Kundërshtarët e Bashës bien në kryesi, zgjedhjet nuk shtyhen

510
Shumica e forumit të lartë të demokratëve nuk pranon kërkesën për realizimin në nëntor të votimit nga anëtarësia. Zyrtarizohen vetëm dy kandidatë në garë
Kundërshtarët e Lulzim Bashës në kryesinë e Partisë Demokratike kanë mbetur në pakicë, ndaj për zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm demokratët do të votojnë më 22 korrik. Një kërkesë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve është rrëzuar nga kryesia, e cila drejtohej nga nënkryetari Edi Paloka. Kundërshtarët e Bashës kërkuan anulimin e procedurës së nisur për votimin e kreut të partisë, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Ata kërkuan mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe miratimin e rregullores e kalendarit të zgjedhjeve. “Kryesia të shpallë zgjedhjet në një datë të përshtatshme dhe të pranueshme për të gjithë (propozimi ynë është java e tretë e muajit nëntor, si afati që garanton më mirë zhvillimin e procesit me të gjithë komponentët e tij)”, thuhet në dokumentin e paraqitur në kryesi. Por propozimi i kundërshtarëve të Bashës nuk gjeti mbështetje, duke u votuar vetëm nga Arben Imami, Majlinda Bregu, Belind Këlliçi, Jamarbër Malltezi, Arben Skënderi, Tomorr Alizoti, Zana Guxholli, Valbona Mezini, Endira Bushati dhe Gent Malko. 

Ndërkohë, kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar vetëm kandidaturat e Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit në garën për kryetar. Ata do të përballen me njëri-tjetrin në një fushatë brenda partisë dhe më 22 korrik do të kërkojnë votat e demokratëve. Në total kryesia ka shqyrtuar 8 kërkesa për të marrë pjesë në garë, ndërsa ka miratuar vetëm dy prej tyre, duke lënë jashtë konkurrimit edhe ish-kreun e grupit parlamentar, Astrit Patozi. 

Drejtuesi i mbledhjes së kryesisë, nënkryetari Edi Paloka, tha se do të zhvillohet një analizë e rezultatit të zgjedhjeve dhe për këtë do të dalin përgjegjësitë. Ai sqaroi se analiza e zgjedhjeve nuk mund të bëhej brenda një dite në një mbledhje të kryesisë. “Kjo procedurë nuk është ndjekur në vitin 2013, pasi të tilla ishin kushtet dhe duhej një shpejtësi më e madhe”, u shpreh Paloka. Ai njoftoi vendimin e kryesisë dhe pranoi se pati momente gjatë mbledhjes ku u humb edhe qetësia. “Duam ringritje të gjithë bashkë. Kjo garë duhet të tregojë se është transparente dhe e ndershme”, tha Paloka. Sipas tij, çdo anëtar i partisë duhet të japë mendimin e tij për kryetarin e partisë gjatë fushatës së zgjedhjeve. 

Kryesia e PD-së ka vendosur të ngrejë edhe komisionin që do të mbikëqyrë dhe organizojë zgjedhjet, ku secili nga kandidatët do të ketë edhe përfaqësuesit e tij. 
KËRKESË 
drejtuar KRYESISË SË PD-së
Ne, anëtarë të Kryesisë së PDSH, në kushtet e krijuara pas humbjes së thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 2017, në bazë të nenit 40 të Statutit të PDSH, i drejtohemi Kryesisë, duke parashtruar kërkesat si më poshtë vijon:
1 – Mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD nga Sekretari i Përgjithshëm në bazë të Nenit 43 të Statutit, për bërë analizën e rezultatit të zgjedhjeve.
2 – Anulimin e procedurës së nisur pa miratimin e Kryesisë së PD-së, në kundërshtim me Nenin 40, Pika 2 e Statutit.
3 – Ngritjen e një grupi gjithëpërfshirës pune për hartimin e Rregullores për zgjedhjet dhe të kalendarit të procesit zgjedhor.
4 – Miratimin e Rregullores dhe Kalendarit sipas Statutit.
5 – Me hyrjen në fuqi të këtyre akteve, Kryesia të shpallë zgjedhjet në një datë të përshtatshme dhe të pranueshme për të gjithë (propozimi ynë është java e tretë e muajit nëntor, si afati që garanton më mirë zhvillimin e procesit me të gjithë komponentët e tij).

Pas zgjedhjes së Kryetarit të ri të fillojë menjëherë procesi për organizimin e Kuvendit të jashtëzakonshëm të Partisë, ku të paraqitet platforma politike për rimëkëmbjen e PD-së dhe për ringjalljen e opozitarizmit në Shqipëri.

Anëtarë të Kryesisë
Arben Skënderi
Avenir Peka
Endira Bushati
Genti Malko
Jamarbër Malltezi
Valbona Mezini
Suzana Guxholli
Tomorr Alizoti

Ngrihet komisioni i votimit
Kryesia e Partisë Demokratike ka votuar në mbledhjen e djeshme me asnjë votë kundër anëtarët e Komisionit të Votimit për zgjedhjet, që do të zhvillohen më 22 korrik. Me vendim të Kryesisë, për këtë post garojnë dy kandidatura, Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Kryesia vendosi që komisioni i votimit do të përbëhet nga 7 anëtarë. Në Komision u zgjodhën Jemin Gjana, Tritan Shehu, Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi dhe Bardh Spahia. Të dy kandidatët do të caktojnë nga një përfaqësues të tyre.
Sigal