Kuvendi çel sesionin e fundit, Meta: Apeloj konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

464
Sigal

Kuvendi çeli sot, sesionin e fundit të tij për këtë legjislaturë. Në këtë sesion pritet që deputetët të kenë mjaft punë për disa ligje të tjera që plotësojnë reformën në drejtësi, por ata duhet të mbyllin me shpejtësi edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të bërë të mundur reformën që do ta çojë vendin në zgjedhjet e 18 qershorit, ashtu siç tha në nisje të punimeve edhe kryeparlamentari, Ilir Meta.

“Angazhimi kryesor mbetet përfundimi i reformës zgjedhore, miratimi i ndryshimeve në kodin zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, ndryshime të cilat duhet të bëhen me konsensus, sipas tij.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka në nisje të seancës u shpreh se për opozitën çështje parësore mbetet zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, që sipas tij garantohet vetëm me ndryshimet në kod, ndër më kryesoret, votimi dhe numërimi elektronik, siç kërkon edhe opozita.

“Opozita parlamentare çështje të saj parësore ka zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Garantimi i votës së lirë, rikthimi i besimit tek qytetarët se vota e lirë dhe e pacënuar do të vendosë për të ardhmen e tyre. Shqiptarëve duhet t’ju rikthehet besimi tek vota e lire, se do shkojë atje ku ata duan dhe do numërohet drejt. Prandaj 20 parti nënshkruan sot një memoriandum sipas tij”,-tha ai.