Meta pret deputetë të Kosovës, bashkëpunim në fushën e shëndetësisë

390
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot një delegacion të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës të drejtuar nga Kryetarja e Komisionit, Flora Brovina.
Meta i uroi mirëseardhjen deputetëve të Kosovës në Tiranë dhe shprehu vullnetin maksimal të Kuvendit të Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, veçanërisht në fushën e shëndetësisë. 
Në këtë kuadër, Meta theksoi se duhet intensifikuar bashkëpunimi i shërbimeve emergjente shëndetësore veçanërisht në zonat ndërkufitare dhe duhen rritur shkëmbimet e ekspertizës dhe shërbimeve në ato fusha ku Shqipëria ka avancuar më tepër kohët e fundit siç është rasti i kardio-kirurgjisë.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, Flora Bovina pasi e falënderoi kryeparlamentarin Meta për mikpritjen shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin aktual mes dy Kuvendeve dhe nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në shëndetësi, duke marrë në konsideratë momentet e vështira ekonomike që po kalon rajoni. 
Në këtë drejtim, Bovina vuri në dukje se shkëmbimet mes dy Komisioneve parlamentare homologe do të kontribuojnë pozitivisht në bashkërendimin e punës mes dy vendeve.
Sigal