Në një deklaratë për mediat Kryetari i Partisë së Lirisë, tha të martën se kostot e barnave dhe shërbimeve të tjera shëndetësore, që nuk mbulohen nga shteti, janë krejtësisht të papërballueshme nga pensionistët.
“Me pensionet qesharake, që ata marrin, të cilat zhvlerësohen çdo ditë. Pensionistët shqiptarë në pjesën dërrmuese marrin pensione shumë më të ulta se kufiri i varfërisë i përcaktuar nga Banka Botërore në 6.85 USD në ditë”. Kryetari i Partisë së Lirisë theksoi se “shëndetësia falas ka qenë dhe mbetet një nga mashtrimet më të mëdha dhe të pabesa të ‘Rilindjes’. Pensionistët, ashtu si edhe të gjithë shqiptarët, paguajnë sot 60% nga xhepi për shëndetin më shumë se qytetarët e tjerë në Europë. Madje OBSH përllogarit se në periudhën 2015-2021 shpenzimet e qytetarëve shqiptarë për shëndetësinë u rritën me 82%”. Meta propozoi mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore.
“Propozojmë mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të gjithë pensionistët me probleme shëndetësore; dhënien e shërbimit mjekësor me prioritet për pensionistët për evitimin e pritjeve të gjata në qendra shëndetësore apo spitale; sigurimin e shërbimeve mjekësore pa pagesë për rehabilitimin dhe fizioterapinë për pensionistët me sëmundje invalidizuese; sigurimin pa pagesë të materialeve mjekësore të trajtimit të pacientëve pensionistë në banesë, si dhe artikujve mjekësorë (paterica, karroca, shtretër ortopedikë), që mundësojnë lëvizjen dhe pavarësimin jetësor të pensionistëve”, -tha Meta.





















