Manifestimi i 2 marsit/ Kryemadhi: Do të jem në bulevard si nënë dhe si qytetare

515
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me strukturat e LSI-së në Vlorë foli edhe për tubimin e 2 marsit, të thirrur nga Presidenti i Republikës.

Kryemadhi u shpreh se do të jetë në bulevard si nënë dhe si qytetare, për të ardhmen e fëmijëve dhe që Shqipëria të jetë shtëpia e shqiptarëve.

“Duke përfituar nga ky takim në Vlorë, dua të bëj edhe njëherë të ditur qëndrimin tim jo si kryetare e LSI, por si qytetare që unë më 2 mars do të jem në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nuk do të jem për Ilir Metën si President, as për shkeljen kushtetuese që ka bërë Rilindja dhe Edi Rama, sepse ata e kanë bërë gjithmonë atë gjë. Do të jem në bulevard për të treguar që e gjithë historia e rilindjes që ka ndërtuar dhe gjithë fabula dhe përralla mashtruese e Rilindjes dhe Edi Ramës që ka ndërtuar për Shqipërinë, jo vetëm që është një mashtrim i madh për shqiptarët, por është një mashtrim i madh edhe për ndërkombëtarët të cilëve do t’u bjerë në kokë mashtrimi që kanë ndërtuar dhe që është ndërtuar.

Unë në 2 mars do të jem si qytetare, si nënë. Do të jem atje për shkak të të gjithë historisë, për shkak të taksave të larta, të faturave të larta të energjisë elektrike, për shkak të mungesës së punës për të rinjtë dhe të rejat. Por ajo që është më e rëndësishme, do të jem sepse kjo Rilindje dhe ky Parlament ilegjitim, i cili pa pikë turpi falsifikojnë një ligj, një dokument zyrtar ditën për diell. Të jeni të bindur që do të na falsifikojnë edhe fëmijët në maternitete kur ti lindin shqiptarët. Do ti ndërrojnë atësitë dhe kombësitë fëmijëve tanë dhe për më shumë do të na bëjnë popull sharlatan. Prandaj do të jem atje për të qenë një shqiptare dinjitoze si të gjitha gratë shqiptare që luftojnë për fëmijët e tyre, sepse unë besoj dhe do të bëj çdo gjë që Shqipëria të jetë shtëpia jonë dhe e të gjithë shqiptarëve.” – u shpreh Kryetarja e LSI-së.