Ministri Bushati i kërkon Venizellos të hiqet Ligji i Luftës

450
Sigal

Ministri i Jashtëm i Greqisë rekomandon që çështja e pronësisë të çamëve të zgjidhet në Gjykatën e Strasburgut

Është hera e parë në historinë e marrëdhënieve politiko-diplomatike të Shqipërisë dhe Greqisë, në këto 22 vjet, që një ministër i Jashtëm i Shqipërisë, i kërkon publikisht Kryediplomatit grek, Evangjelos Venizelos, që Greqia të heqë Ligjin e Luftës dhe Çështja Çame të shikohet në sy, duke kapërcyer pengesat e së kaluarës.

Greqia zbaton ndaj Shqipërisë politikën  e dy standardeve

Ajo çka duhet thënë është se Greqia ndaj Shqipërisë zbaton përherë politikën e dy standardeve. Për mos shfuqizimin e Ligjit të Luftës, Greqia justifikohet, nëpërmjet një traktati miqësie, të nënshkruar nga dy qeveritë në 1987, kur dihet që ligjin e shfuqizon Parlamenti dhe asnjë traktat miqësie ndërqeveritare nuk mund ta bëjë të pavlefshëm. Nga ana tjetër, Greqia, për interesat e saj, për kufijtë detarë, kërkon të njohë si dokument të së drejtës ndërkombëtare, një marrëveshje ndërqeveritare, ndërkohë, kur Parlamenti shqiptar nuk e ka ratifikuar, por edhe Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm.

Bushati: Greqia të heqë ligjin e Luftës

“Besojmë se riaktivizimi i mekanizmave të parashikuar nga Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit, shoqëruar me heqjen e Ligjit të Luftës nga ana e Greqisë, i cili në vetvete nuk pasqyron realitetin e sotëm të miqësisë së mirë, rrugëtimit europian dhe miqësisë së hershme mes dy popujve tanë, do të krijonte një mjedis të ri besimi të ndërsjellë dhe njëkohësisht do të mundësonte fitimin e të drejtave pronësore të mohuara në përputhje me të drejtën Ndërkombëtare.”- deklaroi ministri Bushati.

Çështja Çame të shikohet në sy

“Të tejkalohen pengesat e shkuara historike, sepse ne duam të pasurojmë gamën e bashkëpunimit dypalësh rajonal e europian dhe jo t’i lemë terren nacionalizmit folklorik, që mungesa e adresimit të kësaj çështje, apo çështjeve të tjera tenton të mbajë peng marrëdhëniet dhe nuk i shërben marrëdhënieve të konsoliduara..”- u shpreh ministri Bushati.

 

Venizellos: Paqen e kemi shpallur që në 1987-n

Kryediplomati grek, Venizellos, i cili është edhe kryetari i PASOK-ut, duke iu referuar kërkesës për heqjen e ligjit të Luftës, tha se qeveria e PASOK-ut e Andrea Papandreut, ka shpallur paqe që në 1987-n, kur ministri i Jashtëm i saj, Papulias, sot Presidenti i Greqisë, erdhi në Kakavijë dhe Shqipëri dhe shpalli vendimin e Këshillit të Ministrave të Greqisë. “Gjendjen e paqes e ka shpallur Këshilli i Ministrave të Greqisë, që në vitin 1986. Gjithkush që ka diçka për të kërkuar te kuadri ligjor grek ka të drejtën t’i drejtohet edhe Strasburgut, kemi një kuadër shumë të sigurt bashkëpunimi, që përforcohet nga marrëdhëniet dhe po hedhim edhe hapat pasardhës”,- tha Venizellos.
Për kufirin detar, të zbatohet e Drejta Ndërkombëtare e Detit
“Dimensioni detar dhe mesdhetar i BE-së ka një rëndësi shumë të madhe. Si me Greqinë dhe Italinë që do kenë presidencën e BE-së vitin që vjen, na lidh një marrëveshje detare që nga viti ‘77. Ato parime dhe objektiva që ne zbatojmë janë të thjeshta, zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare Detare në atë formë që ekziston dhe zbatohet sot. Ashtu siç i kemi realizuar marrëdhëniet tona me vendet e BE-së për këtë problem, ashtu duam të vazhdojmë dhe me Shqipërinë, pasi do të bëhet pas pak anëtare e BE-së”- deklaroi ministri grek.
Komision dypalësh për varrezat e ushtarëve grekë
Lidhur me çështjen e varrezave të ushtarëve grekë, Venizellos tha se me ministrin Bushati kanë ranë dakord që të mblidhet një komision dypalësh për të gjetur zgjidhje. Duke theksuar rëndësinë e gazsjellësit TAP, Kryediplomati grek tha se përmes këtij projekti marrëdhëniet mes dy vendeve fitojnë një dimension të ri.

Presidenti Nishani: Të rishikohet marrëveshja detare

Presidenti Nishani, në takimin me ministrin e Jashtëm grek, u shpreh në favor të rifillimit të bisedimeve për Paktin Detar, bazuar në frymën e mirëkuptimit dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Rama pret Venizellon: Dimension të ri bashkëpunimi midis dy vendeve

Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar takimit të djeshëm më zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Grek, Evangjelos Venizellos, theksoi vullnetin e qeverisë së tij për t’i dhënë një dimension të ri bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Greqisë, në frymën e miqësisë dhe interesit më të mirë të dy vendeve. Gjatë takimit Rama-Venizelos, u vlerësua ecuria e deritanishme e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe u trajtuan problematikat që ekzistojnë, të tashme, apo të trashëguara nga e kaluara. Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare mbetet e vendosur për të forcuar, gjithashtu bashkëpunimin rajonal. Sipas Ramës, marrëveshja Kosovë-Serbi ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet e bashkëpunimin midis vendeve të rajonit.

 Kryeparlamentari Meta: “Greqia do të japë kontribut për integrimin e Shqipërisë”

Z. Meta dhe z. Venizellos ndanë bindjen e përbashkët se Shqipëria dhe Greqia duhet të intensifikojnë përpjekjet bilaterale për të rritur bashkëpunimin rajonal, si mënyra më e mirë për të siguruar një rajon të stabilizuar që ofron mundësi prosperiteti për qytetarët e të gjithë vendeve fqinje.  Z. Meta shprehu gjithashtu vullnetin e plotë për të zgjeruar shkëmbimet ndër-parlamentare si një kontribut në zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke nënvizuar se prioriteti i Shqipërisë mbetet integrimi evropian i saj dhe i të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Basha: “Të anulohet Ligji i Luftës dhe të shikohet çështja e pronës të qytetarëve shqiptarë”

Kryetari i PD-së, Basha, në takimin me ministrin e Jashtëm grek, Venizellos,  ngriti çështjen e anulimit të Ligjit të Luftës, si çështje e rëndësishme jo vetëm për shkak të perceptimit, por sidomos edhe të problemeve në lidhje me sekuestron konservative për pronat e qytetarëve shqiptare, veçanërisht atyre Çame. Basha kërkoi angazhimin për zgjidhjen e problemit të toponimeve që ka vështirësuar lëvizjen në kufi të qytetarëve shqiptarë të lindur në Greqi.

 Flasin për “Telegraf”

Dashamir Tahiri, deputet i PDIU-së

“Ministri Venizellos foli si venizellosit e parë”

Ministri i Jashtëm i Greqisë, foli në Tiranë, me gjuhën e venizellove të parë. Çështja e pronësisë të Çamëve nuk është çështje individuale, por është çështje e Komunitetit Çam. Nuk mundet që zgjidhja të jetë nëpërmjet Gjykatës së Strasburgut, e kërkuar në mënyrë individuale, sepse në mes është edhe gjenocidi grek ndaj popullsisë çame. Ndërsa ministri ynë i Jashtëm, Bushati foli si shqiptar i mirë.

Sabit Brokaj: “Greqia me Ligjin e Luftës mban peng pasuritë e çamëve dhe të shqiptarëve”

Në fjalën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Venizellos në Tiranë, nuk ka asgjë të re dhe të papritur. Greqia, në mënyrë të përhershme do ruajë të palëkundur qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë. Dhe kjo politikë e saj konstante është krijuar qysh në krijimin e doktrinës së saj për “Vorio Epirin”. Ne, shqiptarët kemi patur iluzione, të cilat këto janë ushqyer edhe nga korrupsioni politik, i cili, nga ana e tij, ka favorizuar politikën greke që të realizojë qëllimet e saj, ndaj Shqipërisë. Politika greke ndaj Shqipërisë mbështetet edhe mbi politikën që zbaton Kisha e Janullatosit në Shqipëri. Ligjin e Luftës Greqia nuk mund ta heqë, pasi e ka armën e saj, që të mos u japë pronën që kanë në Greqi çamët dhe shqiptarët e tjerë, sikurse gjirokastritët, etj. Ajo që është e pëlqyeshme, është se qeveria shqiptare, për herë të parë foli qartë, hapur për çështjet që deri më sot i mbante të fshehta dhe tabu.

Av. Idajet Beqiri, kryetari i PUK-ut: “Është turpi i Greqisë, ligji i Luftës ndaj Shqipërisë”

Mbajtja ende në fuqi i Ligjit të Luftës me Shqipërinë është absurdi më i madh që e turpëron në sy të botës Greqinë. Mbajtja ende në fuqi e Ligjit të Luftës prej Greqisë e sfumon “Traktatin e Paqes” mes dy vendeve tona. Problemi çam është një tragjedi ndaj një popullsie autoktone që jetonte në trojet e veta stërgjyshore. Shqiptarët e Çamërisë u spastruan etnikisht me anën e një genocidi nga më tragjikët që ka parë gjatë gjithë historisë së tij Gadishulli i Ballkanit, me qëllimin e vetëm të zgjerimit me troje shqiptare të Greqisë. Të kërkosh kthimin e çamëve në trojet e tyre në Çamëri, është një e drejtë themelore njeriu. Ndaj BE, themeluesja dhe aprovuesja e Konventës Evropiane të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, nuk duhet të mbaj ende sehir se si një vend anëtare e saj, si Greqia, të vazhdojë ta mbajë gjallë frymën e shovinizmit dhe genocidizmit. Lidhur me kufijtë detar ka folur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, organi më i lartë i shtetit që ka për detyrë të interpretoj pajtueshmërinë ose papajtueshmërinë e një akti, një ligji apo një veprimi që lidhet me sovranitetin shtetëror, me Kushtetutën e Shqipërisë.