Selami, Bregu dhe Imami “kryqëzojnë” Lulzim Bashën

456
Sigal

Eduard Selami ka
kërkuar thirrjen urgjente të Këshillit Kombëtar, për të bërë një analizë të
thellë të rezultati zgjedhor dhe të lidershipit të Partisë Demokratike në
rrugën drejt zgjedhjeve parlamentare të 2017

  

Humbja e thellë në
Bashkinë e Dibrës, ka ngjallur debate të ashpra në mbledhjen e grupit kuvendor
ku deputetët kanë kërkuar analizë të thellë dhe të gjithanshme. Burimet i thanë
mediave se deputetja Majlinda Bregu i ka bërë apel lidershipit të mos i
largohet përgjegjësive, ndërsa e ka pyetur kryetarin Basha se a ka dijeni që
degët e partisë në rrethe janë duke u tkurrur. Duke iu referuar dorëheqjes së
ish-kryetarit Berisha, Bregu mësohet të jetë shprehur se e dinte boshllëkun që
do linte ikja e tij. Bregu gjithashtu ka bërë apel që jo për çdo humbje të
thuhet se votat e vodhën, pasi ky, sipas saj, është fatalizëm. Ndërsa deputeti
demokrat Eduard Selami ka kërkuar thirrjen urgjente të Këshillit Kombëtar, për
të bërë një analizë të thellë të rezultati zgjedhor dhe të lidershipit të
Partisë Demokratike në rrugën drejt zgjedhjeve parlamentare të 2017. Burime nga
brenda grupit bëjnë me dije se Selami i është drejtuar kryetarit Basha se PD
është pasuri kombëtare, ndërsa ka kritikuar faktin që në 4 humbje radhazi nuk
është bërë asnjë analizë serioze. Sipas tij humbjet nuk mund të shpjegohen
vetëm me blerje votash. Kritik ka qenë dhe deputeti Arben Imami, duke e
vlerësuar si jo të duhur strategjinë e Partisë Demokratike ne Dibër dhe kjo,
sipas tij, ka qenë dhe arsyeja pse ai nuk është angazhuar. Përballë akuzave dhe
kritikave është vënë dhe sekretari organizativ Enno Bozdo, ku deputeti Roland
Keta, ka kërkuar shkarkimin e tij duke e cilësuar arrogant me strukturat.

Berisha mbështet sërish
pasardhësin e tij

Burimet i thanë
mediave, se përballë gjithë këtyre debateve, ish-kryeministri Sali Berisha ka
theksuar se problemi nuk qëndron tek Partia Demokratike, por tek qeveria që
sipas tij është e lidhur me krimin. Ndërsa kryetari i grupit parlamentarë Edi
Paloka, ka theksuar se nuk është koha për të sulmuar kryetarin Lulzim Basha dhe
as për analiza, por për revolucion demokratik kundër kartelit të drogës. Në
përfundim të mbledhjes, debatet dhe diskutimet në grup, kryetari i Partisë
Demokratike, Basha i vlerësoi të dobishme, ndërsa garantoi qëndrimin unanim të
grupit, në betejën për të shkëputur hallkat e qeverisë me krimin. Basha tha për
mediat se “grupi tregoi një vendosmëri të plotë dhe të gjithanshme për një
konkluzion të cilin unë e kam shpallur tashmë dhe dua t’ua përsëris:
Vendosmërinë e Partisë Demokratike për të bërë gjithçka që të këpusë hallkat që
lidhin krimin me politikën. Në veçanti kartelin e drogës e cila ka mbuluar
Shqipërinë dhe e ka futur për herë të parë në 26 vite në një situatë të
paprecedentë për sa i përket kultivimit të drogës. Dhe me këtë rast dua të
shpreh bindjen se hapat e mëtejshëm që ne do të hedhim, aksioni politik që do
të diskutojmë e do të vendosim bashkë me qytetarët, me aleatët tanë politikë
dhe me aleatët tanë të natyrshëm, që në këtë gjendje janë të gjithë forcat
shoqërore, të gjithë qytetarët e ndershëm në këtë vend, ne do t’ia dalim t’i këpusim
këto hallka, të riinstalojmë lirinë e votës, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë
liri tjetër”.