Ylli Ndroqi, emërohet Konsull nderi i SH.B. të Meksikës

702
Sigal

Dje në Tiranë u zhvillua ceremonia përuruese e Konsullatës Meksikane në Shqipëri

Dje është zhvilluar ceremonia përuruese e Konsullatës Meksikane në Shqipëri, në Hotel Sheraton Tirana. Shqiptarët sot njihen me konsullin e nderit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës, z. Ylli Ndroqi, tanimë një person i njohur në fushën mediatike si president i RTV “Ora News”. Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të shumta, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, të gjithë konsujt e nderit në Shqipëri, ish ministra të jashtëm, biznesmen, përfaqësues të medias. Si i ftuar nderi ka mbërritur një mik i veçantë, ambasadori i Meksikës në Itali, Miguel Ruiz Cabanas Izquerdo së bashku me bashkëshorten e tij. Të ftuar të tjerë në këtë ceremoni ishin edhe, zëvendësministri i Jashtëm z.Selim Belortaja, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu iLSI-së Ilir Meta, Kryebashkiaku Lulzim Basha, Kryegjyshi i Bektashinjve Edmond Brahimaj, Princi Leka i Parë, si dhe shumë ministra dhe politikanë të tjerë. Ambientet e Hotel Sheraton, ishin shndërruar krejtësisht duke marrë motive meksikane, me dekoracione si kaktusi, simbol i Meksikës, me flamuj meksikanë të kudogjendur dhe me stafin e shërbimit me veshjet karakteristike të kulturës latine. Fjalën përshëndetëse e mbajti zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja, i cili pasi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në ceremoni, shprehu falënderimin dhe vlerësimin e qeverisë shqiptare për hapjen e kësaj Konsullate Nderi, vlerësimin për propozimin e z.Ylli Ndroqi si një njeri me një kalibër të veçantë dhe kontribute të shumta në biznes, në media, në art. Z Ndroqi është anëtar i tre dhomave tregtare, dy prej të cilave janë ndërkombëtare. Inaugurimi i një Konsullate Nderi në një vend, është gjithmonë një gjë shumë e rëndësishme, por ajo çka është më e rëndësishme është që këtë detyrë t’ja besosh njeriut të duhur. Sot inaugurohet zyrtarisht hapja e Konsullatës, dhe kemi zgjedhur pikërisht personin e duhur, me kapacitetet e duhura për këtë detyrë dhe i uroj z.Ylli Ndroqi suksese si Konsull Nderi i Meksikës”, e ka përfunduar fjalën e tij z. Belortaja. Fjalën përshëndetëse më pas e ka mbajtur Ambasadori i Meksikës, z.Miguel Ruiz Cabanas Izquerdo. Ambasadori i Meksikës pasi ka përshëndetur me një shprehje në gjuhën shqipe duke u thënë “Mirëmbrëma!”, të gjithë të pranishmëve, është shprehur:  “Unë jam shumë krenar dhe shumë i lumtur që jam këtu për të dorëzuar zyrtarisht emërimin e z.Ylli Ndroqi, si Konsull Nderi i Meksikës në Shqipëri, dhe besoj se ky do të jetë një simbol që i jep shpresë miqësisë midis Meksikës dhe Shqipërisë. Ne festojmë me gëzim, ne festojmë me muzikë, ne festojmë me ushqim, këto janë tre elementë shumë të rëndësishëm të kulturës sonë. Shumë shpejt do të dëgjoni edhe muzikën tipike meksikane “Mariaçi”. Ambasadori i Meksikës, Miguel Ruiz Cabanas Izquerdo, i ka dorëzuar më pas emërimin zyrtar z.Ylli Ndroqi, i cili ka mbajtur dhe fjalën e rastit: “Jam i lumtur sot që ndodhem mes jush dhe që do t’ju përfaqësoj si Konsull Nderi i Shteteve të Bashkuara të Meksikës këtu në Tiranë. Afrimi mes Meksikës dhe Shqipërisë, do të bëhet akoma më i këndshëm duke promovuar vlera kulturore, vlera turistike, të biznesit dhe të politikës midis Shqipërisë dhe Meksikës. Ju falënderoj të gjithëve, falënderoj Ministrinë e Punëve të Jashtme, Qeverinë Shqiptare, Qeverinë Meksikane, që më kanë besuar të drejtojë këtë konsullatë këtu në Shqipëri dhe u premtoj atyre se do të bëj më të mirën që kjo Konsullatë të afrohet shumë shpejtë me integrimin Shqipëri-Meksikë dhe Meksikë-Shqipëri. Duke ju falënderuar të gjithëve ju ftoj të festojmë së bashku. Rroftë Shqipëria, Viva Mexica!