Lulzim Basha pas vizitës në Shkodër: Në këto zgjedhje do të ketë pjesëmarrje si asnjëherë më parë

270
Sigal

Kreu i PD, Lulzim Basha ka komentuar vizitën e sotme në Shkodër ku u prit me entuziazëm nga mbështetësit dhe simpatizantët.

Basha thotë se në çdo hap që shkeli në Shkodër, preku entuziazëm dhe vendosmëri që janë garanci se në këto zgjedhje do të ketë pjesëmarrje si asnjëherë më parë.

Ai garanton qytetarët e Shkodrës se me qeverinë e PD do të sjellin ndryshim pas 25 prillit.

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës:

Sot në qytetin e Shkodrës takova dhe bisedova me qindra qytetarë, fola me shumë sipërmarrës, dëgjova me shumë interes idetë dhe projektet e të rinjve novatorë të këtij qyteti. Gjithashtu pashë nga afër shpirtin punëtor e kreativ të shkodranëve të përballet me perden e hekurt të kufizimeve, të pengesave dhe të korrupsionit që ka instaluar Edi Rama dhe qeveria e tij prej 8 vitesh.
Kudo ku ndalova, me këdo që fola në qytetin e Shkodrës, mora mesazhin e fortë se ka ardhur koha për një ndryshim të vërtetë në Shqipëri. Shkodranët janë të bindur për këtë, ashtu siç besojnë të gjithë shqiptarët.

Shkodra kërkon ndryshim, Shqipëria kërkon ndryshim dhe ndryshimin do ta sjellë bashkimi i të gjithëve për këtë qëllim. Entuziazmi dhe vendosmëria që preka sot në çdo hap në rrugët e këtij qyteti, në shtëpitë dhe në sipërmarrjet e tij, janë garanci se në zgjedhje do të ketë pjesëmarrje si asnjëherë më parë.
I garantova qytetaret dhe qytetarët e Shkodrës se ashtu siç e integruam Shqipërinë në NATO, liberalizuam vizat dhe arritëm shumë kulme së bashku, së bashku do ta sjellim ndryshimin. Prandaj, me forcën e bashkimit tonë, më 25 prill të gjithë së bashku do të sjellim ndryshimin dhe Shqipëria do të fitojë.
#SHQIPERIAFITON