Ministri i Brendshëm, fushatë ndërgjegjësimi duke bllokuar autostradën

373
Sigal

Afrim Krasniqi

 

Dje në mesditë, tri
korsitë e autostradës për hyrjen në Tiranë ishin të bllokuara në pikun e
trafikut rreth 1 km përpara mbikalimit tek Casa Italia. Disa dhjetëra automjete
ishin të detyruara nga policia të kalonin në një korsi të vetme. Rreth 10
policë, 4-5 automjete policie dhe rreth 20 kamera televizive të instaluara në
rrugë ose mbi ndarësen e autostradës. Të gjithë, absolutisht të gjithë, (me përjashtim
të shoferëve në trafik) të vendosur në kundërshtim flagrant me rregullat e
Kodit Rrugor në RSH. Fatmiresisht, nuk kishte aksident makine dhe as fatkeqësi
natyrore. Nuk kuptohej situata nga policët e qeshur dhe kamerat që kërkonin
ngjarje. Në edicionet e lajmeve mësuam se bëhej fjalë për një vizitë dhe
intervistë të inskenuar të Ministrit të Brendshëm në autostradë, me idenë,
-ndërgjegjësim për vendosjen e rripit të sigurimit! Ministri ka të drejtë,
qytetarët duhen të zbatojnë ligjin që të mbrojnë veten dhe të tjerët. Por vendi
i zgjedhur, mënyra e zgjedhur për dhënien e mesazhit: – bllokimi i autostradës,
pasojat në kohën e humbur dhe riskun për qindra automjentet e imponuara të
qëndrojnë në trafik, mbushja e rrugës dhe e trafik-ndarëses me kamera
televizive dhe gazetarë, kanë vetëm një emër: akt pa sens, në kundërshtim me
Kodin Rrugor dhe legjislacionin mbi të drejtat e njeriut, me risk për të gjithë
dhe një akt propagande me efekt të kundërt. Thjesht e qartë: Kultura e ligjit
nuk mund të promovohet me forma antiligjore. Siç ndodhi sot në autostradë. Në
të njëjtën paradite, – zyrtarë që ne i paguajmë me taksat tona të shkojnë në
zyrë dhe t’i shërbejnë vendit e qytetarëve, përfshirë kryeministri, ministra,
administrata bashkiake dhe disa dhjetëra nëpunës lokalë të Peshkopisë në pikun
e orës së punës nuk ishin në punë, as në zyrë dhe as në detyrën për të cilën
paguhen. Ata ishin mbledhur në miting për të festuar, – praktikë e cila sipas
legjislacionit tonë duhet të ndodhë jashtë orarit zyrtar të punës. Natyrisht
gjëra të tilla të njëjta dhe shpesh edhe më të rënda kanë ndodhur edhe kur të
sotmit ishin në opozitë dhe anasjelltas. Problemi është se më 2013 slogan i
votës për rotacion ishte premtimi: “fajin e ka sistemi, ndaj zgjidhja nuk është
të ndryshohen njerëzit në krye të sistemit, por do ndryshohet vetë sistemi”. Këto
më lart, janë dy detaje domethënëse, se kanë ndryshuar emrat, fytyrat, flamujt,
batutat, por sistemi i djeshëm, ai sistemi i korruptuar, i cili sipas të
gjatit, “ka aftësi të korruptojë edhe gjermanin më të ndershëm” ai ka mbetur i
njëjtë në mentalitet, në formë, në sjellje, në abuzim, në propagandë, në fjalë,
në zhurmë dhe në fuqinë e tij për të sjellë zhgënjim tjetër në vendin që ka më
shumë emigrantë në moshë madhore sesa qytetarë brenda tij!