Sotiraq Filo: Koha për Korçën

588
Sigal

Sotiraq Filo, kandidati iASHE-së, për kryetarin e Bashkisë së Korçës, në intervistën për “Telegraf”, pasi rendit arritjet, jep edhe siglën e zotimeve të tij, çfarë risi do të afrojë për qytetarët e Korçës, duke premtuar se me punën e të gjithëve bashkë, tashmë është “koha për Korçën”.

– Zoti Filo, cila është problematika dhe tematika e punëve të Bashkisë së Korçës sot?

– Prej 6 vitesh në qytetin e Korçës po punohet me vizion të qartë dhe ritëm të shpejtë zhvillimi. Në punën tonë të përditshme, veç planifikimit tonë strategjik, ne i referohemi edhe nevojave konkrete që qytetarët kanë. aktualisht sapo kemi filluar nga zbatimi fazën e fundit të projektit të madh të kanalizimeve, duke filluar ndërhyrjen për shtrimin e rrjetit të ri të kanalizimeve në Lagjen 15 dhe për të vijuar me pas me kanalizimet e Lagjes 4 dhe pjesën e mbetur të Lagjes 10. Pas shtrimit të rrjetit të kanalizimeve do të vijohet edhe me asfaltimet dhe sistemimet e këtyre pjesëve të qytetit. Përfundimi i këtij projekti madhor, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim KFW, e bën Korçën qytetin e parë në Shqipëri me infrastrukturë nëntokësore totalisht të rinovuar sipas standardeve europiane. Në qendër po vazhdon puna për mobilimin urban të Zonës Këmbësore. Konkretisht është drejt përfundimit rikonstruksioni i fasadës së pallatit të ish MAPO-s. Gjithashtu, po punojmë për sistemimin e blloqeve të banimit në Lagjen 15, referuar kërkesave të qytetarëve të kësaj pjese të qytetit.

– Mund të na jepni një ekspoze, se deri më sot, si janë realizuar ato detyra që ju si ekip fitues i zgjedhjeve të 2011-s me kryetar Peleshin u premtuat qytetarëve të Bashkisë së Korçës?

– 40 milion euro të investuara për projektin e madh të kanalizimeve, kanë zgjidhur përfundimisht dhe me standard të lartë ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore si edhe kanë transformuar shumë lagje të Korçës. Kemi shtruar 100 mijë m2 kalldrëm në pesë lagjet tradicionale të qytetit, investim ky që jo vetëm ka përmirësuar infrastrukturën për banorët e këtyre zonave, por edhe i ka sjellë Korçës edhe një atraksion të shtuar turistik. Kemi përfunduar ndërhyrjen për rikonstruksionin e pjesës më të madhe të qendrës së qytetit duke filluar me rikonstruksionin e Bulevardit “Republika” që sot është kilometri më i bukur në Shqipëri. Rikonstruksioni me standard të lartë i këtij bulevardi tradicional të qytetit, i dha një hov të ri zhvillimi bizneseve përgjatë tij dhe jetës social- ekonomike të gjithë qytetit. Më pas, ndërhyrja jonë në qendër vijoi me rikonstruksionin e Sheshit para Kinemasë, një ndërhyrje e domosdoshme e cila disiplinoi qarkullimin dhe parkimin, dikur kaotik në këtë pjesë qendrore të Korçës. Vijuam më pas ndërhyrjen me rikonstruksionin e Sheshit para Katedrales dhe ndërtimin e Zonës së re Këmbësore. Tashmë këto dy investime të rëndësishme janë pjesë e krenarisë sonë, të prekshme jo vetëm nga qytetarët e Korçës por edhe nga vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj që vijnë në Korçë. Bashkia e Korçës punoi gjatë këtyre viteve me një filozofi të re pune. Ne rehabilituam dhe sistemuam shumë zona në qytet duke ndjekur praktikën e investimeve në blloqe banimi dhe jo në një rrugë të vetme. Transformuam lagje në qendër dhe periferi. Lagje, dikur të mbuluara nga balta, sot janë të asfaltuara poltësisht, me trotuare të rikonstruktuara, ndriçim publik, sipërfaqe të gjelbra, kënde sportive dhe kënde lojërash për fëmijë. Treguam një standard të ri të investimeve në punët publike në qytet me rikonstruksionin e Shëtitores “Fan S. Noli”, një aks i rëndësishëm për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve në Korçë, tashmë një model me standard për t’u replikuar edhe në të ardhmen. Gjatë kësaj periudhe ne përfunduam fazën e parë të rikonstruksionit të Pazarit të Vjetër të Korçës. Do të vazhdojë me restaurimin e dyqaneve, haneve dhe banesave karakteristike të Pazarit të Vjetër, për të finalizuar kthimin në identitet të këtij monumenti me vlera unikale në Shqipëri dhe më gjerë. 10 milion euro nga Banka Gjermane për Zhvillim KFW po përdoren në Projektin e Menaxhimit të Mbetjeve të ngurta në Rajonin e Korçës, i pari projekt i përmasave të tilla në Shqipëri.

– Veç ndërhyrjeve të rëndësishme në infrastrukturë, çfarë sollët në këto vite për qytetarët e Korçës?

– Ne pajisëm bizneset e qytetit me pullën e sigurisë, ngritëm sistemin e denoncimit të informalitetit dhe stimuluam me lehtësi fiskale bizneset e reja. Ofruam taksa dhe tarifa të reduktuara për iniciativa për hapjen e çerdheve, kopshteve, librarive si dhe për  bizneset e reja në fushën e turizmit, teknologjive të informacionit, artizanatit etj. Pajisëm gjithë të moshuarit në qytet me Kartën e Pensionistit, duke ofruar për të gjithë mbajtësit e saj transportin publik falas dhe shërbime të tjera me tarifa të reduktuara. Hapëm Qendra Komunitare për Moshën e Tretë në lagje të ndryshme të qytetit duke u ofruar të moshuarve shërbime dhe argëtim. Për të lehtësuar lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar ndërtuam rampa në rrugë dhe institucione publike. U kujdesëm për komunitetet rome dhe egjiptiane, shpërndamë libra dhe mjete shkollore falas për fëmijët jetimë dhe fëmijët nga familjet e varfra. Sollëm modele të investimit me standard të lartë në shkolla si ishte rasti i rikonstruksionit të plotë të shkollës 9 – vjeçare “Sotir Gurra”. Organizuam çdo verë për fëmijët “Kampin veror”, hapëm qendrën “Artistët e vegjël”, shtuam këndet e lojërave në çdo lagje dhe organizuam festa të bukura në qytet për ta. Për të rinjtë rikthyem shpresën dhe besimin se qyteti po zhvillohet dhe për ta krijuam mundësi për shkollim, argëtim dhe punësim. Panairi i Punës, bursa për më të mirët, kompjutera për maturantët e shkëlqyer, apo Rin Show, ishin disa nga projektet që zbatuam për të rinjtë gjatë këtyre viteve. Ne punuam me shumë dashuri për Korçën dhe gjetëm edhe rrugë të reja zhvillimi. Korça, qyteti i festave, nuk ishte thjesht një slogan, por një rrugë e re zhvillimi. Festat e shumta të organizuara nga ne kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik te qytetit dhe sjelljen e vizitoreve të shumtë vendas dhe të huaj. Festa e Birrës e cila në vitin 2010 meritoi dhe çmimin e turizmit shqiptar, Karnavalet e Korçës, Panairi i fundvitit, Java e Muzikës apo Festa e Lakrorit gjallëruan qytetin dhe sollëm mijëra vizitorë duke stimuluar njëherësh edhe biznesin lokal. Edhe për zhvillimin e artit dhe kulturës, ashtu si premtuam, e patëm një qasje të re: Ndërkombëtarizuam dimensionin e aktiviteteve tona, duke e kthyer Korçën në një pikëtakimi të rëndësishme të artistëve shqiptarë dhe të huaj. Aktivitete, si Skulptura e Parkut, Kolonia Ndërkombëtare e Piktorëve “Ditët e Mios”, Konkursi Mbarëkombëtar ne artet figurative “Vangjush Mio”, Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë “Sotir”, janë disa prej projekteve tona madhore në kulturë. Mbështetëm futbollin dhe klubin shumësportësh, duke prekur në këto vite rezultate të larta për ekipin e Skënderbeut dhe duke rikthyer krenarinë tonë sportive.

– Duke bërë një ballafaqim me premtimet e programit elektoral të kandidatit tjetër të së Djathtës, ku është më progresiv dhe  i besueshëm programi që ju prezantoni qytetarëve të Bashkisë së Korçës?

– Deri tani nuk kam dëgjuar asnjë program apo projekt nga kandidati i PD-së. Duke mos patur asnjë projekt konkret për qytetin, ata i përkasin filozofisë së zhbërjes dhe të shkatërrimit dhe  kane të vetmin qëllim të zhbërjes dhe shkatërrimit të punëve që bashkia ka bërë në këto vite.

Vizioni ynë për Korçën e ardhshme

Cilat do të jenë ato risi, që ju mendoni se do të kontribuoni, përveçse nga ato që ju si një staf i përbashkët me Peleshin fituat në 2011-n?

– Programi im për pjesën e mbetur të mandatit bazohet në 5 shtylla kryesore: Infrastruktura dhe mjedisi, Shërbimet sociale, Zhvillimi ekonomik dhe turizmi, Tradita, kultura dhe sporti, Bashkëveprimi në komunitet.

– Cilat janë projektet tuaja më të rëndësishme për këtë pjesë të mbetur të mandatit?

– Janë pesë projekte madhore me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së jetës së qytetarëve korçarë të cilat do të bëhen shumë shpejt realitet:

Rikonstruksioni i Sheshit para Teatrit

Rikonstruksioni dhe rivitalizimi i Parkut Rinia

Ndërtimi i Terminalit të ri të Autobusëve

Suvatimi i fasadave të pallateve

Rikonstruksioni i fasadave të Pazarit të Vjetër