Ministrja e Shëndetësisë Koçiu: Mbi 18 mijë punonjës përfitojnë rritje page në korrik të këtij viti

21
Sigal

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi një bashkëbisedim me mjekë dhe infermierë të rinj, të cilët janë punësuar në sistemin publik shëndetësor, gjatë dy muajve të parë të këtij viti. Në fjalën e saj, ministrja Koçiu theksoi se dy platformat, “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”, janë dëshmi reale e punës së bërë gjithë këto vite nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: “Janë mbi 6 mijë mjekë dhe infermierë që 4-5 vitet e fundit i janë bashkuar sistemit tonë publik shëndetësor dhe le të flasim për këto shembuj pozitivë, frymëzues, energjizues për këdo që kërkon t’i bashkohet sistemit tonë publik. Një ftesë për të gjithë ata skeptikët që mendojnë se në sistemin publik shëndetësor do duhet të kesh patjetër një mik dhe një të njohur me qëllim që të marrësh një vend pune”, u shpreh ministrja. Duke iu drejtuar mjekëve dhe infermierëve të rinj, Koçiu nënvizoi se “ju jeni dëshmia reale që kjo nuk është e vërtetë”. Më tej, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe te rritja e pagave për punonjësit në sistemin e shëndetësisë që do të vijojë edhe këtë vit. “Janë rritur pagat me mbi 70% nga pikënisja dhe ndërkohë do të vijojnë të rriten. Në vitin 2024 ne do të vijojmë të rrisim pagat për mjekët e familjes dhe për infermierët. Janë plot 18 mijë punonjës të sistemit shëndetësor, të cilët do të marrin një rritje tjetër pagash në muajin korrik të këtij viti”, deklaroi ajo. Në fjalën e saj, Koçiu u ndal edhe te Autonomia Spitalore duke shtuar se është një platformë që do të nxisë akoma më shumë meritokracinë dhe konkurrueshmërinë në sektorin publik shëndetësor.