Andrea Llukani/ Problematika e grabitjes së ikonave

827
Sigal

Në ditën e Trashëgimisë Kulturore, më 29 shtator  2013, Ministria e Kulturës ka përuruar websitin: www.shpetothesarin.com, një site ku mund të denoncohet on line çfarëdolloj dëmtimi dhe rrënimi që i bëhet monumenteve të kulturës. Ideimi i këtij websiti u realizua në sajë të vizionit që kanë drejtuesit e ri të kësaj ministrie duke përmbushur prioritetin që ka qeveria në programin e saj për monumentet e kulturës si vepra të trashëgimisë sonë kulturore. Nuk kaluan shumë ditë dhe më 9 tetor 2013 strukturat e luftës kundër Trafiqeve të Paligjshme të Policisë së Tiranës, falë një pune hetimore dhe të mirorganizuar bënë të mundur finalizimin e operacionit IKONA, në përfundim të së cilit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 223 ikona të kishave të përmasave të ndryshme, 6 ikona të mëdha, 4 piktura murale të konservuara, 522 piktura bronzi, të cilat i përkasin periudhës së mesjetës, si dhe 322 objekte të ndryshme të cilat i përkasin periudhës mesjetare. Tashmë, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Trafikimit të veprave të artit dhe të Kulturës”. Veprat e çmuara të trashëgimisë sonë kulturore u ekspozuan në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se do të vazhdojë intensivisht lufta për të mbrojtur jo vetëm trashëgiminë kulturore, ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se çdo qytetar ftohet të denoncojë për çdo rast madje për çdo dyshim, kur preket kjo pasuri kaq e madhe.

Kishat-monument kulture, pre e grabitjeve

Ky është vetëm fillimi i fushatës, sepse kishat-monument kulture, shpesh, kanë rënë pre e vjedhjeve dhe grabitjeve nga njerëz të papërgjegjshëm. Vjedhësit çmontojnë ose shkulin me dhunë dyert e bukura, pjesë nga amvoni, pjesë nga ikonastasi, pjesë nga fronet dhespotike, ikonat e montuara në ikonastasët e kishave monument kulture dhe ua shesin në tregun e zi matrapazëve ose koleksionistëve të veprave të artit. Gjatë viteve të fundit janë grabitur dhe dëmtuar shumë kisha të shpallura monument kulture, vjedhje të cilat kanë mbetur ende pa autor. Falënderojmë përzemërsisht ministrin Saimir Tahiri për punën e bërë dhe i urojmë atij që kjo punë të shkojë deri në gjetjen e gjithë ikonave të grabitura. Gjatë viteve të fundit janë vjedhur dhe dëmtuar këto kisha: Më 4 janar 2013 janë dëmtuar disa nga afresket e pikturuar nga Onufri në kishën e Shën e Premtes në Valësh të Elbasanit. Në mars 2012 janë vjedhur dy kambana në kishën Lindja e Hyjlindëses në Vokopolë të Beratit. Këto kambana me vlerë u grabitën për t’u shpënë në ndonjë fonderi për shkrirje. Gjatë procesit të restaurimit, në korrik 2012, janë vjedhur dy kisha në Voskopojë. Keqbërësit duke përdorur skelat e restaurimit kanë grabitur kambanën në Kishën e Shën Marisë. Gjithashtu në kishën e Shën Thanasit kanë grabitur disa ikona me vlerë. Më 11 shkurt 2011 është vjedhur gjatë procesit të restaurimit kisha e Shën e Premtes në Çetë të Kavajës. Më 19 mars 2011 janë marrë dy ikona me vlerë  të kishës së Bularatit në rrethin e Gjirokastrës. Më 4 prill 2011 është vjedhur kambana e kishës së Shën Gjergjit në Libofshë të Fierit. Më dhjetor 2011 është grabitur për të gjashtën herë kisha e Shën Thanasit në Bularat të Dropullit të Sipërm. Kjo kishë me vlerat që bart është monumenti më i veçantë në Luginën e Drinos. Nga ikonastasi 200-vjeçar janë shkulur 27 ikona me vlera historike dhe shpirtërore. Gjatë viteve 2010-2011 janë bërë tri vjedhje në kishën e Shën Marisë në Zervat të Gjirokastrës ku janë grabitur krejt ikonat e ikonastasit. Kësaj kishe i është bërë një restaurim i plotë. Më pas është bërë objekt grabitjeje. Janë vjedhur ikonat e vogla në pjesën e sipërme të ikonastasit. Gjithashtu edhe ikonat e mëdha të ikonastasit. Kryqi mbi ikonastas si dhe polieli qendror i kishës. Më 19 nëntor 2009 janë vjedhur pjesë të ikonastasit në kishën e Shën Marisë në Leusë të Përmetit, gjithashtu është grabitur një ikonë me vlerë shpirtërore nga kisha e Shën Mërisë në Bënjë të Përmetit. Në dhjetor 2007 është zhdukur një pjesë e mirë e ikonastasit të kishës së Shën Thanasit në Karavasta të Lushnjës. Më 10 dhjetor 2007 është vjedhur dera kryesore e ikonastasit të kishës së Shën Kollit në Vanaj të Fierit.