nga personi që sot është publikuar si akuzuar? Apo mos vallë është i vërtetë fakti, se kjo fotografi ishte bërë para se të lindte konflikti. Dhe në këtë rast, nëse fotoja është bërë para se të krijohej ky konflikt, atëherë, askush nuk ka të drejtë të kërkojë llogari, për fotot private, që ka secili prej përfaqësuesve të policisë.

Sipas deklarimeve të krerëve të policisë, thuhet se, “nuk ka pasur denoncim nga ana e Kryekomisarit Lamaj”. Ose të paktën, nga deklarimet e tyre doli që ata vetë nuk kanë dijeni për ndonjë denoncim të tillë. Ju si mendoni?

 Unë mendoj, se edhe nëse nuk ka pasur denoncim, nga Kryekomisari, Lamaj, (tani Dëshmor i Atdheut) përsëri, konflikti i tij, me personat përkatës ishte publikuar me kohë. Këtë gjë, e dinin të gjithë, por këtu duhet sqaruar mirë, vetëm momenti i daljes në fotografi, në lokalin e Malit të Dajtit. Dhe nuk ka se përse të bëhen proceduar të tjera për të fajësuar këtë, apo atë drejtues policie. Pra, përfundimisht, nëse incidenti ka ndodhur para fotografisë, atëherë këtu mund të krijohen dyshime të tjera, por nëse fotoja është bërë para incidentit, atëherë unë nuk mund të fajësoj drejtuesit e Drejtorisë së Policisë.

A mendoni se publikimi i një fotoje të tillë, do ta vështirësojë hetimin  e çështjes nga këta drejtues të policisë?

Kjo lë vend për t’u diskutuar, por mendoj se në këtë rast, menjëherë, pas publikimit të fotografisë, drejtuesit në fjalë, duhet të ishin dorëhequr nga hetimi. Në mënyrë që ky hetim të mos jetë i paragjykuar. Me sa kam marrë vesh unë, disa prej këtyre drejtuesve e kanë dhënë dorëheqjen, nga hetimi i mëtejshëm i çështjes dhe këtë gjë e konsideroj si një akt normal dhe qytetar.

Sipas jush si duhet vepruar më tej, në drejtim të hetimit të ngjarjes?

Unë mendoj se, policia shqiptare ka drejtues të aftë, me kapacitete të larta profesionale. Unë vetë, si ish – drejtues i kësaj ministrie, kam besim të patundur se uniformat tona blu, janë mjaft të përgatitura profesionalisht, për t’i bërë ballë të gjitha situatave. Problemet me policinë, kanë lindur vetëm në rastet kur veprimtaria policore paracaktohet nga qeveritarët. Pra, unë mendoj se hetimi i çështjes duhet bërë nga drejtuesit e tjerë, që pa dyshim, janë të shumtë.

Sipas jush, a ka vend këtu, për dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm?

Sipas meje, nëse vritet vetëm një polic, apo një përfaqësuesi  i uniformave blu, këtu duhet që të nisë një analizë serioze e titullarëve të ministrisë, deri poshtë në bazë. Dhe ata që kanë faj duhet të japin dorëheqjen. Por nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se këtu në Shqipëri, brenda një periudhe shumë të shkurtër, janë vrarë 3 drejtues të policisë dhe nuk është bërë asgjë. Dhe ky indiferentizëm i shtetit shqiptar, është tepër shqetësues.

 Flet ish- kreu i SHISH, Fatos Klosi

 Darkë normale, por drejtuesit duhen përjashtuar nga hetimi

 “Për mua publikimi i kësaj fotografie nuk përbën asgjë shqetësuese”. Kjo ishte përgjigja që na dha dje, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, i cili vuri në dukje se: “fotoja është bërë disa kohë përpara se të lindnin konfliktet midis biznesmenit Frroku dhe Kryekomisarit Lamaj”. Sipas Klosit, “me sa duket, ata, (drejtuesit e policisë) kanë qenë miq, ose të paktën ndonjë prej tyre ka pasur miqësi me Frrokun, Dhe kjo është diçka normale”.

 Zoti Klosi, si iu duk fotografia e drejtuesve të lartë të policisë me biznesmenin Frroku, të akuzuar për vrasjen e Kryekomisarit?

Për mua publikimi i kësaj fotografie nuk përbën asgjë shqetësuese. Kjo, sepse fotoja është bërë, disa kohë përpara se të lindnin konfliktet midis biznesmenit Jaku dhe Kryekomisarit Lamaj. Me sa duket, ata kanë qenë miq, ose të paktën ndonjë prej tyre ka pasur miqësi me Frrokun. Dhe kjo është diçka normale. Njerëzit, nuk mund të fajësohen dot, se përse para tre vjetëve, kanë pirë një kafe, apo kanë ngrënë një darkë, me dikë, i cili më vonë, akuzohet për vrasje.

Po për pjesëmarrjen e këtyre figurave të policisë në hetim, çfarë mendoni?

E mira, do të kish qenë, që ata të mos marrin pjesë, në hetimet e mëtejshme të kësaj ngjarjeje. Por duhen zëvendësuar me të tjerë. Unë them, se ka plot specialistë të zotë, që mund të vazhdojnë hetimet e mëtejshme.

Në përgjithësi, a mendoni se këtu punët janë disi të ngatërruara?

Po. Punët këtu, janë të ngatërruara nga fillimi, në mbarim, por askush nuk mund të përdorë fotografinë për të akuzuar drejtuesit përkatës të policisë, për shkelje ligjore. E theksoj edhe njëherë: Këtu deri tani, nuk ka asgjë të keqe në lidhje me këtë fotografi! Pastaj, mos harroni faktin kryesor, se këta drejtues mundësuan kapjen e të dyshuarit.

 Ish ministri i Rendit Publik, Petro Koçi

 Policia e mbushur me militantë mbi kritere krahinore

 Duhet verifikuar nëse përfaqësuesit e fotografuar aty, kanë ndonjë përgjegjësi direkte, në lidhje me figurën e të dyshuarit, për vrasjen e kryekomisarit”. Ky ka qenë mendimi i ish- ministrit të Rendit Publik, Petro Koçit, i cili vuri në dukje se, “krerët e policisë duhet të tregohen të kujdesshëm që të mos komprometohen për shkak të fotografive me “të fortë”.

  Zoti Koçi çfarë mendoni për fotografinë e publikuar?

Fotografia, në vetvete, është një moment komprometimi, por këtu çështja duhet analizuar më thellë. Dhe duhet verifikuar nëse përfaqësuesit e fotografuar aty, kanë ndonjë përgjegjësi direkte, në lidhje me figurën e të dyshuarit, për vrasjen e Kryekomisarit. E theksoj edhe njëherë, se deri tani, jemi në momentin kur Arben Frroku është thjesht, një i dyshuar, sepse hetimet e mëtejshme do të zbardhin gjithçka.

 A mendoni ju se drejtuesit e Policisë në përgjithësi, duhet të ruhen nga “publicitete” të tilla?

 Po. Mendoj, se të gjithë drejtuesit dhe specialistët e Policisë, apo të institucioneve të tjera, duhet të ruhen nga persona të panjohur, apo të njohur si “të fortë”. Sepse, çdo pakujdesi, më vonë mund të keqinterpretohet, pa të drejtë.

 Çfarë konstatoni se nuk shkon ndaj policisë, në gjithë këtë histori?

Ajo që konstatoj unë dhe që e kam ngritur si problem, me qindra herë, është fakti, se Drejtoria e Policisë shqiptare është ndërtuar mbi kritere krahinore dhe militanteske. Dhe kjo është e papranueshme për një shtet demokratik.

Ç’mund të thoni tjetër, në lidhje me fotografinë e publikuar?

Unë do të thosha, se nga ana tjetër, është meritë e plotë e këtyre drejtuesve të policisë që kanë bërë të mundur, kapjen e të dyshuarit. Pra, edhe nëse ata, kanë pasur miqësi me të, përsëri, detyra i ka bërë që të respektojnë ligjin dhe jo miqësinë. Dhe kjo meritë, atyre nuk mund t’ju mohohet. Flas gjithmonë, nëse personi i arrestuar është fajtori i vërtetë i kësaj ngjarjeje.

 Opozita: Ministri Noka të japë dorëheqjen

 Vrasja e kryekomisarit, Dritan Lamaj, por edhe situata kriminale në vend, kanë gjetur diskutime të ashpra në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare. Deputetët e opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm, Flamur Noka dhe drejtorit të përgjithshëm të policies, Hysni Burgaj. Sipas Gazmir Bizhgës, situata e rendit është jashtë kontrollit të policisë shqiptare. Ndërsa diskutimet në komision u fokusuan edhe në projektligjin e ri të armëve të hartuar nga PD-ja. Deputetët e opozitës kërkuan rifomulim në disa nene, sidomos atij për mbajtjen e armëve nga zyrtarët e lartë. Ndërkohë që në mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni, pritet që projektligji mbi armët, të diskutohet dhe të kalojë nen për nen.